Arbëri

Kuvendi mblidhet pas vendimit të Kushtetueses

Kuvendi

Foto: Driton Paçarada

Kuvendi i Kosovës mban sot (e mërkurë) vazhdimin e seancës konstituive të nisur në prill. Vazhdimi do të nisë në orën 11. Në rend dite do të jetë votimi i kryetarit dhe nënkryetarëve të organit ligjvënës.

Derisa deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje deklaruan se nuk do të tërhiqet kandidatura e Albulena Haxhiut për kryeparlamentare, ata të partive oponentë kërkuan sjellje konform Aktgjykimit të Kushtetueses.

E presidentja Vjosa Osmani ka kërkuar prej deputetëve përgjegjësi dhe e ka cilësuar urgjencë shtetërore konstituimin sa më të shpejtë të institucioneve.

Seanca mbahet dy ditë pas publikimit të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për seancën konstituive. Sipas Aktgjykimit, Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditësh dhe e drejta e propozimit të kryeperlamentarit i takon Lëvizjes Vetëvendosje, si grupi më i madh parlamentar i dalë pas zgjedhjeve të 9 shkurtit. Aktgjykimi e kufizon në vetëm tri votime kandidaturën për kryetar Kuvendi.

Deri tash, kandidatja e vetme e propozuar nga Vetëvendosja ka qenë Albulena Haxhiu, e cila në vazhdimet e seancës para se të kërkohej kalimi në votim të fshehtë, nuk ka marrë 61 votat e nevojshme për t’u zgjedhur në këtë pozitë.

Lexo përditësimet tjera
Kuvendi

LIVE: Konstituimi i Kuvendit nga e para