Kuvendi i Kosovës mban sot (e mërkurë) vazhdimin e seancës konstituive të nisur në prill. Vazhdimi do të nisë në orën 11. Në rend dite do të jetë votimi i kryetarit dhe nënkryetarëve të organit ligjvënës. Është seanca e parë e ftuar pas Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese që ka përcaktuar votim të hapur dhe që konstituimi të kryhet brenda 30 ditësh. E drejta e propozimit për kryeparlamentar i takon Lëvizjes Vetëvendosje. Gjithçka rreth kësaj seance, mund ta përcillni këtu
Haradinaj: S’kemi votë për Haxhiun, por po për tre të tjerë
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, para seancës së Kuvendit, ka thënë se partia e tij nuk ka votë për Albulena Haxhiun për kryeparlamentare, por po për tre emra të tjerë nga Lëvizja Vetëvendosje.
“Nëse sot do të ishte (Glauk) Konjufca, ose Saranda (Bogujevci) ose Shqipe Selimi, do të votonim”, ka thënë ai.
Kur u pyet se nëse nuk do të arrihet të konstituhohet Kuvendi as pas 30 ditësh ai tha se do të vërtetohet qëllimi i kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
“Për fat të keq unë besoj që qëllimi i tij nuk ka ndryshuar, është të vazhdojë me mbajt peng Kosovën, me udhëheq me Kosovën pra në mënyrë jo të ligjshme. Me mbajt peng Kosovën”, u shpreh Haradinaj.
Deliu-Kodra: Do të votojmë kundër Albulena Haxhiut
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu – Kodra ka thënë se përfaqësuesit publikë duhet të mësohen që aktgjykimet e tilla as të mos vihen në dilemë.
Ajo ka thënë se sot do të marrin pjesë në votim, duke paralajmëruar votë kundër Albulena Haxhiut.
Kosova është bllokuar që gjashtë muaj për shkak të arrogancës dhe për mosrespektim të aktgjykimit të 26 qershorit.
“Kosova sot ka probleme shumëfish më të mëdha se a do të zgjidhet apo jo Albulena Haxhiu kryetare e Kuvendit. PDK-ja ka refuzuar të bëhet shkelëse e Kushtetutës. Ne do ta respektojmë aktgjykimin, do të votojmë kundër Albulena Haxhiut”, ka thënë ai.
Nura i PDK-së: VV-ja ka pasur kohë të reflektojë
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Jakup Nura, ka thënë se situata rreth konstituimit të Kuvendit është qartësuar me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, që ka theksuar se duhet të ketë votim të hapur dhe që gjithçka të mbyllet për 30 ditë e që një kandidat ka të drejtë të propozohet tri herë për votim.
Ai ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje “ka pasur kohë të reflektojë për bllokimin që ka bërë”.
Nura ka shtuar para seancës së paraparë për orën 11 që pret që VV-ja të nxjerrë “figurë më unifikuese”.
Është shprehur optimist se procedurat tani do të jenë më të shpejta se që ishin deri tash.
Kuvendi mblidhet pas vendimit të Kushtetueses
Kuvendi i Kosovës mban sot (e mërkurë) vazhdimin e seancës konstituive të nisur në prill. Vazhdimi do të nisë në orën 11. Në rend dite do të jetë votimi i kryetarit dhe nënkryetarëve të organit ligjvënës.
Derisa deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje deklaruan se nuk do të tërhiqet kandidatura e Albulena Haxhiut për kryeparlamentare, ata të partive oponentë kërkuan sjellje konform Aktgjykimit të Kushtetueses.
E presidentja Vjosa Osmani ka kërkuar prej deputetëve përgjegjësi dhe e ka cilësuar urgjencë shtetërore konstituimin sa më të shpejtë të institucioneve.
Seanca mbahet dy ditë pas publikimit të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për seancën konstituive. Sipas Aktgjykimit, Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditësh dhe e drejta e propozimit të kryeperlamentarit i takon Lëvizjes Vetëvendosje, si grupi më i madh parlamentar i dalë pas zgjedhjeve të 9 shkurtit. Aktgjykimi e kufizon në vetëm tri votime kandidaturën për kryetar Kuvendi.
Deri tash, kandidatja e vetme e propozuar nga Vetëvendosja ka qenë Albulena Haxhiu, e cila në vazhdimet e seancës para se të kërkohej kalimi në votim të fshehtë, nuk ka marrë 61 votat e nevojshme për t’u zgjedhur në këtë pozitë.