Një ngjarje që ka tronditur opinion publik në Izrael përfshin një nga figurat më të larta të ushtrisë izraelite. Deri javën e kaluar, gjeneralmajorja Yifat Tomer-Yerushalmi ishte avokatja kryesore e ushtrisë. Sot, ajo ndodhet në burg për shkak të një skandali që ka trazuar gjithë vendin, pas një serie ngjarjesh të çuditshme që përfshin dorëheqjen e saj të menjëhershme, zhdukjen për disa orë dhe një kërkim që përfundoi me gjetjen e saj në një plazh në Tel Aviv.
Skandali nisi pas pranimit të saj tronditës se kishte miratuar publikimin e një videoje të fshehtë të vëzhgimit, e cila ndodhet në qendër të një hetimi politikisht të ndjeshëm për abuzim të rëndë ndaj një të burgosuri palestinez në  një burg famëkeq ushtarak të izraelit, shkruan AP.
Videoja, e cila është transmetuar edhe në media izraelite, tregon pjesë të një sulmi brutal, ku ushtarët izraelitë akuzohen se kanë abuzuar seksualisht një të burgosur palestinez në burgun ushtarak Sde Teiman.
Sipas akuzës, ngjarja ka ndodhur më 5 korrik 2024. Mjekët që panë të burgosurin thanë se ai mbërriti në spital në gjendje të rëndë, me trauma të shumta dhe plagë të brendshme duke përfshirë një zorrë të çarë. Pas operacionit, ai u rikthye në burg disa ditë më vonë.
Tomer-Yerushalmi tha se e publikoi videon për të treguar seriozitetin e hetimeve, por kjo solli reagime të ashpra nga politikanët e djathtë dhe aleatët e kryeministrit Benjamin Netanyahu. Pas dorëheqjes, ajo u përball me sulme personale në rrjete sociale.
Pasi u gjet një shënim i paqartë pranë veturës së saj dhe ajo vetë u zhduk, autoritetet nisën një operacion kërkimi me dronë ushtarakë, duke u frikësuar se mund të kishte tentuar vetëvrasje. Ajo u gjet e gjallë të dielën mbrëma në plazh, por menjëherë pas kësaj, sulmet ndaj saj u shtuan.
Një figurë televizive pro-qeveritare shkroi në X (ish-Twitter): “Tani mund ta rifillojmë ‘linçimin’”, duke shtuar edhe një emoji me sy që mbyllet me shenjë flirtuese.
Ndërkohë, pasi një nga telefonat e saj rezultoi i zhdukur, politikanë të djathtë filluan të pretendojnë se ajo e kishte inskenuar tentativën për vetëvrasje për të fshehur prova.
Të hënën, një gjykatës vendosi që ajo të mbahet në paraburgim deri të mërkurën, nën dyshimet për mashtrim, shkelje të besimit dhe pengim të drejtësisë. Ajo po mbahet në një burg për gra në Izraelin qendror. Edhe ish-prokurori ushtarak, kolonel Matan Solomesh, është arrestuar në lidhje me të njëjtin hetim.
Në letrën e dorëheqjes, Tomer-Yerushalmi shkruante se kishte vendosur të publikonte provat për të kundërshtuar idenë se ushtria po “godiste padrejtësisht” ushtarët e vet. “Fatkeqësisht, kjo kuptimësi bazë se ka veprime që nuk duhen kryer as ndaj të burgosurve më të urryer, nuk bind më të gjithë”, kishte shkruar ajo.
I burgosuri palestinez i përfshirë në video është liruar muajin e kaluar në kuadër të një marrëveshjeje shkëmbimi pengjesh dhe të burgosurish mes Izraelit dhe Gazës.
