Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Albina Shabani-Rama, është transferuar në Gjykatën e Apelit. Gjatë procesit janë tërhequr të gjithë kundërkandidatët e saj, e sipas burimeve të KOHËS, këtë veprim ata e kanë bërë në shenjë pakënaqësie, pasi kanë thënë se procesi ka qenë i kurdisur. Në Këshillin Gjyqësor e kanë mbrojtur procesin
Me 10 vota për, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) e ka avancuar të enjten si gjyqtare në Departamentin Special të Apelit, kryetaren e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Albina Shabani-Rama.
Ajo ka qenë e vetmja kandidate e mbetur në garë.
Në fazën e fundit të procesit për avancim, në atë të intervistimit, janë tërhequr gjashtë kundërkandidatët, shumica kolegë nga Gjykata të cilën Shabani-Rama e ka drejtuar.
Burime të KOHËS kanë thënë se tërheqja e tyre është bërë në shenjë pakënaqësie për procesin, i cili, sipas tyre, ka qenë i kurdisur.
KOHA ka parashtruar kërkesë për qasje në letrat me postë elektronike, në të cilat gjyqtarët aplikues i kanë paraqitur tërheqjet, porse në KGJK nuk kanë ofruar qasje me arsyetimin se komunikimet janë private ndërkaq kanë thënë se kandidatët janë tërhequr për arsye personale.
“Para zhvillimit të intervistave, disa kandidatë kanë njoftuar tërheqjen e tyre nga procesi për arsye personale. Kandidati Alban Ajvazi e bëri këtë menjëherë pas përfundimit të fazës së aplikimit, përmes komunikimit zyrtar me email, ndërsa kandidatët Ngadhnjim Arrni, Kujtim Krasniqi, Rilind Sermaxhaj, Lutfi Shala dhe Violeta Namani-Hajra konfirmuan tërheqjen e tyre përmes emaileve para datës së intervistës. Mosparaqitja e kandidatëve në intervistë është çështje diskrecionale”, kanë thënë në Këshillin Gjyqësor.
E një anëtar i KGJK-së, në prag të votimit për gradimin e Shabani-Ramës të enjten është shprehur se i gjithë procesi është monitoruar nga organizatat vendore e të huaja.
“Intervista është zhvilluar më datën 29 tetor 2025. Intervistës i është nënshtruar vetëm një kandidat. Vlen të theksohet se procesi i intervistimit është monitoruar nga EULEX-i, OSBE-ja dhe IKD-ja”, ka thënë Ahmet Imami, anëtar i KGJK-së.
Këtë proces e ka quajtur të rregullt dhe në përputhje me rregulloret e KGJK-së edhe vetë gjyqtarja Shabani-Rama.
“Mua nuk më takon të merrem me pretendime apo interpretime që qarkullojnë në formë jozyrtare, pasi procesi ka qenë i hapur, transparent dhe i monitoruar nga shoqëria civile si dhe nga EULEX-i dhe OSBE-ja. Po ashtu ju njoftoj se unë nuk kam pasur asnjë komunikim me ndonjërin nga gjyqtarët aplikues për këtë çështje dhe nuk kam informacion për ndonjë komunikim eventual ndërmjet gjyqtarëve dhe Këshillit”, ka theksuar Shabani-Rama.
Rregulloret e KGJK-së nuk e ndalojnë avancimin në rastin kur në intervistim merr pjesë vetëm një kandidat.
Vendimi për kalimin e Ramës në Apel hyn në fuqi më 15 nëntor. E pas kësaj date, gjykatën me më së shumti lëndë në nivel vendi, atë Themelore në Prishtinë, do ta drejtojë gjyqtarja e çështjeve civile – Ilire Vitija.