Ukshin Hoti u arrestua në vitin 1994 për aktivitetin e tij politik dhe u dënua me pesë vjet burgim. Më 16 maj 1999, një ditë para përfundimit të dënimit, ai u nxor nga Burgu i Dubravës dhe që nga ajo ditë rezulton i zhdukur.
“Dokumenti zyrtar i lirimit, i nënshkruar nga drejtori i burgut Aleksandër Rakoçeviq, dëshmon se ai u lirua formalisht, por në realitet, lirimi i tij ishte akti i fundit para zhdukjes. Në listat e burgut, emri i Ukshin Hotit është fshirë me laps, me shënimin ‘ka mbaruar dënimin’. Mbikëqyrësi Branko Komatina e nxori atë nga dhoma ku qëndronte i burgosur, ndërsa Hoti mbante me vete vetëm një thes me gjëra personale. Prej asaj dite nuk është parë më”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Kryeministri në detyrë theksoi se kjo zhdukje është pjesë e një krimi shtetëror të Serbisë, dhe se zinxhiri i përgjegjësisë shtrihet deri në nivelet më të larta të qeverisë së atëhershme serbe. Ai shtoi se autoritetet serbe jo vetëm që e zhdukën Ukshin Hotin, por disa ditë më vonë kryen edhe masakrën e njohur të Dubravës mbi të burgosurit shqiptarë.
Dokumente të rëndësishme për këtë rast, përfshirë edhe ato që identifikojnë zyrtarët përgjegjës, janë publikuar që në vitin 2011 nga Ukë Thaçi në librin “Masakra në burgun e Dubravës”, dhe siç shkruan tutje Kurti, dëshmitë e bashkëvuajtësve janë të shumta. Megjithatë, kryeministri në detyrë thekson se asnjë aktakuzë nuk është ngritur deri më sot.
Kurti e quajti këtë mungesë veprimi një “boshllëk të dhimbshëm” në përpjekjen për drejtësi dhe kërkoi nga organet e drejtësisë që të veprojnë me përgjegjësi morale e kushtetuese.
“Republika e Kosovës kërkon zbardhjen e plotë të rastit të zhdukjes së Ukshin Hotit dhe drejtësi për të, sikurse për të gjithë të zhdukurit me dhunë. Ukshin Hoti është dhe do të mbetet një nga figurat më të mëdha të historisë dhe mendimit politik shqiptar”, përfundoi Kurti.