Arbëri

KTV, 23 vjet transmetim të shpejtë dhe të saktë e me besueshmërinë më të lartë

Sot Kohavisioni ka mbushur 23 vjet që nga nisja e transmetimit. Drejtuesit e kompanisë më të madhe mediale në vend e kualifikuan punën dydekadëshe si me plot sfida, por me fokus të përhershëm në saktësi, profesionalizëm e besueshmëri. E për gjithë punën e deritanishme, KOHA është vlerësuar nga kryetari i Komisionit të Pavarur të Mediave, Jeton Mehmeti, edhe për respektimin e Kodit të Etikës

Filloi me program dyorësh, e të premten KTV-ja e shënon ditëlindjen e 23-të si televizioni me shikueshmërinë e besueshmërinë më të lartë për lajmet dhe me program të larmishëm.

Fillet Grupi KOHA i pati në 26 shtatorin e 1990-s me revistën “KOHA”, themelues i së cilës ishte Veton Surroi e vazhdoi me shtypshkronjën, botimin e gazetës “Koha Ditore” dhe më pas me televizionin.

Flaka Surroi, drejtoreshë menaxhuese, e përshkruan si sfiduese nisjen e një mediumi të ri pas luftës, por theksoi se megjithëkëtë është krenare që ndër vite janë ruajtur profesionalizmi dhe pavarësia editoriale.

“Është dashtë të niset prej zeros, është dashur të blihen pajisjet, të trajnohen njerëzit, të mësohen me gazetarinë televizive që ka qenë më ndryshe sesa gazetaria e shkruar dhe dalëngadalë e kemi zhvilluar dhe kemi ardhur deri në këtë pikë, të cilën besoj që e kemi mbërri një nivel të besueshmërisë, të cilin shumë pak mediume këtu mund ta kenë”, thotë Surroi.

E kryeredaktorja Brikenda Rexhepi, si të arriturën dhe sfidën më të madhe ndër vite e ka kualifikuar besueshmërinë që e ka krijuar KOHA te lexuesit e shikuesit.

“Natyrisht kur e dini që njerëzit të shohin për t’u informuar dhe të besojnë, kjo përbën edhe një sfidë në vetvete, duke pasur parasysh që duhet qenë çdoherë sa më të përpiktë në zbatimin e standardeve profesionale, ndjekjen e parimeve të etikës edhe ndjekjen çdoherë të interesit të publikut për t’i pasqyruar sa më mirë jetën e qytetarëve”, thekson Rexhepi.

Kohavisioni vazhdon t’i ruaj standardet e larta edhe në skemën programore. Për zëvendësproducenten, Edona Bekteshi-Shala, ani se viteve të fundit janë prodhuar sfida, standardi i profesionalizmit mbetet i padiskutueshëm.

“Është një sfidë me të cilën përballemi viteve të fundit, marrë parasysh luftën për klikime dhe nganjëherë edhe interesimin e masës. Por për ne ky standard është i padiskutueshëm, ngase për ne primare është ruajtja e privatësisë, si dhe interesimi, transmetimi i çështjeve që janë në interes të publikut të gjerë”, thotë Bekteshi-Shala.

E për respektimin e Kodit të Etikës dhe saktësisë gjatë punës 23-vjeçare, KTV-ja është vlerësuar edhe nga kryetari i Komisionit të Pavarur të Mediave, Jeton Mehmeti.

“Si qytetar, i uroj për raportimet e sakta dhe korrekte, dhe si përfaqësues i Rregullatorit për media i përgëzoj për punën korrekte karshi obligimeve që kanë ndaj Rregullatorit, qofshin ato raportimet vjetore, qofshin ato në kryerjen e obligimeve financiare që kanë ndaj Rregullatorit. Por mbi të gjitha në respektimin e Kodit të Etikës, i cili është bazament i një gazetarie të mirëfilltë”, thekson Mehmeti.

KOHA numëron rreth 250 punëtorë dhe jo vetëm për këtë fakt, është më e madhja në vend që i kultivon gazetarinë e pavarur dhe lirinë e shprehjes.