Arbëri

Kurti: As Thaçi, as kryetarja e Kushtetueses nuk ndaluan emërimin e Labanit në vitin 2018

Albin Kurti

Foto: Driton Paçarada

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se në vitin 2018, Lëvizja Vetëvendosje kishte dërguar letër në zyrën e Presidentit për sfondin penal të gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, Radomir Laban, por siç thotë ai, as presidenti Hashim Thaçi dhe as kryetarja e atëhershme e Gjykatës Kushtetuese, Arta Rama-Hajrizi, nuk ndërhynë për të penguar emërimin e tij.

Kurti të mërkurën u shpreh se asokohe deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, kishte dërguar një letër në zyrën e presidentit për këtë çështje, por asnjë masë nuk merrej.

“Ne që nga viti 2018 kemi qen të informuar për gjyqtarin Laban. Deputetja jonë Albulena Haxhiu i pat shkruar letër zyrës së presidentit, por fatkeqësisht as presidenti në atë kohë e as kryetarja e Gjykatës Kushtetuese e atëhershme nuk e kanë parë të arsyeshme ta ndalin një proces të tillë. Është absurde që një person i tillë, sipas informacioneve të institucioneve tona të sigurisë, është me rrezik për rendin tonë kushtetues e të gjykojë për një çështje kushtetuese”, shtoi Kurti në vizitën që ia bëri punimeve Klinikës së Kardiologjisë.

Radomir Laban u emërua gjyqtar nga Kuvendi në maj 2018, përfaqësues i komunitetit serb, me miratimin e deputetëve dhe dekretin e presidentit Thaçi

Në konferencë për media të martën, presidentja Vjosa Osmani tërhoqi kërkesën që kishte dërguar në Gjykatën Kushtetuese lidhur me konstituimin e Kuvendit, duke argumentuar se detyra e raportuesit në çështje i ishte besuar gjyqtarit Laban — i cili, sipas saj, paraqet rrezik për sigurinë kombëtare bazuar në informacione nga institucionet e sigurisë në vitet 2018, 2021 dhe 2024.

Profesori i së Drejtës Ndërkombëtare dhe ishkryetar i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, e cilësoi veprimin e Osmanit si të qëllimshëm për të paralizuar funksionimin e Gjykatës Kushtetuese për çështjen e konstituimit që do të vendoset deri më 8 gusht.

Të gjitha lajmet për Radomir Laban