Arbëri

Kurti thotë se të akuzuarit për Banjskën janë më afër Vuçiqit sesa mbrojtja e afërt

Banjska

Foto: Ilustrim

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar që Milan Radoiçiq dhe 44 të tjerët të akuzuar për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator të vitit 2023, gjatë të cilit u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku, t'i dorëzohen Kosovës. 

Kurti gjatë një prononcimi për gazetarë në Prishtinë tha se ata që kryen sulmin në Banjskë tash janë duke qëndruar më afër presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, sesa mbrojtja e tij e afërt. 

Në rrjete sociale janë publikuar disa persona para ndërtesës së Presidencës së Serbisë, fotografi të bëra gjatë të shtunës, për të cilët është pretenduar se janë në mesin e të akuzuarve për sulmin në Banjskë. 

“Ne kërkojmë dorëzimin e kryekriminelit, kryeterroristit Milan Radoiçiq me 44 paramilitarëve të tjerë që morën pjesë në sulmin terrorist e kriminal në shtator të vitit 2023. Të njëjtit janë edhe më afër se mbrojtja e afërt e presidentit të Serbisë. Tregon se kemi pasur të drejtë kur kemi thënë se ky grup kriminal e terrorist është i dirigjuar, financuar nga Beogradi dhe nuk është një grup huliganësh”, ka thënë Kurti. “Ata janë njerëz që janë ushtruar në Serbi, i marrin urdhrat nga andej dhe kanë bërë agresion në Kosovë. Prandaj, duhet dorëzuar në Kosovë”.