Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se partia e tij ka ofruar kompromise dhe ka qenë e gatshme për bashkëpunim, por partitë kryesore opozitare nuk kanë ndërmarrë hapa të njëjtë.
Pas përurimit të shërbimit të dializës në Podujevë, Kurti ka thënë se edhe pas këshillës së Gjykatës Kushtetuese që partitë të merren vesh mes vete, PDK-ja dhe LDK-ja kanë dorëzuar lëndë të reja në këtë gjykatë.
Ai ka theksuar se Lëvizja Vetëvendosje ka ofruar dy herë kompromise.
“I pari ka qenë që, nëse me votim të fshehtë nuk zgjidhet Albulena Haxhiu atëherë ne do të sjellim një emër tjetër. Kompromisi i dytë ka qenë që të merremi vesh për një paketë ku përfshihen kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit dhe pastaj të kthehemi te votimi i hapur. Ne kemi bërë hapa, nuk ka pasur hapa nga pala tjetër”, është shprehur Kurti.
Ai tutje ka thënë se ndonëse Gjykata ka kërkuar që partitë politike të ulen e të merren vesh, PDK-ja e LDK-ja kanë dërguar lëndë të reja në Kushtetuese.
“Kur Gjykata, përmes një vendimi paraprak, na ka thënë se marrëveshjet politike duhet të arrihen mes grupeve parlamentare, sepse ajo nuk zgjidh mosmarrëveshjet politike, menjëherë dy partitë kryesore opozitare sërish e dërguan çështjen në Kushtetuese. Nëse Gjykata thotë 'Uluni dhe merruni vesh', ti nuk shkon të dorëzosh lëndë në Gjykatë, ne nuk e kemi bërë këtë. LDK dhe PDK menjëherë kanë shkuar në Gjykatë, sikur të mos kishte pasur fare një vendim paraprak”, ka theksuar Kurti.