Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka renditur disa kërkesa që duhet të plotësohen nga Lëvizja Vetëvendosje nëse do ndihmën e saj për formimin e institucioneve.
Kryetari i AAK-së, Ardian Gjini, ka thënë se partia e tij nuk synon pjesëmarrje në qeveri, por se ka disa kërkesa nëse dikush i kërkon ndihmë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoGjashtë kërkesat që Gjini i paraqiti për institucionet e reja:
1. Orientimi strategjik dhe gazi amerikan: Pranimi i menjëhershëm i projektit të gazit amerikan si një projekt i rëndësisë jetike për orientimin afatgjatë të shtetit.
2. Pavarësia energjetike: Nisja e menjëhershme e procedurave për ndërtimin e termocentralit me thëngjill, për të garantuar zhvillim ekonomik dhe ulje të inflacionit.
3. Lehtësime për bizneset e vogla: Ngritja e menjëhershme e pragut të TVSH-së nga 30,000 në 100,000 euro, për të çliruar potencialin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.
4. Mbështetje për bujqësinë: Lirimi i plotë i tokës së punuar nga tatimi në pronë, me qëllim nxitjen e punimit të tokës dhe përkrahjen direkte të bujqve.
5. Buxhetimi i infrastrukturës: Financimi i plotë buxhetor i projekteve të infrastrukturës jetike në Kosovë, të cilat aktualisht kanë mbetur të pezulluara në mungesë të mjeteve.
6. Fondi emergjent për kryeqytetin: Ndarja e 800 milionë deri në 1 miliard eurove për Prishtinën, e cila, sipas tij, po bëhet e pajetueshme në mungesë të investimeve kapitale.
"Ne e mbështesim cilëndo marrëveshje mes partive. Në një vend normal, me politikanë të përgjegjshëm, nuk do të ishte fare e rëndësishme se a zgjidhet së pari presidenti apo qeveria. Kur kjo bëhet temë bllokade, është shkelje e kushtetutës", ka thënë Gjini, duke shtuar se pikat mbeten të panegociueshme për mbarëvajtjen e procesit.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, për mundësinë e kandidimit të Ramush Haradinajt për president ai tha se nuk e kanë vendosur si kusht, por se ai do të ishte president më i mirë.
"Nëse ka nevojë për kuorum, do ta bëjmë kuorumin. Nuk kërkojmë asgjë. Nëse Ramush Haradinaj do të kandidohej për president nuk do të ndryshonte kjo formulë, do të ishte nder, por nuk e kemi vendosur këtë si kusht. Ne mendojmë se Kosova nuk do të mund të kishte president më të mirë se Ramush Haradinaj tash, por ne nuk duam ta bllokojmë vendin. Jemi të gatshëm ta bëjmë kuorumin dhe nuk kemi asnjë kusht vetjak", tha ai.
I pyetur se a ka pasur ftesë nga Lëvizja Vetëvendosje për një koalicion, ai e mohoi atë dhe tha se edhe nëse do të marrin ftesë nuk do ta pranojë.
“A do të votohet një person që kërkon të bëhet diçka, apo do të bëjnë marrëveshje partitë politike? Lirisht le ta bëjnë. Ne nuk jemi kundër që partitë të bëjnë marrëveshje politike, por nëse do të duhet Aleanca ta zhbllokojë ngërçin, ne nuk do ta bëjmë vetëm pse një person po kërkon të bëhet kryeministër apo president. Do ta bëjmë vetëm nëse ka një zotim të pastër, të shkruar, për këto që i thashë”, tha ai.
E i pyetur se nëse AAK do të realizojë takime me PDK dhe LDK për të bashkuar kushtet karshi Vetëvendosjes, ai tha se janë të gatshëm por jo për takime me fokus në pozita.
“Jemi të gatshëm të takohemi me partitë politike… Nuk kemi kurrfarë droje të takohemi me partitë politike. Përkundrazi, takimet dhe diskutimet janë të vlefshme, por jo në takime ekskluzive vetjake. Ne nuk e pranojmë këtë, sepse duke u fokusuar se kush po e merr presidentin, Kosova po mbetet vendi më i pazhvilluar. Aleanca nuk pajtohet me këtë fakt”, tha ai.