Arbëri

Kurti harron kritikat, së bashku me ministrat aktivizohet në fushatë

Projekte milionëshe e mbështetje të Qeverisë po premtojnë ministrat e Albin Kurtit në fushatën e balotazhit për zgjedhjet lokale. Kurti, i cili vite më parë, kur ishte në opozitë, kritikonte se po keqpërdoreshin resurset shtetërore dhe se pushtetarët nuk duhej të përdornin veturat e llojit xhip, të njëjtën gjë po e bën tash ai.

“Ata kanë xhipa, ne duam trotuare. Ju e keni parë se si politikanët kur zbresin tek qytetarët zbresin nga xhipat e blinduar e me xhama të errësuar. Ai të sheh ty e ti s’i sheh ata, e nëse del prej xhipit atëherë të këqyrë mrrolshëm truproja e tij. E truproja e tij e di ma mirë se na, se qytetarët kanë shumë arsye me i ba diçka atij politikani, që ky po ja run veç trupin se krejt çka ka me ja ru është trupi se mendja i ka ikë moti” - kështu kishte thënë 9 vjet më parë kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Por këto qëndrime të Albin Kurtit ndryshuan kur mori pozitën e kryeministrit të Kosovës. Tash Kurti me vetura xhamash të zinj po shihet edhe para dhe gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet lokale. E edhe Lëvizja Vetëvendosje si kritikuesja më e madhe për shfrytëzim të pozitave e të resurseve shtetërore për fushatë tashmë është duke e bërë të njëjtën gjë.

Gjatë të hënës ka filluar edhe zyrtarisht fushata zgjedhore për raundin e dytë, e cila do zgjasë vetëm 5 ditë. Gjatë mesditës pothuajse i tërë kabineti qeveritar doli në sheshin “Zahir Pajaziti” për t’i dhënë mbështetje kandidatit për Prishtinën.

Pos tyre, aty u panë edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, e deputetë të kësaj partie. Ata së bashku u takuan edhe për kafe në njërin nga lokalet në kryeqytet, ku rojat e Kurtit ishin shpërndarë gjithandej.

Ndonëse në dy mandatet e kaluara Komuna e Prishtinës u fitua nga LVV-ja, Kurti theksoi se Vitia do ta gjallërojë atë.

“Ne ju propozojmë një program të qartë, por edhe të zbatueshëm. Por edhe një udhëheqës të thjeshtë, të ditur e punëtor” ka thënë Kurti në tubimin e hapjes së fushatës për Arben Vitinë.

Por, mbështetje nga Ekzekutivi për projekte milionëshe në ditën e parë të fushatës mori edhe kandidati për kryetar i Komunës së Prizrenit. Liburn Aliu, ministër i Infrastrukturës, nuk ndaloi së foluri për projektin milionësh që lidh Prizrenin me Tetovën.

“Ne jemi në fazën ku i kemi kriju edhe grupet punuese, që tashmë janë zgjedhur nga të dyja qeveritë. Tash jemi në fazën e hartimit të projektit i cili në vitin që do vijë do përfundojë dhe brenda këtij mandatit do fillojmë me ndërtimin e tunelit”, ka deklaruar ai.

Megjithatë, Aliu e Haskuka mohuan se projektet po i shfrytëzojnë për fushatë, duke thënë se këto projekte kanë qenë të parapara më herët.

Ditë më parë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e Shpejtim Bulliqi, kandidat nga LVV-ja për kryetar të Podujevës, premtuan përfundimin e projektit për zgjerimin e rrugës Prishtinë - Podujevë, e nisur shumë vjet më parë.