Arbëri

Kushtetuesja shfuqizon vendimet për miratimin e 12 ligjeve

Kushtetuesja

Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar vendimet për miratimin e 12 ligjeve të cilat ishin marrë në mbledhjen e 5 dhjetorit të 2024-s.

Në publikimin e bërë të premten, Kushtetuesja ka bërë të ditur se ka shfuqizuar vendimet për miratimin e Ligjeve për Shërbimet e Pagesave, atë kundër dukurive negative në sport, për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit, për provimin e maturës shtetërore, për banim social dhe të përballueshëm, për kontabilitet, raportim financiar dhe auditim, për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor, për Prokurorinë Speciale, për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore, për Financimin e Menaxhimit të Resurseve Ujore, për Inspektoratin Qendror të mjedisit dhe atë për Lojërat Mesdhetare.

Ndërkaq i ka konstatuar si në përputhje me Kushtetutën Ligjin për Bankat, për Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut dhe atë për Gjykatën Administrative.

Partia Demokratike e Kosovës ishte ankuar në Kushtetuese për procedurat.

Atë ditë, Kuvendi pati miratuar 20 ligje. Votimi ishte bërë pa praninë e opozitës e duke iu shmangur afateve të përcaktuara me Rregulloren e Kuvendit. Rregullorja përcakton se shqyrtimi i dytë i një projektligji nuk mund të bëhet më herët se 72 orë nga dita e miratimit të tij në parim. Kjo përjashtohet vetëm në rast të gjendjes së jashtëzakonshme. Por, pa ndonjë gjendje të tillë emergjente, deputetët e pushtetit miratuan 13 ligje në të dy leximet. 7 të tjerat u miratuan në lexim të dytë, prej tyre 4 u futën në rend dite me mocion. Këto i ka theksuar edhe Kushtetuesja. 

Shfuqizohet edhe vendimi për miratimin e Ligjit për Byronë e Konfiskimit të Pasurisë

12 o. më parë / 9 jan 2026 16:17
Kuvendi i Kosovës më 5 dhjetor 2024

Kuvendi i Kosovës më 5 dhjetor 2024

Photo: Driton Paçarada

Gjykata Kushtetuese të premten ka marrë vendim që ta shfuqizojë vendimin për miratimin e Ligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, i cili qe miratuar në Kuvend në dy lexime më 5 dhjetor të vitit 2024.

Ligji i kaluar në Kuvend u kontestua në Kushtetuese nga deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, të cilët pretendonin se votimi i këtij Ligji nga Kuvendi është bërë përmes shmangies nga afatet procedurale.

“Me pesë vota për dhe dy kundër, Kushtetuesja ka vendosur ta shfuqizojë vendimet e 5 dhjetorit të vitit 2024 të Kuvendit përmes së cilit është miratuar Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme”, thuhet në vendimin e Kushtetueses.

Me Ligjin për Byronë Shtetërore parashihej që të gjithë zyrtarët publikë në Kosovë mund të jenë subjekt i verifikimit të pasurisë nëse ekzistojnë dyshime për prejardhjen e saj.

Ky Ligj pati kaluar në Kuvend edhe më 9 shkurt 2023. Po ngjashëm si herën e fundit, ishte kontestuar në Kushtetuese nga deputetët e PDK-së. E, u shpall i pavlefshëm pas një viti e gjysmë shqyrtim nga kjo gjykatë, më 29 korrik 2024.

Veç këtij ligji, Kushtetuesja gjatë ditës së sotme ka shfuqizuar edhe vendimet për miratimin e 12 ligjeve të tjera që u miratuan në seancën maratonike të 5 dhjetorit të 2024-s. Atë ditë, Kuvendi pati miratuar 20 ligje. Votimi ishte bërë pa praninë e opozitës e duke iu shmangur afateve të përcaktuara me Rregulloren e Kuvendit. Rregullorja përcakton se shqyrtimi i dytë i një projektligji nuk mund të bëhet më herët se 72 orë nga dita e miratimit të tij në parim. Kjo përjashtohet vetëm në rast të gjendjes së jashtëzakonshme. Por, pa ndonjë gjendje të tillë emergjente, deputetët e pushtetit miratuan 13 ligje në të dy leximet (përfshirë Ligjin për Byronë e Konfiskimit të Pasurisë). 7 të tjerat u miratuan në lexim të dytë, prej tyre 4 u futën në rend dite me mocion. Këto i ka theksuar edhe Kushtetuesja.