Dy prej posteve ministrore në kabinetin qeverisës që nuk ka marrë votat e mjaftueshme, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i kishte ndarë për dy udhëheqësit e Kuvendit, kryetarin Dimal Basha e nënkryetarin Nenad Rashiq. Propozimi i Bashës për ministër është kritikuar nga partitë deri tash në opozitë, por në Vetëvendosje kanë thënë se emri i tij për ministër të Infrastrukturës ishte vendosur para zgjedhjes së tij në krye të Kuvendit
Fiks dy muaj pasi është zgjedhur në krye të Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha është propozuar për ministër të Infrastrukturës e Transportit në qeverinë që ka dështuar ta formojë Lëvizja Vetëvendosje të dielën.
Basha, ishte në mesin e 20 anëtarëve të kabinetit qeveritar në krye me të mandatuarin për kryeministër Albin Kurti, të cilët nuk kanë marrë besimin e deputetëve.
Sipas deputetit të PDK-së, Memli Krasniqi, me propozimin e Kurtit i befasuar është ndarë edhe vetë Basha.
“Kur ia përmendi emrin ai u zu si në befasi filloi me pyet më duket Albulena Haxhiun pse jam... s’jam i sigurt që e ka ditë që ka me iu përmend emri. Po ishte shpërfillja e radhës ndaj Kuvendit e Albin Kurtit. Qysh bre e qet ti kryetarin e Kuvendit me i thanë hajde tash bonu ministër? A je pishman? A ke bo gabim? A ke bo hajgare?”, ka deklaruar Krasniqi pas seancës.
Kryekuvendari nuk është deklaruar për pzopozimin, e deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, ka thënë se emri i Bashës për ministër ishte vendosur para se ai të zgjidhej në postin që mban.
Sipas Muratit, propozimi i Bashës për kryetar të Kuvendit ka qenë i imponuar nga deputetët deri tash në opozitë, të cilët nuk kanë pranuar të votojnë kandidaten e tyre, Albulena Haxhiu.
“Unë nuk mund të flasë mbi situatat hipotetike sa i përket se çfarë do të ndodhte në të ardhmen, për neve zgjedhja e parë ka qenë Albulena Haxhiu, e dini sagën. Ka qenë votim që nuk është mbështetur nga partitë e tjera. Z. Dimal Basha aktualisht është kryetar i Kuvendit dhe vazhdon ta mbajë këtë pozitë të tillë meqenëse nuk kemi një votim të suksesshëm të kabinetit qeveritar”, ka thënë ai.
E kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, që LVV-së i ka vënë kusht postin e kryekuvendarit për bashkëpunim, është shprehur kundër mbajtjes së çfarëdo posti nga Basha.
“Dimal Basha nuk duhet të ketë asnjë post publik dhe ai duhet të japë dorëheqje, sepse është dëm i madh, është turp për Kosovën”, ka thënë Limaj.
Propozimin e kryetarit të Kuvendit, Dimal Basha, për ministër nuk ka pranuar ta komentojë deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami.
Por kolegu i saj nga LDK-ja, Lutfi Haziri, propozimet e Kurtit për anëtarë të qeverisë së re, i ka konsideruar kaotike.
“Propozime kaotike, interesante por krejt kaotike për një kabinet që nuk e merr besimin është vlerësim shumë i rëndë për propozuesin”, ka thënë ai.
Përveç kryetarit Basha, edhe nënkryetari i Kuvendit, Nenad Rashiq është propozuar si ministër. Ndonëse nënkryetar u zgjodh një muaj e gjysmë më parë, Rashiqi është propozuar ministër për Kthim dhe Komunitete, post të cilin e ka mbajtur deri tash.
Deputeti i Vetëvendosjes, Hekuran Murati, ka thënë se për të plotësuar postin e Rashiqit në Kuvend do të zhvillohej procedura e njëjtë siç është bërë një muaj e gjysmë më parë.
“Çka është e rëndësishme e që po besoj kjo do të duhej të ishte lajmi i mirë është që për herë të parë pas sa e sa vitesh, pas më shumë se një dekade, Kuvendi nuk varët më nga Lista Serbe, as për votat e tyre për të formu institucionet e as në pozita kyçe siç është kryesia e Kuvendit”, ka thënë Murati.
I mandatuari për kryeministër, Albin Kurti, nuk ka arritur t’i sigurojë votat e mjaftueshme për votimin e suksesshëm të qeverisë së prezantuar. Nga 112 deputetë sa morën pjesë në votim, pro kabinetit qeveritar të propozuar nga ai, votuan 56.