Arbëri

Kurti paralajmëron dy palë zgjedhje të parakohshme deri në pranverë

Albin Kurti

Foto: Driton Paçarada

Një ditë pasi ka dështuar që të marrë votat e nevojshme për t’u rizgjedhur kryeministër, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka mbajtur konferencë për media. Ai ka thënë se opozita nuk ia ka dhënë mundësinë që të vazhdojë me punët e mira, që sipas tij, i ka kryer në katër vjetët e fundit. Kurti ka folur edhe për zgjedhjet e parakohshme si dhe për mundësinë që një palë zgjedhje të mbahen edhe në pranverë

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka paralajmëruar se vendi do të shkojë dy herë në zgjedhje të parakohshme deri në pranverën e vitit të ardhshëm.

Përveç zgjedhjeve të reja, që pritet të shpallen për shkak të dështimit për të formuar qeverinë e re, Kurti ka thënë se zgjedhje do të ketë edhe në fillim të vitit të ardhshëm, pasi sipas tij, do të dështohet që të zgjidhet presidenti i ri me legjislaturën që do të dalë nga zgjedhjet që parashikohet të mbahen në dhjetor.

“Mbase është për të ardhur keq që, do të mund të kemi, përveç balotazhit edhe dy herë zgjedhje. Edhe zgjedhje në dimër edhe zgjedhje në pranverë sepse kur nuk arritëm që t`i bëjmë 61 deputetë për një qeveri të re, atëherë është vështirë e imagjinueshme që do të mund t`i bëjmë kollaj 80 deputetë, në pranverën e vitit të ardhshëm dhe i kemi katër muaj deri te zgjedhja e presidentit apo presidentes”, ka deklaruar kryeministri në detyrë, në një konferencë të hënën.

Ai ka thënë se me votimin e qeverisë që e ka propozuar të dielën ka pasur mundësi që të evitohen zgjedhjet që pritet të mbahen në dhjetor.

Presidentes Vjosa Osmani, mandati pesëvjeçar i skadon më 4 prill të vitit të ardhshëm. Sipas Kushtetutës, zgjedhja e Presidentit duhet të bëhet jo më vonë se tridhjetë ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual. Zgjedhja e Presidentit bëhet me dy të tretat  e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit, e për zgjedhjen e tij mund të zhvillohen deri në tri raunde votimi. Por, nëse në votimin e tretë asnjëri kandidat nuk zgjidhet president i Republikës së Kosovës, shpërndahet Kuvendi dhe shpallen zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen brenda dyzet e pesë ditësh.

E Kurti ka thënë se për votimin e qeverisë të dielën ka bërë përpjekjet maksimale. Ai ka thënë se nuk i ka rënë pishman që ofertë për bashkëqeverisje i ka bërë Lidhjes Demokratike të Kosovës, që në Kuvend është e përfaqësuar me 20 deputetë si dhe Nismës Socialdemokrate që ka siguruar tri ulëse në legjislaturën e nëntë.

“Më politikë përveç mospajtimeve janë edhe çuditë. Unë nuk po e kuptoj saktësisht Lidhjen Demokratike të Kosovës, t`ua them sinqerisht. Nuk duan qeveri që udhëhiqet nga LVV dhe unë. Nuk duan ta formojnë qeverinë e tyre me partitë e tjera opozitarët. Por synojnë zgjedhje të reja ku përsëri do ta përsërisin atë sloganin që ne dalim të parët. Por, nuk dalin të partë. Është një çikë e çuditshme për mua kjo zgjedhje. O bë koalicion si i treti me të parin, o bë koalicioni me të dytin kundër të parit, diçka duhet të bësh”, ka thënë Kurti.

Përveç LDK-së e Nismës, ofertë për bashkëpunim ka thënë se nuk u ka bërë subjekteve të tjera politike, pasi sipas kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje “tjetër çka nuk është mirë për shtetin”.

Sipas Kurtit, refuzimi i ofertës nga Lidhja Demokratike e Kosovës nuk lidhet me gjuhën që ai ka përdorur kundër oponentëve politikë. Ai ka thënë se refuzimi ka të bëjë me “pazare, kumari dhe interesa”. 

“Problemi i mospajtimeve nuk ka të bëjë me gjuhën që përdoret. Sepse çka i kanë thënë këta njëri-tjetrit e janë bërë bashkë do të ishte e pashpjegueshme. Janë në pikëpyetje ose në pyetje interesat. Lëvizja Vetëvendosje në qeverisje, unë si kryeministër duket që duke bërë gjëra të mira për Kosovën kam prishur disa pazare e kumari. Por ky s`ka qenë qëllimi im, qëllimi im nuk ka qenë që t’ua prish atyre pazaret dhe kumarit, qëllimi im ka qenë që të bëjë mirë për Kosovën e tash që duke bërë mirë për Kosovën disa i humbi privilegjet nga pazaret dhe kumaritë, s`kam çfarë u bëj dhe ankesat e tyre nuk mund të më ndalin mua dhe as qeverinë e Republikës së Kosovës, qoftë në detyrë ose fuqiplotë”, ka thënë kryeministri në detyrë në konferencën e mbajtur të hënën.

