Akademia e Shkencave dhe Arteve ka organizuar një konferencë shkencore, në të cilën janë trajtuar ndryshimet gjeopolitike dhe sfidat për shtetin e Kosovës. Ish-anëtarë të qeverisë, që janë edhe akademikë, i listuan problemet, nga formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, e deri te procesi i integrimit në BE. Aty u bë thirrje që Kosova ta forcojë pozicionin e saj ndërkombëtar, kapacitetet institucionale dhe orientimin euroatlantik
Kosova nuk mund t’i kapërcejë e vetme pengesat në rrugën drejt Bashkimit Evropian (BE), ka thënë ish-zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, në konferencën shkencore të organizuar të mërkurën nga Akademia e Shkencave dhe Arteve (ASHAK), në të cilën janë trajtuar ndryshimet gjeopolitike dhe sfidat për shtetin e Kosovës.
Kuçi tha se për të avancuar në procesin integrues, shtetit i duhet mbështetja e fuqishme politike.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Shumë gjëra nuk janë në duart e institucioneve tona. Në radhë të parë e kam mendjen te pesë vendet anëtare të unionit evropian. Unë mendoj që Gjermania duhet të jetë, eventualisht Franca, njëra prej tyre ‘engjëll mbrojtës’ i procesit tonë në BE”, ka thënë Kuçi, gjatë fjalës që ka mbajtur në këtë konferencë.
Kuçi tha se pa një mbështetje të tillë politike, Kosova e ka të vështirë të tejkalojë bllokadat në procesin integrues, meqë shteti ende nuk njihet nga pesë vende anëtare: Spanja, Greqia, Rumania, Sllovakia e Qiproja.
“Pa e pasur një engjëll mbrojtës, në veçanti agjenda nuk vazhdon, por mbi të gjitha ta pranojmë një fakt: nuk do të jemi ata që do ta tejkalojmë ndonjë pengesë nëse nuk e kemi dikë që na jep mbështetje politike, juridike më të madhe sesa që duhet dhe momentalisht vetëm këto dy shtete janë që mund ta bëjnë një gjë të tillë”, ka thënë Kuçi. “Anëtarësimi në BE i ka dy rrugë, ose me e fitu njohjen prej pesë shteteve, ose unioni evropian me i ndryshu traktatet. Kjo e dyta është pak e besueshme. E para, ndoshta duhet të punohet pak më shumë edhe ne edhe me partnerët tanë ndërkombëtarë”.
Kosova është shteti i vetëm i rajonit që nuk ka statusin e vendit kandidat. Ajo ka aplikuar gjatë presidencës çeke, në dhjetor 2022, por, aplikacioni nuk është shqyrtuar. Mes tjerash, si arsye për këtë është përmendur fakti se pesë vendet që nuk ia kanë njohur shtetësinë Kosovës, bllokojnë shqyrtimin.
Gjatë konferencës, mes sfidash për shtetësinë, u përmend edhe formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, për të cilin Kosova ka marrë zotim nëpërmjet marrëveshjes me Serbinë, të ndërmjetësuar nga BE-ja.
Akademiku Arsim Bajrami, i cili ka qenë ministër në qeveri të drejtuara nga parti që tash janë në opozitë, tha se sigurimi i statusit kandidat nga BE-ja do të mund të merrej nëse do të themelohej Asociacioni. Megjithëkëtë, ai paralajmëroi për rrezikun që ky mekanizëm të marrë karakter të autonomisë politiko-territoriale. Ai kritikoi Qeverinë e tashme, për disa pika të marrëveshjes së fundit me Serbinë.
“Nga një ide e një asociacioni konsultativ, po shndërrohet në mekanizëm që pretendon të shndërrohet në mënyrë perfide në autonomi politiko-territoriale, gjë që në një mënyrë u konfirmua edhe me marrëveshjen e Brukselit, edhe me marrëveshjen e Ohrit, të cilat përmbajnë disa premisa juridike në pikën 7 dhe në pikën 10, prapa të cilave mund të fshihet një kërkesë perfide që për komunat me shumicë serbe të instalohet një autonomi politiko-territoriale që është modeli më i avancuar i autonomive. Dhe mendoj që këtu Kosova duhet të jetë e vendosur për të refuzuar këtë model, por duhet të tregohet shtet dinjitoz për të përmbushur detyrimet ndërkombëtare”, ka thënë Bajrami, i cili ka qenë pjesë e pushtetit në 2013-n, kur është pranuar marrëveshja e parë që parasheh Asociacionin.
“Një shtet që nuk përmbush detyrimet ndërkombëtare, nuk ka respekt në bashkësinë ndërkombëtare. Edhe nëse një detyrim ndërkombëtar është pranuar me shpejtësi, ai mbetet detyrim ndërkombëtar. Mund të lirohesh nga ai detyrim ndërkombëtar, vetëm me mjete juridike kur e shfuqizon atë marrëveshje. Pra, në qoftë se një marrëveshje ndërkombëtare nuk ka qenë e mirë, mundësia e vetme është për ta shfuqizuar me të njëjtin mekanizëm që e ke miratuar”.
