Vendimi lidhur me ankesën e Listës Serbe mbi zgjedhjen e nënkryetarit të pestë të Kuvendit do të merret pasi të shqyrtohen të gjitha aspektet kushtetuese të pretendimeve të bëra nga pala parashtruese, kanë thënë në Gjykatën Kushtetuese. Gjykata nuk ka bërë të ditur nëse do të vendosë masë të përkohshme, sipas kërkesës së këtij subjekti politik. Ankesa nga Lista Serbe u deponua të enjten, ani se afati kushtetues për mandatarin e qeverisë nisi të rrjedhë një ditë pasi Nenad Rashiq u zgjodh nënkryetar
Gjykata Kushtetuese e ka konfirmuar se është duke e shqyrtuar ankesën e Listës Serbe lidhur me zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb dhe se vendimi do të merret pasi të shqyrtohen të gjitha pretendimet. Ankesa u deponua një ditë më parë nga subjekti më i madh serb në Kuvend, ndërkohë që afati kushtetues për mandatarin e qeverisë është duke rrjedhur.
“Kjo kërkesë aktualisht është duke u proceduar nga Gjykata. Vendimi do të merret pasi që të shqyrtohen të gjitha aspektet kushtetuese të pretendimeve të bëra në kërkesë nga pala parashtruese, në përputhje me Kushtetutën, Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe Rregulloren e punës së Gjykatës”, thuhet në përgjigjen e Kushtetueses.
Pretendimi i Listës Serbe është se janë shkelur Kushtetuta, Rregullorja e punës së Kuvendit, si dhe aktgjykimi i mëparshëm i Kushtetueses mbi të njëjtën çështje. Po ashtu, ka kërkuar vendosjen e një mase të përkohshme për të ndaluar, siç kanë thënë, veprimet antikushtetuese që mund të shkaktojnë dëme të pakthyeshme.
Por në Kushtetuese nuk treguan nëse janë duke e konsideruar vendosjen e një mase të tillë.
Legjislatura e nëntë u shpall e konstituuar më 10 tetor, me zgjedhjen e Nenad Rashiqit si nënkryetar nga radhët e komunitetit serb.
Zgjedhja e tij u bë pasi u shteruan nëntë kandidaturat e Listës Serbe, me nga tri votime.
Një ditë pas zgjedhjes së Rashiqit, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e mandatoi udhëheqësin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për formimin e Qeverisë së re. Ai i ka edhe nëntë ditë afat për t’ia prezantuar Kuvendit përbërjen dhe programin e qeverisë së re.
Për zgjedhjen e Qeverisë duhen 61 vota të deputetëve.
LVV në zgjedhjet e 9 shkurtit ka fituar 48 ulëse në Parlamentin me 120 deputetë.
Nëse Kurti nuk arrin të sigurojë 61 votat e nevojshme deri më 26 tetor, atëherë Osmani, sipas ligjeve, është e obliguar që brenda 10 ditëve t’i ftojë në konsultim edhe një herë partitë politike, edhe të vendosë, sipas diskrecionit të saj, për mandatarin tjetër, nëse ia dëshmon se i ka numrat për të formuar Qeverinë.
Edhe mandatari i ardhshëm duhet t’i ketë 15 ditë kohë që t’ia paraqesë Kuvendit përbërjen e kabinetit qeveritar.
Nëse as herën e dytë nuk zgjidhet Qeveria, atëherë presidenti i Kosovës i shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet ditë nga dita e shpalljes së tyre.
Vullnet Bugaqku nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka thënë se vendimi i Kushtetueses për ankesën e Listës Serbe mund ta ndalë formimin e Qeverisë.
“Normalisht që edhe parashtrohet kërkesa që të vendoset masë e përkohshme që të mos ketë pasoja juridike në të ardhmen sa u përket veprimeve që mund të prodhojnë deputetët e Kuvendit, por gjithashtu edhe presidentja, si dhe vetë mandatarit për formimin e qeverisë. A do të ketë masë të përkohshme, mbetet me pa nëse e vlerëson të nevojshme Gjykata Kushtetuese e Kosovës. Zakonisht Gjykata në këto raste vendos ex officio, madje edhe sipas kërkesës së palëve, por edhe në mënyrë zyrtare vendos që të japë masë të përkohshme për të pezulluar efektet, që të themi, veprimet juridike të deputetëve dhe të Kuvendit në tërësi”, ka thënë Bugaqku.
Ai ka shtuar se beson që javën e ardhshme do të ketë një njoftim nga ana e Gjykatës Kushtetuese nëse eventualisht do të vendoset masa e përkohshme sa i përket ecurisë së mëtejshme të formimit të qeverisë.
“Kërkesa është dorëzuar, dhe besoj që kjo kërkesë duhet të trajtohet në një afat sa më të shpejtë në atë mënyrë që të mos lejohet të hyjmë në një fazë tjetër ose të hyjmë në një procedurë tjetër të formimit të qeverisë dhe hipotetikisht nëse veç gjendet që ka shkelje Kushtetuese, atëherë do të duhej Gjykata të vendosë për t’i anuluar të gjitha pasojat ose të gjitha ato veprime që janë zhvilluar si pasojë e shkeljes së Kushtetutës”, ka shtuar ai.
Sipas Bugaqkut, në rast se Gjykata gjen shkelje kushtetuese, çdo veprim pasues i institucioneve mund të shpallet i pavlefshëm.
“Kështu që i bie që edhe dekreti i presidentes edhe formimi i qeverisë, nëse do të ndodhte, do të mund të anulohej dhe të shpallej si jokushtetues”, ka theksuar ai.
Kushtetuesja e kishte trajtuar edhe një ankesë të dorëzuar më herët nga Lista Serbe lidhur me çështjen e nënkryetarëve, pasi kreu i Kuvendit e pati shpallur të konstituuar Kuvendin pa zgjedhjen e nënkryetarit të pestë nga radhët e komunitetit serb.
Më 5 shtator, Gjykata Kushtetuese, pasi kishte pranuar ankesën nga Lista Serbe e pezulloi punën e Kuvendit për 25 ditë duke nxjerrë vendim për masë të përkohshme.
E në aktgjykimin e publikuar të plotë, Gjykata konstatoi se Kuvendi nuk ishte i konstituuar, duke kërkuar që deputetët të zgjidhnin nënkryetarin nga radhët e komunitetit serb, me qëllim që të hapej rruga për formimin e Qeverisë.
Në vendimin e Kushtetueses u tha se propozimi për nënkryetarin nga radhët e komuniteteve joshumicë duhet të bëhet nga shumica apo numri më i madh i deputetëve nga radhët e deputetëve të komunitetit serb, por nuk ka lejuar veto bllokuese.
Pasi Lista Serbe i shteroi kandidaturat, kryeparlamentari Dimal Basha u kërkoi atyre ta bëjnë edhe propozimin e deputetit që nuk i takon grupit parlamentar të Listës. Meqë subjekti që mbështetet nga Beogradi zyrtar refuzoi ta bëjë këtë, në votim u hodh kandidatura e Nenad Rashiqit, i cili mori votat e domosdoshme për nënkryetar të Kuvendit.