Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, është përgjigjur rreth vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me seancën konstituive, pasi më herët të enjten nuk komentoi me arsyetimin se po e pret publikimin e aktgjykimit të plotë.
Ai ka thënë se nuk e zë askush karrigen e zbrazët për nënkryetarin nga komuniteti serb, teksa theksoi se po i bëhet dëm Kosovës nga moskonstituimi.
“Sa i përket aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, ne duhet ta shohim atë në mënyrë të plotë për të dhënë vlerësimin tonë, por ajo që mund të them tani është se konsideroj që është humbje kohe dhe dëm që nuk po funksionon Kuvendi i Republikës së Kosovës. Kuvendi i Republikës e ka zgjedhë kryetarin Dimal Bashën, i ka zgjedhë katër nënkryetarët Albulena Haxhiun, Vlora Çitakun, Kujtim Shalën dhe Emilja Rexhepin askush nuk është duke e zënë karrigen e zbrazët për nënkryetarin nga radhët e komunitetit serb. Është dashur të vazhdoj puna e Kuvendit sepse shteti i Kosovës nuk ka kohë për të humbur”, ka thënë Kurti pas inaugurimit të një çerdheje në Shtime.
Ndërsa, sa i përket çështjes së votimit në pako të nënkryetarëve të komuniteteve, Kurti ka shtuar se nuk mund të kthehet mbrapsht votimi i përfunduar.
“Emilja Rexhepi është nënkryetare e Kuvendit të Republikës së Kosovës, nuk mundet votimi për Emilja Rexhepin të anulohet, prandaj ne kemi ngelur te nënkryetari i fundit nga komuniteti serb por mos harroni nuk janë serb vetëm ata të Listës Serbe, serb është edhe Nenad Rashiq. Në njërën anë përfaqësuesi i Listës Serbe i mori veç 10 vota, a Nenad Rashiq i mori 56, veç 5 vota të ia jepshin këta 52 që janë të opozitës sot nuk ishim duke i bërë këto pyetje dhe këto përgjigje”.
Kurti s’e komenton vendimin e Kushtetueses: E presim aktgjykimin e plotë
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, është përgjigjur shkurt, “po e presim aktgjykimin”, kur u pyet rreth vendimit të Gjykatës Kushtetuese se seanca konstituive e Kuvendit nuk ka përfunduar dhe se ajo duhet të përfundojë brenda 12 ditëve.
Gjykata Kushtetuese më 30 shtator ka publikuar njoftimin për vendimin për seancën konstituive pas ankesës që e kishte marrë nga Lista Serbe, konkretisht lidhur me votimin ndaras të kandidatëve për nënkryetarë të Kuvendit nga radhët e pakicave.
Në fund të gushtit, kryeparlamentari Dimal Basha e ka shpallur të konstituuar legjislaturën e nëntë, edhe pse dështoi votimi për një nënkryetar nga komuniteti serb.
Gjykata ka thënë se seanca konstituive nuk ka përfunduar atë ditë e në arsyetim ka dhënë moszgjedhjen e nënkryetarit serb.
Në vendim, Gjykata nuk e ka konsideruar në asnjë pikë jokushtetuese ndarjen e votimit për nënkryetarët nga komunitetet.
Në vendimin e saj, Kushtetuesja ka urdhëruar të gjithë deputetët që gjatë procedurës së zgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e deputetëve të komunitetit serb, të ushtrojnë funksionin e tyre në interesin më të mirë të Kosovës dhe në pajtim me Kushtetutën.
Gjykata nuk e ka publikuar ende aktgjykimin e plotë.