Bajrami ka thënë se institucionet e Kosovës duhet të jenë shumë të kujdesshme që ky asociacion të themelohet, por vetëm mbi bazën e Kushtetutës së Kosovës, legjislacionit të Kosovës.
“Të mos lejohet asnjë pushtet i ndërmjetëm, asnjë cenim i tërësisë apo sistemit e rendit unik. Është përgjegjësi e qeverisë që për gjashtë vite e mbajti Kosovën pezull në këtë kauzë, derisa kishim mundësi që kjo kauzë të tejkalohej në mënyrë shtetërore, institucionale, dhe Kosovës t’i mundësohej një faktorizim, qoftë pranimi në Këshillin e Evropës, do të thotë ne e kemi humbur atë rast, por pranim edhe në dhjetëra konventa evropiane”, ka thënë ai. “Ndoshta pranim në UNESCO, pranim në Interpol, dhe hapja e rrugës për pranimin e statusit të kandidatit në Bashkimin Evropian dhe për një status të asociuar brenda NATO-s, qoftë nëpërmjet partneritetit për paqe, qoftë duke fituar një status të privilegjuar për anëtarësim të përshpejtuat”.
Në konferencë u trajtuan edhe sfidat ekonomike.
Akademiku Isa Mustafa, i cili ka drejtuar Qeverinë në një mandat, tha se Kosova ka probleme strukturore në kuadër të zhvillimit, që kryesisht kanë të bëjnë me bazën e kufizuar prodhuese.
“Përmes tregtisë ndikohemi në importe dhe eksporte, dhe në koncentrimin tonë ndaj eksportit. Është problemi i energjisë sepse kemi varësi shumë të madhe të importit të energjisë elektrike nga vendet e tjera, kemi varësi nga thëngjilli, dhe kemi pak pjesëmarrje të energjisë nga burimet tjera të ripërtëritshme në krahasim më vendet tjera. Kemi probleme me investimet, edhe me investimet e huaja direkte, prej të cilave 70 për qind përbëjnë investimet e bashkatdhetarëve tanë, ose diasporës, dhe 30 për qind janë investime tjera që kryesisht janë në sektorë që nuk janë prodhues dhe nuk paraqesin mundësi të rritjes së konkurrencës së Kosovës dhe çështjet e emigrimit që tani është preokupim shumë i madh”, ka thënë Mustafa. “Ne kemi zvogëlim të numrit të popullsisë prej rreth 200 mijë gjatë kësaj periudhës së fundit, kemi ikje nga Kosova, që kryesisht flet për të rinjtë dhe për trurin, dhe kemi pasiguri afatgjate ekonomike mbi këtë bazë”.
Mustafa ka thënë se Kosova dhe Ballkani Perëndimor mbeten shumë të varur nga Bashkimi Evropian.
“Ne kemi probleme strukturore në kuadër të zhvillimit, të cilat probleme kryesisht kanë të bëjnë me bazën e kufizuar prodhuese. Ne në Kosovë bruto produktin vendor e kemi të bazuar me 62 për qind në sektorin e shërbimeve, e kemi vetëm 22 për qind e produktit të brendshëm bruto që krijohet nga prodhimi, e kemi 9 për qind nga bujqësia dhe papjesën tjetër nga ndërtimi. Dhe me këtë strukturë ekonomike e kemi vështirë të jemi konkurrues në vendet e tjera edhe të Ballkanit Perëndimor e edhe të Bashkimit Evropian”, ka thënë Mustafa, i cili është edhe profesor i ekonomisë.
Konferenca u hap nga kryetarja e Akademisë së Shkencave dhe Arteve, ish-ministrja Justina Pula, e cila tha se zhvillimet globale, kanë krijuar sfida të reja për Kosovën dhe rajonin.
“Lufta në Ukrainë, rivalitetet ndërmjet fuqive të mëdha, ndryshimet në arkitekturën e sigurisë evropiane dhe globale, rritja e nacionalizmit dhe euroskepticizmit, si dhe sfidat e integrimeve euroatlantike, kanë krijuar një realitet të ri gjeopolitik i cili kërkon reflektim serioz akademik, institucional dhe strategjik”, ka thënë Pula, e cila është edhe profesoreshë e ekonomisë. “Në këtë kontekst, Republika e Kosovës gjendet përballë sfidave të shumta, por edhe përballë mundësive të reja zhvillimore dhe strategjike. Si shtet i ri demokratik, Kosova vazhdon të përballet me çështje që lidhen me konsolidimin e subjektivitetit ndërkombëtar, forcimin e sovranitetit shtetëror, zhvillimin ekonomik, integrimin euroatlantik, dhe ruajtjen e stabilitetit institucional e kushtetues”.
Ajo ka thënë se këto procese bëhen edhe më komplekse në një rajon si Ballkani perëndimor, i cili historikisht ka qenë hapësirë e ndërthurjes së interesave gjeopolitike dhe fuqive të ndryshme ndërkombëtare.
Pjesëmarrësit vlerësuan se në kushtet e ndryshimeve të mëdha gjeopolitike, Kosova duhet të forcojë pozicionin e saj ndërkombëtar, kapacitetet institucionale dhe orientimin euroatlantik.