Gjykata Kushtetuese i ka dhënë afat shtesë edhe 34 ditë Kuvendit të Kosovës për zgjedhjen e presidentit të ri.
Kushtetuesja i ka shpallur të pranueshme kërkesën e kryeministrit Albin Kurti në emër të Qeverisë dhe atë të Arbërie Nagavcit në emër të 30 deputetëve dhe ka konstatuar se dekreti i presidentes Vjosa Osmani për shpërndarje të Kuvendit nuk prodhon asnjë efekt juridik.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoGjykata ka konstatuar se deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës nga dita e hyrjes në fuqi të këtij Aktgjykimi kanë tridhjetë e katër (34) ditë për të zhvilluar dhe përfunduar procedurën e zgjedhjes së Presidentit të Republikës së Kosovës.
Gjithashtu ka konstatuar se në rast se Kuvendi dështon të zgjedhë presidentin brenda periudhës 34 ditëshe, bazuar në nënparagrafin 3 të paragrafit 1 të nenit 82 [Shpërndarja e Kuvendit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Kuvendi shpërndahet ex constitutione, dhe për pasojë, zgjedhjet e parakohshme për Kuvend duhet të zhvillohen brenda dyzet e pesë (45) ditësh, ashtu siç përcaktohet me paragrafin 2 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] dhe paragrafin 6 të nenit 86 [Zgjedhja e Presidentit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Aktgjykimi ka hyrë në fuqi menjëherë pas publikimit (sot).
Në përfundimin e nxjerrë në aktgjykim, Gjykata Kushtetuese ka theksuar se afati i përcaktuar në pikën 2 të nenit 86 të Kushtetutës, që përcakton se zgjedhja e presidentit të ri duhet të bëhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual, “është detyrues dhe përfundimtar, dhe se marrë për bazë karakterin detyrues të këtij afati, i njëjti nuk mund të relativizohet”.
Megjithëkëtë Gjykata ka konstatuar se Kuvendi i konstituar më 11 shkurt nuk i ka pasur 60 ditë në dispozicion, brenda së cilës duhej përfunduara procedura për zgjedhjen e peridentit, afat ky i përcaktuar në nënparagrafin 3 të paragrafit 1 të nenit 82 të Kushtetutës.
“Megjithatë, duke iu referuar nënparagrafit 3 të paragrafit 1 të nenit 82 të Kushtetutës, përmes të cilit përcaktohet që Kuvendi shpërndahet në rastin kur ‘nëse brenda afatit prej gjashtëdhjetë (60) ditësh nga dita e fillimit të procedurës së zgjedhjes, nuk zgjedhet Presidenti i Republikës së Kosovës’, Gjykata marrë për bazë kontekstin specifik të rrethanave të konstituimit të Kuvendit më 11 shkurt 2026, vlerësoi se Kuvendi nuk ka pasur gjashtëdhjetë (60) ditë në dispozicion, brenda të cilës periudhë duhej përfunduar procedura për zgjedhjen e Presidentit”, thuhet në aktgjykim.
Si rrjedhojë, Gjykata ka ritheksuar se interpretimi i saj lidhur me afatet kushtetuese të përcaktuara me nënparagrafin 3 të paragrafit 1 të nenit 82 të Kushtetutës në lidhje me paragrafin 2 të nenit 86 të Kushtetutës, për zgjedhjen e Presidentit, ashtu siç është specifikuar në paragrafët 153-162 të këtij Aktgjykimi, mbeten të aplikueshme në të gjitha rastet e zgjedhjes së Presidentit në të ardhmen, përkatësisht procedura për zgjedhjen e Presidentit të ri, e cila nuk mund të zgjasë më shumë se gjashtëdhjetë (60) ditë duhet të fillojë përpara dhe të përfundojë jo më vonë se tridhjetë (30) ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual.
Gjithashtu Gjykata ka konstatuar se vendimi i saj për vendosjen e masës së përkohshme ndaj punës së Kuvendit dhe dekretit të Osmanit, shfuqizohet me hyrjen në fuqi të këtij Aktgjykimi.
Surroi: Duke mos u bazuar në Kushtetutë, dekreti i Osmanit mund të interpretohet si veprim arbitrar
Publicisti Veton Surroi ka dhënë një sugjerim për interpretim të shkurtër të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese rreth dekretit të presidentes për shpërndarjen e Kuvendit, me të cilin Kushtetuesja i dha afat edhe 34 ditë Kuvendit për të zgjedhur presidentin.
Ai ka vlerësuar se konstatimi i Kushtetueses se dekreti i presidentes “nuk prodhon asnjë efekt juridik” do të thotë se Gjykata konstatoi se nuk kishte mbështetje kushtetuese që ky dekret të prodhonte efektin juridik të shpërndarjes së Kuvendit. “Në të kundërtën, Gjykata do të kishte konsideruar se dekreti prodhon efekt juridik dhe se Kuvendi është shpërndarë”, ka shkruar Surroi në Facebook.
Ai ka komentuar edhe afatin prej 34-ditësh që Kushtetuesja ia ka dhënë Kuvendit për zgjedhjen e presidentit.
“GJKK konstaton ‘që deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, nga dita e hyrjes në fuqi të këtij aktgjykimi, kanë tridhjetë e katër (34) ditë për të zhvilluar dhe përfunduar procedurën e zgjedhjes së Presidentit të Republikës së Kosovës’. Kjo do të thotë se procedura për zgjedhjen e Presidentit ishte në zhvillim e sipër dhe u ndërpre para kohe nga dekreti i Presidentes së vendit. Ky veprim nuk përmbushte kushtet kushtetuese dhe, rrjedhimisht, nuk prodhoi efekt juridik. Duke mos u mbështetur në Kushtetutë, ai mund të interpretohet si veprim arbitrar”, ka shkruar ai.
Sipas tij Kushtetuesja gjithashtu ka konstatuar se shpërndarja e Kuvendit nuk është rezultat i një vendimi diskrecional të presidentit, por një pasojë që rrjedh drejtpërdrejt nga Kushtetuta në rast të dështimit të zgjedhjes së presidentit brenda afatit dhe procedurës së përcaktuar.
“GJKK konstaton gjithashtu “që në rast se Kuvendi dështon të zgjedhë Presidentin brenda periudhës së përcaktuar në pikën III të dispozitivit të këtij aktgjykimi (...) Kuvendi shpërndahet ex constitutione dhe, për pasojë, zgjedhjet e parakohshme për Kuvend duhet të zhvillohen brenda dyzet e pesë (45) ditësh”. Rrjedhimisht, shpërndarja e Kuvendit nuk është rezultat i një vendimi diskrecional të Presidentit, por një pasojë që rrjedh drejtpërdrejt nga Kushtetuta në rast të dështimit të zgjedhjes së Presidentit brenda afatit dhe procedurës së përcaktuar”, ka shkruar Surroi.
“Presidentja e vendit do të mund të ndihmonte në tejkalimin e atmosferës polarizuese që krijoi dekreti i saj i 6 marsit — i cili nuk prodhoi efekt juridik, ngase nuk kishte mbështetje kushtetuese — duke shmangur interpretimet politike të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese”, ka shkruar tutje ai.
Cakolli: Gjykata Kushtetuese e mbylli “dilemën” mes 30 dhe 60 ditëve si afate kushtetuese
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës ka reaguar pas aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, duke theksuar se vendimi rikonfirmon parimet themelore mbi afatet kushtetuese, veçanërisht në raport me zgjedhjen e presidentit. Sipas Cakollit, ndonëse këto parime kanë qenë të qarta edhe më herët, aktgjykimi vjen në një moment kur, sipas tij, dispozitat kushtetuese janë tentuar të keqpërdoren për arsyetime politike.
Gjykata Kushtetuese të mërkurën nxori aktgjykimin me të cilin konstatoi se dekreti i presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit nuk prodhon asnjë efekt juridik, dhe i dha afat shtesë 34 ditë Kuvendit për zgjedhjen e presidentit të ri.
Cakolli theksoi se Gjykata nuk e ka cilësuar dekretin si akt antikushtetues, por si vendim pa efekt juridik, duke e lidhur këtë me logjikën e afateve kushtetuese.
“Gjykata në thelb e pranon që afati 30-ditor është detyrues dhe që mosrespektimi i tij ka pasoja. Por ajo sqaron se kjo pasojë nuk aktivizohet drejtpërdrejt përmes këtij afati, por përmes nenit 82, pra përmes afatit 60-ditor dhe shpërndarjes ‘ex constitutione’. Pra, nuk kemi mohim të logjikës që përdori Presidentja Osmani, por korrigjim të mënyrës se si ajo është zbatuar”, ka sqaruar ai.
