Arbëri

Kushtetuesja kritikohet për qasje selektive në trajtimin e disa rasteve

Gjykata Kushtetuese

Njohës të aktit më të lartë juridik të shtetit e kualifikuan si selektive qasjen e Gjykatës Kushtetuese në trajtimin e disa lëndëve. Kjo, pas kritikave që u adresuan ndaj saj nga pushteti lidhur me vonesën në trajtimin e lëndëve dhe pengimin e reformave në drejtësi. E në këtë gjykatë kanë thënë se të gjitha lëndët i trajtojnë me prioritet dhe bazuar në afatet që përcaktohen në Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe me Rregulloren e Punës

Gjykatë me qasje selektive në trajtimin e disa lëndëve e kanë kualifikuar Kushtetuesen njohës të aktit më të lartë juridik të shtetit.

Ky vlerësim është bërë pas kritikës që i bëri ditë më parë kësaj gjykate ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, për pengimin e reformave në drejtësi, me anë të vonesës në trajtimit e ligjeve.

Njohësi i Kushtetutës, Mazllum Baraliu, ka vlerësuar se në opinion është krijuar përshtypja se në disa raste vendimet e Kushtetueses janë edhe të ndikuara nga politika.

“Të paktën nga opinioni publik dhe bota akademike është thënë hera-herës që ka ndikim politik nga jashtë e nga brenda. Pra, jo vetëm nga Kosova dhe institucionet e saj dhe individët me peshë e ndikim - me influencë politike dhe tjetërfare- autoritet, por edhe nga bashkësia ndërkombëtare e pranishme në Kosovë”, ka thënë Baraliu.

Pos kësaj, Baraliu ka theksuar se kanë ndodhur edhe rastet kur në opinion është thënë që pushteti e opozita janë bërë bashkë për t’ia votuar njëra-tjetrës kandidatët e preferuar për anëtarë të kësaj gjykate.

E këto, sipas hulumtuesit të lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi, Gzim Shala, nuk e paraqesin me integritet të mirë Kushtetuesen. Ai ka thënë se kjo gjykatë ka 60 ditë afat për trajtimin e lëndëve që procedohen nga deputetët.

“Nuk mund të themi se bëhet fjalë për integritet të mirë. Por, është pak problematike që edhe të respektohet një afat i tillë, kur kemi parasysh faktin se dallon ligji prej ligji dhe dallon rasti prej rasti. Në raste të caktuara ndoshta janë ligjet të cilat kërkojnë një analizë shumë të gjerë. Kjo është e para. E dytë ndoshta kërkojnë procedura të brendshme se si ndahet, si trajtohet lënda, etj., etj. brenda Gjykatës Kushtetuese”, ka theksuar Shala.

Zyrtarë të gjykatës kanë thënë se po i trajtojnë me prioritet të gjitha lëndët, siç edhe parashihet me Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe me Rregulloren e Punës.

“Vlen gjithashtu të theksohet se kohëzgjatja e vendimmarrjes së gjykatës në raste të caktuara varet nga kompleksiteti i objektit të çështjes. Në parim, që nga themelimi i gjykatës kohëzgjatja mesatare e vendimmarrjes është e njëjtë në raport me nivelin e kompleksitetit të çështjes përkatëse. Nuk ka parametra të tjerë në të cilët varet shpejtësia e vendimmarrjes në një rast. Gjykata secilin prej tyre e trajton me prioritetin maksimal”, ka deklaruar Veton Dula, drejtor i Zyrës për Komunikim dhe Informim në Gjykatën Kushtetuese.

Bazuar në të dhënat e gjykatës, më 2015 janë pranuar 159 kërkesa individuale e 5 nga institucionet, teksa janë publikuar 143 vendime e nuk është kontestuar asnjë ligj. E më 2023 ishin 276 kërkesa individuale e 18 nga institucionet dhe janë kontestuar 14 ligje, teksa janë publikuar 195 vendime.