Kryeministri në detyrë Albin Kurti, ka thënë se për arritjen e një marrëveshje me Serbinë trysnia duhet të jetë mbi Beogradin, ndërkohë që ka shtuar se e mirëpresin rolin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), që paraqesin sipas tij aleatin kryesor të Kosovës.
“Unë besoj që normalizimi është i mundur, trysnia duhet të jetë mbi Beogradin dhe gjithmonë e mirëpresim rolin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat paraqesin aleatin tonë kryesor, partnerin e pazëvendësueshëm dhe mikun special në tri fusha kryesore, e para është mbrojtja, e dyta diplomacia dhe e trata është zhvillimi”, ka deklaruar Kurti, tek ka komentuar deklaratat e presidentit amerikan Donald Trump, i cili derisa ka thënë se ka Irani dhe Izraeli duhet dhe do të arrijnë marrëveshje, ka përmendur edhe konfliktin mes Kosovës dhe Serbisë, duke shtuar se gjatë mandatit të tij të parë “kishte ndaluar mundësinë e eskalimit të situatës”. Trump ka theksuar se ish-presidenti Joe Biden “e ka dëmtuar perspektiven afatgjate me disa vendime shumë të gabuara, por unë do ta rregulloj sërish”.
Kurti pas vënies së gurit themeltar të QKMF-së në Shtime, ka theksuar se është e domosdoshme që Serbia të ndërmarrë tri veprime për të arritur një marrëveshje për normalizim.
“Ne kemi një marrëveshje bazike me Serbinë e cila po shkelet nga Serbia dhe natyrisht që për të normalizuar marrëdhëniet në mes të dy vendeve tona është e domosdoshme që ata së pari t’ua dorëzojnë autoriteteve tona Milan Radoiçiqin, kryekriminelin i cili na e vrau rreshterin Afrim Bunjaku, më pastaj të pranojnë ta nënshkruajnë Marrëveshjen bazike me Aneksin e zbatimit dhe njëkohësisht ta tërheqin atë letrën nga dhjetori i vitit 2023 kur ish-kryeministrja Bërnabiq pati thënë se nuk e respekton integritetin territorial Kosovës”, ka deklaruar Kurti.
Kurti: Nuk e di pse vijnë në Kuvend ata që e bojkotojnë votimin
Kryeministrit në detyrë gjithashtu ka folur edhe për bllokadën e krijuar në Kuvend.
Ai ka thënë se Kosova ke qeveri, “e cila është qeveri në detyrë dhe e cila i ka kompetencat e kufizuara”, por sipas tij Kosovës i mungon Kuvendi.
“Ajo që nuk ka Kosova është parlamenti i Republikës, unë çdo herë shkoj aty që ta konstituoj Kuvendin, ata që vinë por bojkotojnë duke mos votuar, nuk e di pse vinë. Ardhja në vazhdimin e seancës dhe bojkotimi i votimit për bindjen time, politikisht është sjellje e papërgjegjshme e juridikisht është shkelje e kushtetuese”, është shprehur Kurti.
Ai ka thënë konstituimi i Kuvendit nuk është përgjegjësi vetëm e mazhorancës.
Edhe tentimi i 32-të për konstituimn e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës, që është mbajtur të dielën ka rezultuar i dështuar.
Në seancë ishin 75 deputetë në sallë, pro formimit të komisionit për votim të fshehtë për zgjedhjen e e kryetarit të Kuvendit votuan vetëm 45 deputetë, kundër 1, e abstenime s’pati.