Cakolli vlerësoi se Gjykata ka mbyllur përfundimisht dilemat rreth afateve 30 dhe 60 ditë, duke theksuar se ato nuk janë të ndara, por përbëjnë një mekanizëm të vetëm kushtetues. Sipas tij, kjo nënkupton që procedurat duhet të nisin më herët dhe nuk mund të shtyhen deri në fund të afatit 30-ditor për të kërkuar më pas kohë shtesë.
Po ashtu, ai nënvizoi se Gjykata ka vendosur një standard të ri të rëndësishëm: “Koha kushtetuese nuk fillon kur Kuvendi vendos të veprojë, por kur ai është në gjendje të veprojë”.
Kjo, sipas tij, do të thotë se nuk mund të ketë afate të reja, por vetëm kohë të mbetur nga një proces që ka nisur më herët.
Në fund, Cakolli e cilësoi vendimin si një balancim të situatës aktuale, duke u dhënë institucioneve kohë shtesë për të përmbyllur proceset, por duke theksuar se përgjegjësia mbetet te institucionet dhe partitë parlamentare për të respektuar afatet kushtetuese dhe për të mos i përshtatur ato sipas interesave politike.
Presidenca: U konfirmua se Osmani s’ka bërë shkelje, Kuvendi që nesër ta caktojë datën e seancës
Presidenca përmes një komunikate ka thënë se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese konfirmon se presidentja Vjosa Osmani nuk ka bërë asnjë shkelje kushtetuese me dekretin për shpërndarjen e Kuvendit.
Presidentja ka ftuar Kuvendin që qysh nesër ta caktojë datën e seancës së re për zgjedhjen e presidentit të ri.
Në njoftimin e saj, Presidenca thotë se edhe gjykata e konfirmon se afati 60-ditor duhet të konsumohet para afatit 30-ditor të paraparë në nenin 86.2 të Kushtetutës, dhe se ky afat 30-ditor para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual është përfundimtar dhe detyrues, si dhe nuk mund të relativizohet.
“Presidentja e Republikës së Kosovës e mirëpret aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në rastet nr. KO 72/26 dhe KO 74/26, i cili i konfirmon argumentet juridike të dorëzuara nga Presidenca në Gjykatën Kushtetuese rreth këtij rasti, si dhe konfirmon se Presidentja Osmani nuk ka bërë asnjë shkelje kushtetuese”, thuhet në njoftim.
Presidenca ka thënë tutje se gjykata në asnjë paragraf nuk ka konstatuar shkelje të Kushtetutës nga ana e Presidentes.
“Përkundrazi, ka konfirmuar se nuk është dekreti ai që e çon vendin në zgjedhje të reja, por është dështimi i Kuvendit për zgjedhjen e Presidentit të ri ai që i shkakton këtë proces të zgjedhjeve”.
Ndërkohë, u ka bërë thirrje deputetëve që urgjentisht ta kryejnë detyrimin për zgjedhjen e presidentit të ri.
“Deklaratat politike për kinse shkelje kushtetuese tregojnë edhe keqlexim të aktgjykimit, por edhe politizim të skajshëm të një situate tashmë të qartësuar nga Gjykata Kushtetuese: që dështimi për zgjedhjen e Presidentit të vendit është i deputetëve dhe si pasojë e mungesës së vullnetit politik për të arritur konsensus rreth zgjedhjes së Presidentit”.
Abdixhiku: Përgjegjësia për presidentin mbetet te LVV-ja, çështja zgjidhet me marrëveshje politike
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku, ka vlerësuar se vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka sjellë qartësi të nevojshme në një moment të rëndësishëm institucional për vendin. Ai ka thënë se e respektojnë vendimin dhe e konsidrojnë udhërrëfyes për veprimet e mëtejshme politike.
Abdixhiku ka shtuar se LDK-ja mbetet e gatshme të kontribuojë në çdo përpjekje për zgjidhje që garanton stabilitet dhe funksionim normal të institucioneve, por, shtoi se "nuk do të bëhet alibi e dështimeve të askujt".
