Arbëri

Kurti i përgjigjet kritikave për shtesat 100-euroshe: Çdo herë i kemi ndarë para Vitit të Ri

Albin Kurti

Kandidati për kryeministër i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, ka reaguar ndaj kritikave për vendimin e Qeverisë në detyrë për të ndarë shtesa prej 100 eurosh për pensionistët dhe fëmijët në prag të zgjedhjeve, duke theksuar se kjo praktikë është e zakonshme dhe nuk përbën asgjë të re prej që ka ardhur në ekzekutiv.

Ai ka thënë se çdo herë para festave i gëzojnë të moshuarit dhe fëmijët.

“A kanë qenë ato shtesa edhe vitin e kaluar? A kanë qenë edhe para vitit të kaluar? Çdo herë para Vitit të Ri, kur kemi dimër e kemi festa, ne i gëzojmë të moshuarit dhe fëmijët. Nuk ka asgjë të re në këtë aspekt. E re është qeverisja jonë, e cila do të vazhdojë edhe mandatin e tretë”, ka deklaruar Kurti gjatë një vizite në stadiumin e futbollit në Shtime të enjten.

Vendimi për të ndarë këto shtesa ka shkaktuar kritika, ku ish-opozita e ka cilësuar këtë lëvizje si “blerje votash”, pasi paratë po shpërndahen vetëm pak ditë para zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit.

Të mërkurën (dje), Kurti njoftoi se pensionistët dhe fëmijët do t’i marrin 100 euro, të cilat do të ekzekutohen më 29 dhjetor – një ditë pasi të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare.