Kryetarja e subjektit politik Alternativa, Mimoza Kusari-Lila thotë se ideja e Lidhjes Demokratike të Kosovës për qeveri trancizionale nuk është e mirë as për qytetarët dhe as nuk i sjell dobi vendit, raporton KosovaPress.
Deputetja Kusari-Lila, e cila në zgjedhjet e 9 shkurtit garoi në listën e Lëvizjes Vetëvendosje, tha se në këto momente fokusi duhet të jetë tek procesi i konstituimit të Kuvendit të Kosovës.
“Nuk është në rregull...Të pasurit të gjitha partitë bashkë në qeverisje nuk e besoj që është në të mirë as të qytetarëve dhe as që do t’i sjellë ndonjë dobi vendit. Megjithatë, unë mendoj se para se të shkojmë tek ajo pikë tek diskutimi për koalicionin qeverisës duhet fokusuar tek ajo se çfarë po ndodh me procesin në Kuvend në vazhdimësi çdo 48 orë ne jemi duke mos pasur kuorumin për votim procedural përkundrejt faktit që po del se është kandidatja apo propozimi i LVV-së që po dështon nuk është ashtu. Ju e dini që po dështon votimi për formimin e komisionit për votimin e fshehtë“, tha ajo.
Kusari-Lila pak para se të nisë seanca për konstituim të Kuvendit të Kosovës e cila po mbahet për herë të 12-të tha se për zhbllokim të ngërçit politik duhet diskutime të mëtutjeshme me subjektet politike.
