Firma Agora, diplomati gjerman Wolfgang Ischinger, një takim i Hashim Thaçit me Ana Bërnabiqin në Minsk të Bjellorusisë më 2018 dhe një kontratë, për vlerën e së cilës nuk flet askush: një hulumtim i portalit amerikan “Politico” dhe i revistës gjermane “Der Spiegel” nxjerr në sipërfaqe disa pazare jotransparente. Faturën e paguajnë qytetarët e varfër të Kosovës
Mediat amerikane (“Politico”) dhe gjermane (“Der Spiegel”) janë duke e kritikuar ashpër diplomatin gjerman Wolfgang Ischinger. Ai është udhëheqës i Konferencës së Sigurisë në München. Konferenca përkrahet edhe me para të taksapaguesve gjermanë. Me leje të Ministrisë së Jashtme në Berlin, Ischinger, 75-vjeçar, mban titullin ambasador, ndonëse është pensionuar moti. Paralelisht me punën në Konferencën e Sigurisë në München, Ischinger më 2015 ka themeluar një firmë për konsulenca. Firma quhet Agora Strategy Group.
Kjo firmë i ka ofruar një firme gjermane të armëve mundësi për organizimin e takimeve me blerës potencialë të armëve, të cilët përfaqësonin shtetet e tyre në Konferencës së Sigurisë në München. Për të qenë çudia edhe më e madhe Ischinger është aksionar edhe te firma Agora, edhe te firma Hensoldt, e cila prodhon elektronikë mbrojtëse, për shembull radarë për avionë luftarakë dhe kamera për dronë. Akuza që i bëhet Ischingerit është se e ka shfrytëzuar Konferencën e Sigurisë edhe për interesa private në shërbim të firmave me të cilat është i lidhur. Në vitin 2020 Ischinger i dha një intervistë një gazete gjermane ku tha se droni është armë e ardhmërisë. Me asnjë fjalë Ischinger nuk e bëri transparente se edhe vetë është anëtar i bordit mbikëqyrës të një firme që prodhon pjesë për dronë.
Portali amerikan “Politico” shkruan se firma Agora kishte një kontratë konsulence edhe me Kosovën. Në vjeshtën e vitit 2018 Ischinger organizoi në emër të Konferencës së Sigurisë në München një takim të politikanëve dhe ekspertëve të sigurisë në Minsk, në Bjellorusi. Në atë kohë diktatori bjellorus Aleksandar Lukashenko shtirej sikur është i gatshëm të normalizojë raportet me Perëndimin dhe tallej duke thënë se njerëzit nga Perëndimi duhet të vijnë në Bjellorusi për të mësuar demokracinë dhe parë se çka janë standardet e jetës. Ischinger moderoi një bisedë me Lukashenkon dhe organizoi një drekë me presidentin e atëhershëm të Kosovës Hashim Thaçi dhe me kryeministren serbe Ana Bërnabiq. Sipas “Politico” firma Agora e Ischingerit më 2018 përpiqej ta përfitonte Kosovën si kliente. “Disa javë më vonë (pas takimit Thaçi-Bërnabiq në Minsk), Kosova nënshkroi” kontratën, shkruan “Politico”.
Hashim Thaçi duke udhëtuar në Minsk të Bjellorusisë më 2018
Ky portal lajmesh i ka pyetur autoritetet e tanishme të Kosovës në lidhje me kontratën, por nuk ka marrë përgjigje. Sipas mediumit amerikan Agora arkëton mes 2 dhe 3 milionë euro në vit dhe në listën e klientëve të saj janë Katari, Kosova, Gruzia. Thuhet se Kosova kishte lidhur kontratë me firmën Agora për të ndihmuar në liberalizimin e vizave. Por as në vitin 2022 nuk shihet asnjë rezultat nga ky lobim. Shtrohet pyetja për çka ka lobuar kjo firmë? Sa para ka marrë nga buxheti i Kosovës? A vlen ende kontrata me këtë firmë? A vazhdon Kosova të paguajë ende?
Duket se firma Agora e përkrahu edhe kryeministrin maqedonas Nikolla Gruevski. Në fund të verës së vitit 2016, kur Gurevski gjendej nën presionin e opozitës për shkak të keqpërdorimit të pushtetit, Ischinger organizoi një takim me Gruevskin në “China Club” në Berlin. Klubi privat e ka selinë në hotelin e famshëm Adlon. Kush dëshiron të bëhet anëtar, duhet të paguajë një kontribut anëtarësimi prej 10’000 euro. Eventi me Gruevskin u bashkëorganizua nga firma Agora e Ischingerit, e cila punonte, sipas “Der Spiegel”, për partinë VMRO-DPMNE të Gruevskit. Një punëtor i dikurshëm i Ischingerit i ka thënë “Politico”-s se Ischinger nuk ishte i interesuar vetëm për stabilitet në Ballkan. “Ai donte të bënte para”.
Këtë fundjavë në München do të zhvillojë punimet Konferenca e Sigurisë. Më shumë se 30 kryetarë dhe kryeministra shtetesh të ndryshme do të marrin pjesë, mes tyre kancelari gjerman Olaf Scholz, kryetari i Ukrainës Volodimir Zelenski, nënpresidentja e SHBA-ve Kamala Harris etj. Për Ischingerin do të jetë konferenca e fundit. Pasardhës i tij do të jetë Christoph Heusgen, këshilltar shumëvjeçar për politikë të jashtme i kancelares Angela Merkel.