Arbëri

Krasniqi s’pret ndryshim të situatës as pas takimit me Kurtin

Memli Krasniqi

Foto: Driton Paçarada

(09:35) - Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se nuk pret asnjë ndryshim të situatës as pas takimit që pati me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për gati një orë para nisjes së seancës së sotme.

Krasniqi ka shtuar se PDK-ja nuk i heziton asnjëherë dialogut, por tregoi se nuk ka pasur ndonjë avancim në takimin që pati me Kurtin.

“Kurtit i thashë se është mirë të propozojë tjetër kandidat. Ne jemi të interesuar ta zhbllokojmë këtë situatë. Ne nuk japim propozime. I takon atij (Kurtit) me dhënë propozime. Nuk besoj që ka ndryshuar si situatë (as pas takimit). PDK-ja asnjëherë nuk i heziton dialogut. Ne paraqesim qëndrimet tona”, ka thënë kryetari i PDK-së, i cili shtoi se pozita e nënkryetarëve nuk është as afërsisht e krahasueshme me kryeparlamentarin.


Nis takimi i Kurtit me Krasniqin

(08:35) - Ka nisur takimi i kryeministrit në detyrë Albin Kurti me kryetarin e Partisë Demokratike (PDK), Memli Krasniqi, para tentativës së nëntë për konstituim të Kuvendit.

Ftesa për takim nga Kurti iu dërgua edhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, por e refuzoi.


Kurti sot takon Krasniqin, para tentimit të nëntë për konstituim të Kuvendit

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministër në detyrë, Albin Kurti, sot pritet të takojë kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi.

Takimi pritet të mbahet në ambientet e Kuvendit në orën 8:30, para vazhdimit të nëntë të seancës konstitutive, që pritet të mbahet në orën 10:00.

Në përpjekjen e tetë për konstitutimin e Kuvendit, e cila është mbajtur të martën, kandidatja për kryeparlamentare e propozuar nga LVV-ja, deputetja Albulena Haxhiu, ka dështuar të zgjidhet për herë të gjashtë. 

Pas kësaj të mërkurën Kurti, i ka ftuar në takim Krasniqin, dhe kryetarin e Lidhjes Demokratike (LDK), Lumir Abdixhiku.

Nga LDK-ja kanë thënë se as Abdixhiku e as dikush tjetër nga LDK-ja nuk do të shkojnë në takimin e thirrur nga Kurti.