Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kurti për Ukshin Hotin: Sa mirë po ta kishim të gjallë, por vepra e tij vazhdon të na ndriçojë rrugën

Albin Kurti

Në 27-vjetorin e zhdukjes së veprimtarit dhe intelektualit shqiptar Ukshin Hoti, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, të shtunën vizitoi Shtëpinë Muze në Krushë e Madhe, duke thënë se ai mbetet një nga mendjet më të ndritura shqiptare dhe një personalitet me vlerë universale në mendimin politik.

Kurti u shoqërua nga djali i Ukshin Hotit njëherësh ministër në detyrë për Punë, Familje dhe Vlera të luftës çlirimtare, Andin Hoti.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Një mendje jashtëzakonisht e ndritur e shqiptarëve, dhe jo-vetëm, për shkak se teoritë politike të tij kanë vlerë universale dhe padyshim lexohen e do të studiohen edhe nga popujt e tjerë”, deklaroi Kurti, sipas njoftimit të Zyrës së kryeministrit.

Kurti u shpreh se me shumë dhimbje e kujtojnë ditën e 16 majit 1999, kur Ukshin Hoti u lirua nga burgu i Dubravës dhe më pas u zhduk pa gjurmë.

“Me shumë pikëllim e dhimbje kujtojmë ditën kur para saktësisht 27 viteve profesor Ukshin Hoti u lirua nga burgu i Dubravës, vetëm dhe vetëm që më pastaj të zhdukej dhunshëm dhe sot e kësaj dite ne të mos dimë gjë për të”, ka thënë ai.

Kurti theksoi se trashëgimia intelektuale e Hotit mbetet e gjallë dhe se Qeveria e Kosovës tashmë ka marrë vendim për botimin e veprave të tij.

“Profesor Ukshini na ka lënë veprën e tij, e cila duhet të rilexohet. Nuk mjafton të lexohet, vetëm rileximi është lexim”, u shpreh Kurti.

Sipas tij, aktualisht po mblidhen materiale dhe dokumente për veprën e Hotit nga qytete dhe institucione të ndryshme, përfshirë Beogradi, Zagrebi dhe Universiteti Harvard, ku Hoti kishte studiuar dhe vepruar.

Kurti tutje u shpreh se vizita në Shtëpinë Muze ngjall emocione të forta dhe krenari për figurën e Ukshin Hotit.

“E, kur vimë këtu te Shtëpia Muze dhe i shohim fotografitë e tij, disa prej tyre për herë të parë, na ngjallin shumë ndjenja të përziera. Në njërën anë, përplot pikëllim sepse sa mirë ta kishim të gjallë e aktiv e aktual. Por, në anën tjetër, edhe krenarë sepse lum që e patëm dhe padyshim që na ndriçon rrugën përpara, porsi rilindësit e tjerë të kombi tonë”, deklaroi ai.

Ukshin Hoti u arrestua në vitin 1994 për aktivitetin e tij politik dhe u dënua me pesë vjet burgim. Më 16 maj 1999, një ditë para përfundimit të dënimit, ai u nxor nga Burgu i Dubravës dhe që nga ajo ditë rezulton i zhdukur.

Lexo përditësimet tjera
Ukshin Hoti

Haxhiu: Derisa fati i Ukshin Hotit mbetet i pandriçuar, drejtësia për të zhdukurit mbetet e paplotë

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka thënë se drejtësia për të zhdukurit me forcë...