Kryesuesja e OSBE-së, njëkohësisht ministre e Punëve të Jashtme të Finlandës, Elina Valtonen, ka thënë se shpreson që të këtë një zgjidhje sa i përket bllokadës së krijuar në procesin e konsitutuimit të Kuvendit.
Në një konferencë për media të mbajtur pas takimit që e ka zhvilluar me presidenten Vjosa Osmani, ajo ka thënë se shpreson që procesi i formimit të Kuvendit të vazhdojë në përputhje më Kushtetutën.
“Mirëpres zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit dhe shpresoj që procesi i konstituimit të Kuvendit të bëhet në përputhje me Kushtetutën dhe që ne do të shohim një qeveri të re së shpejti, me të cilët presim të vazhdojmë bashkëpunimin tonë”, ka deklaruar Valtonen.
Ajo ka thënë se kanë folur edhe për procesin e dialogut.
“Ne gjithashtu kemi diskutuar potencialin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja për të kontribuar në siguri dhe stabilitet në rajon. Me emërimin e përfaqësuesit të ri të posaçëm për dialogun Prishtinë- Beograd, duke riafirmuar zotimet në dialog dhe avancimin zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese janë kruciale për të pasur sukses”, është shprehur Valtonen.
"Shpresojmë që shumë shpejt do të ketë një zgjidhje për ngërçin në Kuvend dhe Qeveri"
Ajo nuk është përgjigjur në pyetjen e gazetarëve se pse nuk e ka takuar kryeministrin në detyrë Albin Kurti dhe ministren e Jashtme Donika Gërvalla.
Pas kësaj pyetjeje Valtonen ka thënë se shpresojnë “fuqimisht që shumë shpejt do të ketë një zgjidhje për ngërçin në Kuvend dhe Qeveri”.
Ndërkohë në njoftimin e Presidencës thuhet se në takim Osmani e ka falënderuar atë për mbështetjen e vazhdueshme të Finlandës për Kosovën, siç thuhet, veçanërisht në proceset e shtetndërtimit, demokratizimit dhe forcimit të institucioneve.
“Në cilësinë e Kryesueses së OSBE-së, znj. Valtonen u informua nga presidentja Osmani mbi zhvillimet e fundit në Kosovë, përkushtimin e institucioneve ndaj paqes dhe stabilitetit si dhe zbatimin e rendit dhe ligjit”, thuhet në njoftim.
Tutje thuhet se Osmani ka ritheksuar përkushtimin e Kosovës për bashkëpunim të ngushtë me OSBE-në në procesin e reformave, transparencës institucionale dhe të drejtave të njeriut.
“Në këtë kontekst, presidentja Osmani theksoi se pret që OSBE-ja do të vazhdojë t`i mbështesë prioritetet kyçe të Kosovës, përfshirë barazinë gjinore dhe fuqizimin e të drejtave të njeriut”, thuhet në njoftim.