Korrupsion elektoral është vlerësuar njoftimi i kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për ndarjen e nga 100 eurove për fëmijë dhe për pensionistë. Kostoja e këtij shpenzimi do të jetë rreth 61 milionë euro. Me gjithë kritikat se po tenton që në këtë mënyrë të blejë votë për zgjedhjet e 28 dhjetorit, Kurti ka theksuar se ndarja e shtesave është praktikë e zakonshme e Qeverisë së udhëhequr prej tij në çdo fundvit
Njoftimin e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, se një ditë pas zgjedhjeve të parakohshme të 28 dhjetorit do të ndahen nga 100 euro për të gjithë fëmijët dhe pensionistët, analistë politikë dhe përfaqësues të partive të opozitës së legjislaturës së kaluar e kanë kualifikuar si veprim në funksion të blerjes së votave.
Vendimi i së mërkurës i Kurtit, i cili do të përfshijë rreth 400 mijë fëmijë dhe mbi 213 mijë pensionistë, do t’i kushtojë buxhetit të shtetit 61 milionë euro.
Por këtë vendim, analistit politik, Ali Sefaj, e ka kualifikuar si të kundërligjshëm.
“Më shumë është tendencë e Qeverisë për të ndikuar në votë sesa mbështetje reale për njerëzit që kanë nevojë. Për arsye se, shpërdorimi i kaq mjeteve nga Qeveria në detyrë të cilat nuk janë të parapara në buxhet është e kundërligjshme. Dhe, veçmas mbështetja e të gjithëve njësoj as nuk është politikë sociale dhe as nuk është mbështetje e njerëzve me nevojë”, ka theksuar ai.
Vendimi është kritikuar edhe nga ish-deputeti i Lidhjes Demokratike (LDK), Driton Selmanaj, i cili e ka quajtur veprimin korrupsion elektoral. Ai ka thënë se para ardhjes në pushtet, Kurti e ka quajtur krim ndarjen e tillë të mjeteve financiare në kohë fushate zgjedhore.
“Albin Kurti duket se e ka bërë llogarinë: sa kushton qytetari kosovar në prag zgjedhjesh. Përgjigjja e tij është e thjeshtë dhe fyese: 100 euro. Këto 100 euro nuk janë ndihmë sociale. Janë ryshfet elektoral, i financuar nga buxheti i shtetit. Në vend që paratë publike të investohen në zhvillim, punësim apo projekte me dobi afatgjate, ato shpërndahen për interes elektoral të momentit”, ka shkruar ai në Facebook.
E Kurti ka theksuar se praktika e ndarjes së shtesave për fundvit është e zakonshme dhe se nuk përbën asgjë të re për qeverisjen e tij.
“A kanë qenë ato shtesa edhe vitin e kaluar? A kanë qenë edhe para vitit të kaluar? Çdoherë para Vitit të Ri, kur kemi dimër e kemi festa, ne i gëzojmë të moshuarit dhe fëmijët. Nuk ka asgjë të re në këtë aspekt. E re është qeverisja jonë, e cila do të vazhdojë edhe mandatin e tretë”, ka thënë Kurti.
Katër ditë para mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme nacionale, Qeveria në detyrë ka ekzekutuar të mërkurën edhe shtesat prej 100 eurosh për grupin e dytë të studentëve. Për grupin e parë, këto mjete financiare u patën ekzekutuar më 6 nëntor, tri ditë para zhvillimit të raundit të dytë të zgjedhjeve lokale.