Duke pas parasysh atmosferën që ka shoqëruar sferën politike që nga certifikimi i zgjedhjeve të 9 shkurtit e deri në dështimin e parë për formimin e Qeverisë së re, Kurti ka thënë se nuk sheh mundësi që bashkëpunim me subjektet politike te ketë pas zgjedhjeve që eventualisht mund të mbahen në dhjetor. 

“Sa u përket koalicioneve, për besë, mbas këtyre tetë muajve unë nuk e di qysh mund të pyesin për koalicione. Domethënë është më vështirë tash të bëhen koalicionet pakrahasimisht sesa mund të themi para 8-9 muajve apo një viti, për shkak të vonesave dhe pengesave që janë shkaktuar”, ka thënë ai.

Të dielën e 26 tetorit, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, si i mandatuar për kryeministër, paraqiti para kuvendit përbërjen e kabinetit qeveritar, e cila dështoi të marrë përkrahjen e nevojshme.
Ndonëse më herët i pati kritikuar partitë e tjera për numër të madh të ministrive, Kurti në planin për mandatin e ri i ka përfshirë 19 sosh, 4 më shumë sesa në atë paraprak.

Një ditë pas propozimit të bërë Kuvendit, në konferencën për media, Kurti ka thënë se rritja e numrit të ministrive është bërë për të rritur efikasitetin e tyre.

“Unë besoj që do të rritjet efikasiteti në bazë të përvojës që kemi. Më duhet ta pranojë, më mirë është Ministria e Punëve të Brendshme të jetë e ndarë prej Administratës Publike dhe është e rëndësishme që me Administratën Publike të jetë digjitalizimi. Janë bërë punë të mira. Njësoj vlen edhe për Infrastrukturën me Transportin në njërën anë dhe për Planifikimin Hapësinor dhe Mjedisin në anën tjetër”, ka thënë Kurti.

Në listën e të nominuarve për udhëheqës të dikastereve ministrore janë përfshirë emra të rinj, teksa janë lënë jashtë ai i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, i ministres në detyrë të Tregtisë e Industrisë, Rozeta Hajdari, i ministrit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi dhe ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci. 

Për postin e ministrit të Infrastrukturës, Kurti ka propozuar kryetarin e Kuvendit, Dimal Basha, e nënkryetarin nga radhët e komunitetit serb, Nenad Rashiqi për ministër për Komunitete e Kthim. Ministren e deritanishme e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla e ka propozuar që ta marrë drejtimin e Ministrisë së Drejtësisë, e cila më parë është udhëhequr nga Albulena Haxhiu, tash nënkryetare e Kuvendit.

Këto lëvizje, sipas Kurtit, nuk janë bërë për shkak të vlerësimeve apo jo të punës së tyre, por për shkak të nevojës e planeve që Lëvizja Vetëvendosje ka. 

“Nuk ka të bëjë me gjykim ndëshkues të asaj çfarë kam prezantuar unë dje”, ka thënë ai. “Emrat e përveçëm nuk janë rezultat i ndonjë vlerësimi apo mos vlerësimi por janë kryekëput çështje e fazës që na pret për planet dhe programin tonë. Rrjedhimisht, të këtilla plane kemi edhe për emrat e përveçëm që u thanë këtu, për znj. Arbërie Nagavci, për znj. Rozeta Hajdari, për z. Besnik Bislimin. Ne do të jemi bashkë në këtë ecjen tonë por kush, ku edhe kur, këto janë diskutime që nuk kanë të bëjnë me vlerësimin ose mosvlerësimin tim, por me fazat që na presin”.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në mungesë të ndonjë marrëveshjeje bashkëpunimi, nuk ka arritur që të marrë 61 votat e nevojshme, sa më së paku i duhen një mandatari për të kaluar suksesshëm votimin në Kuvend. Nga 112 deputetë sa morën pjesë në votim, 56 kanë votuar pro, 52 kundër dhe katër kanë abstenuar.

Sipas Kushtetutës, pas dështimit të votimit të suksesshëm të mandatarit të parë, presidentja Vjosa Osmani ka kohë 10 ditë që të zhvillojë diskutime e të caktojë mandatarin e dytë. 

Mandatari i dytë ka kohë 15 ditë të tjera që të prezantojë programin e përbërjen e qeverisë së re. Por, në rast se edhe i caktuari i dytë për kryeministër nuk merr votat e nevojshme, presidentja duhet të shpallë zgjedhjet, e që duhet të mbahen brenda 40 ditësh nga dita e shpalljes së tyre.