Arbëri

Kushtetueses i kërkohet konstatimi i “rolit të shtetit” në vrasjen e Sebahate Morinës

tentimvrasje

Rreth 5 muaj pas vrasjes së Sebahate Morinës nga bashkëshorti i saj, këtë të martë është dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës kërkesa përmes së cilës propozohet të konstatohet shkelja e së drejtës për jetën.

Vajza e së ndjerës, e cila edhe kishte raportuar më parë edhe dhunën që ish- bashkëshorti i Sebahates ushtronte mbi të, ka propozuar të konstatohet se mosveprimet e autoriteteve shtetërore kanë shkelur të drejtën për jetën.

Kjo kërkesë është realizuar në bashkëpunim me Qendrën për Ndihmë Juridike falas të Institutit të Kosovës për Drejtësi, me Rrjetin e Grave të Kosovës, të cilët edhe më parë kanë publikuar një raport ku kanë gjetur se institucionet e vendit kanë privuar nga jeta Sebahaten duke mos vepruar.

“Ndryshe, që nga 14 marsi 2021, kur e ndjera Sebahate Morina u vra, institucionet përgjegjëse ende nuk kanë ndërmarrë kurrfarë masash për ta adresuar përgjegjësinë institucionale në këtë drejtim. Për më tepër, edhe institucioni i Avokatit të Popullit në fund të muajit prill 2021 ka publikuar Raportin përkitazi me detyrimet pozitive të shtetit për të drejtën në jetë dhe mbrojtjen nga dhuna në familje, ku ka konstatuar shkeljet nga institucionet përgjegjëse shtetërore në këtë rast”, thuhet në njoftimin e Institutit të Kosovës për Drejtësi.

11 ditë pasi vajza e viktimës Sebahate Morina kishte paraqitur dhunën ndaj nënës së saj, ajo ishte vrarë nga ish-bashkëshorti i saj në lagjen “Emshir” në Prishtinë, i cili më pas bëri vetëvrasje.

Ish-bashkëshorti i viktimës, Lulëzim Sopi, kishte qenë edhe në paraburgim për dhunë në familje dhe kishte në fuqi një urdhër-mbrojtjeje.