“Ky vendim nuk krijon epërsi për askënd. Ai e rikthen procesin në Kuvendin e Republikës dhe u jep deputetëve edhe një afat për të përmbushur detyrimin për zgjedhjen e Presidentit. Në këtë fazë, siç kemi theksuar vazhdimisht, përgjegjësia kryesore mbetet te shumica parlamentare. Ajo ka pasur kohën dhe mundësinë për ta përmbyllur këtë proces dhe është detyrë e saj të ofrojë zgjidhje. Siç tashmë është e qartë, pa votat e shumicës, ky proces nuk mund të përmbyllet” ka shkruar Abdixhiku.
Abdixhiku ka theksuar se çështjet e tilla si presidenti duhet të zgjidhen me marrëveshje politike.
"Lidhja Demokratike e Kosovës beson se çështje të tilla nuk zgjidhen me imponim, por me marrëveshje politike ndërmjet forcave përfaqësuese. Presidenti i Republikës duhet të jetë figurë bashkuese, që reflekton unitet, garanton balancë institucionale dhe nuk është zgjatim i shumicës", ka shkruar ai në Facebook.
Abdixhiku ka potencuar se LDK-ja konsideron se veprimet e presidentes, përfshirë dekretin e saj, kanë qenë në funksion të ruajtjes së rendit kushtetues dhe të shmangies së një vakumi institucional.
"Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese përveç se nuk konstaton ndonjë shkelje kushtetuese, ofron interpretimin përfundimtar rreth kësaj çështjeje, interpretim i cili duhet të respektohet nga të gjithë".
E, në rast të mungesës së një marrëveshjeje politike për 34 ditët e ardhshme, Abdixhiku ka theksuar se Lidhja Demokratike e Kosovës do të hyjë e përgatitur në çdo proces të ri zgjedhor.
Kusari-Lila: E rëndësishme që të ketë kompromis për zgjedhjen e presidentit
“Është shumë e rëndësishme që e para Kuvendi të vazhdojë punën, e dyta që të ketë një kompromis dhe dakordim mes forcave politike për zgjedhjen e presidentit ... Derisa vazhdojnë negociatat për një person konsensual, besoj që mund të vazhdojmë me agjendën legjislative”, është shprehur ajo Kusari-lila në një intervistë në emisionin “60 Minuta” në KTV.
E pyetur nëse Glauk Konjufca do të jetë kandidati i Vetëvendosjes për president ajo ka thënë se është herët të flitet dhe se do të shihet mundësi e mbështetjes nga opozita.
“Kjo është shumë e hershme, do shihet si është disponimi dhe mundësia e mbështetjes nga opozita, besoj se duhet t’i kthehemi tavolinës dialogimit mes subjekteve. Kurti udhëheq diskutimin edhe me kryetarin e PDK, LDK. Mesa kemi parë nuk ka pasur diskutim me AAK-në, qëndrimi i tyre ka qenë paksa i çuditshëm sepse as nuk kanë qëndruar në sallë dhe kanë thënë se nuk do enë aty për të votuar. Duhet pasur një diskutim të gjerë dhe seriozitet se çka po rrezikohet me stabilitetin e vendit nëse shkohet në zgjedhje”, ka theksuar Kusari-Lila.
E shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetvendosje, Arbërie Nagavci, ka thënë se Kushtetuesja ka konfirmuar se dekreti i presidentes Vjosa Osmani për të shpërndarë Kuvendin ishte kundërkushtetues. Ajo ka thënë se ditët në vijim do të ketë angazhim nga të gjithë për zgjedhje të presidentit të ri.
“Veprimet në pozitat institucionale duhet të kryhen me përgjegjësi të lartë dhe pa inate personale. Ky moment duhet të shërbejë për reflektim dhe për angazhim të të zgjedhurve të popullit, në mënyrë që vendi të mos futet në një krizë të re dhe në një cikël të përsëritur zgjedhjesh. Gjatë ditëve në vijim, duhet të angazhohemi të gjithë për të zgjedhur Presidentin dhe për të shmangur edhe një palë zgjedhje, të cilat janë të panevojshme dhe të padrejta”, ka shkruar Nagavci në Facebook.
E këshilltari ligjor i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, Blerim Sallahu, ka thënë se “ndihet krenar dhe shumë i lumtur” që u rrëzua dekreti dhe tha se ai ishte pjesë shumë e rëndësishme në rrëzimin e dekretit të cilin e ka cilësuar kundërkushtetues e “me tendenca të përmbysjes së rendit kushtetues”.