Arbëri

Kurti: Serbia dëshiron ta eskalojë situatën

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se tensionet e fundit në veri janë shkaktuar nga deklarimet nxitëse në Beograd. Ai ka thënë se Serbia dëshiron ta eskalojë situatën.

Sot në Zubin-Potok u dogj ndërtesa e Qendrës së Regjistrimit të Automjeteve, ndërsa ajo në Zveçan u sulmua. Incidentet kanë ndodhur në ditën e gjashtë të tensioneve në veri, qëkur serbët kanë bllokuar rrugët kufitare në Bërnjak e Jarinjë, pasi që Qeveria e Kosovës nisi zbatimin e reciprocitetit për targat e veturave nga Serbia. Tash e tutje veturat me targa serbe kur futen në Kosovë, duhet të marrin targa të përkohshme RKS në çdo pikë kufitare. Qeveria e Serbisë ka mbi 10 vjet që aplikon këtë masë për targat e Republikës së Kosovës.

“Serbia po provokon konflikt serioz. Ftesës së Brukselit për bisedime i jemi përgjigjur pozitivisht, prandaj provokimet e tilla, pengesat dhe bllokadat e krijuara, përfshirë edhe sulmet janë të tilla sepse frika dhe kaosi ka qenë e vetmja formë e mbijetesës të saj”, ka thënë ai në një konferencë të jashtëzakonshme për media.

Ai ka potencuar se qytetarët në veri pa dallim përkatësie nuk duhet të frikësohen.

“Paramendoni se çka do të ngjante me pikat kufitare aty ku nuk do ishte policia. Sulmet janë dëshmi qe është synuar në pikat kufitare. E mbani mend kur ne shpalljen e pavarësisë i patën djegur”.

“Sot u vërtetua se ne kemi pika kufitare sepse kemi Njësitë Speciale të policisë. Njësitë tona po i mbrojnë edhe pikat kufitare edhe policët. Asnjë incident në pikët kufitare në ditën e gjashtë. Aty ku nuk ka pasur polici ka rrezik për incidente e një i tillë ndodhi. 6 ditë zbatim të masave pas vendimit të Qeverisë e asnjë incident sepse ka pasur policë të Kosovës. Dhjetëra mijëra qytetarë kanë ardhur nga territori i Serbisë në Republikën e Kosovës, duket që këtu e kanë hallin zjarrvënësit nga Beogradi. Ata që i djegën deshën që të mos kenë ku të pajisen me targa. Kurrë s’ka qenë më i lartë morali i pjesëtarëve të Policisë e profesionalizmi i tyre është i lartë”, ka theksuar tutje Kurti.

Kurti ka thënë se njësitë speciale të Policisë do të qëndrojnë në veri derisa “të pushojë rreziku”.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se vendimi për t’u pajisur me targa të përkohshme është duke u zbatuar në tërë territorin e Kosovës, dhe se deri më tani janë lëshuar mbi 9 mijë targa të përkohshme.

"Pajisja me targa bëhet në pikat kufitare 7 ditë në javë e në qendrat në vikend nuk janë të hapura. Sot pasmesnate në një akt kriminal është djegur qendra në Zubin Potok dhe në të njëjtën kohë edhe dy bomba dore janë hedhur në Qendrën e Regjistrimit në Zveçan. Drejtoria e Krimeve të rënda nga Drejtoria e Policisë së Kosovës është duke e hetuar rastin dhe presim rezultate të shpejta nga këto hetime”, ka thënë Sveçla.

Ai ka theksuar se dy rrugët që çojnë në Bërnjak e Jarinjë janë të bllokuara për vetura.

“Ne kemi dëshmi që institucione të ndryshme të Serbisë po u bëjnë presion qytetarëve tanë të bashkohen në protesta e këto iniciativa janë duke iu dështuar.”

Ministri i Punëve të Brendshme ka deklaruar se janë duke u angazhuar në zbatim të ligjit dhe do të vazhdojnë “përkundër veprimeve destruktive që ballafaqohemi, i bëjmë thirrje qytetarëve të mos bien pre e provokimeve të ndryshme”.

Para mediave, Kurti ka deklaruar se kanë pasur ofertë nga faktorët ndërkombëtare që të shkojnë në Bruksel për të diskutuar, mirëpo kjo është refuzuar nga Beogradi, duke thënë se kushtet e Serbisë “nuk kemi si t’i pranojmë”.

“Ju e dini shumë mirë edhe qëndrimin tim si kryeministër për Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe e dini që nuk ka vend në Kushtetutën e Kosovës, dhe e keni vendimin e Gjykatës që secili prej 7 kapitujve të nënshkruar edhe nga pushteti i atëhershëm në Kosovë. Policia është mekanizëm i shtetit që zbaton ligjin, në Serbi është një regjim hibrid dhe nuk është demokratik, ne natyrisht duke pasur përballë një kundërshtar të tillë nuk befasohemi kollaj”, ka theksuar ai.

“Mendoj që faktorët ndërkombëtarë duhet të kuptojnë që Serbia nuk është e interesuar për dialog të hapur dhe fqinjësi të mirë.”

I pyetur për vendimet e fundit, ministri Sveçla ka thënë se janë sovrane dhe të bazuara në profesionalizëm, dhe se kanë qenë paraprakisht të njoftuar partnerët ndërkombëtarë.

“Kjo ka qenë e ditur sepse më 15 shtator ka skaduar afati i marrëveshjes për targa. Nuk ka asnjë arsye ligjore që ndalon Njësitë e Policisë t’i kryejnë të gjitha obligimet”.