Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kuvendi nuk miraton shmangien e afatit për dy projektligje

Kuvendi i Kosoves

Foto: Driton Paçarada

Me 63 vota për, 45 kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi nuk ka miratuar shmangien e afatit procedural për projektligjin për Energjinë Elektrike.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, pati kritika rreth procedurave.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Për shkak të shumë arsyeve që kemi përmendur në seancat e kaluara, por edhe për shkak se një pjesë e procedurave të këtyre ligjeve ka kaluar në dëgjime publike në legjislaturat e kaluara, gjë që bie ndesh edhe me parime të tjera. Pra, nuk kemi dëgjime publike në këtë legjislaturë. Po ashtu, kjo pjesë e ligjit për energjinë elektrike bie ndesh me disa nene të direktivave të Komunitetit të Energjisë, përkatësisht të Bashkimit Evropian. Për këto arsye, ne do të votojmë kundër”, tha ai.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Janina Ymeri, tha se do të votojnë kundër.

“Në emër të Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, votojmë kundër shmangies, për shkak se ligji ka parime dhe përmbajtje që jo vetëm ndikojnë në sigurinë energjetike, por edhe në sigurinë kombëtare, në lidhje me operatorin e sistemit të transmetimit të energjisë elektrike (KOSTT). Ka njerëz që shqetësohen për këtë çështje dhe nuk janë pjesë e Vetëvendosjes. Për këtë arsye, ne nuk e mbështesim shmangien nga procedura e rregullt përkatëse”, tha ajo.

Shefi i Grupit Parlamentar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ishte kundër shmangies.

“Sa i përket shmangies, mendoj se si Kuvend, edhe si pozitë edhe si opozitë, treguam pjekuri për urgjencën e marrëveshjeve ndërkombëtare, duke i hequr prapavijat politike, të cilat janë shumë evidente. Mendoj se Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes nuk duhet të na mësojë për shmangie, as për këtë ligj e as për ndonjë tjetër. Ne, si parti opozitare, do të detyrohemi të kemi një qëndrim politik për shkak të pakënaqësive në këtë proces, të cilat i elaboruan edhe Ferat Shala dhe Jeta Statovci. Qëndrimi ynë është i qartë: nuk do të mbështesim asnjë shmangie, duke qenë se afati kohor po përfundon dhe nuk ka një zgjidhje të qëndrueshme. Vendosja në agjendë përmes shmangies nuk do të kalojë dhe do të jetë vetëm humbje kohe”, tha Tahiri.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, iu përgjigj opozitës, duke thënë se po pengon reformat që mundësojnë integrimin në tregun rajonal dhe atë të Bashkimit Evropian.

“Dua të falënderoj deputetin Tahiri që e tha të vërtetën: ky është një qëndrim politik, ndryshe nga grupet parlamentare të PDK-së dhe LDK-së, të cilat po japin justifikime. Madje, z. Shala tha se konsultimet publike kanë përfunduar para një viti, ndërsa para dy ditësh tha se nuk kanë kaluar fare. Kjo tregon mungesë konsistence. Është e pasinqertë të jepen justifikime të tilla, sepse ato nuk qëndrojnë. Ky është vendimi juaj politik. Po i humbni shtetit 9 milionë euro dhe po pengoni reformat që mundësojnë integrimin në tregun rajonal dhe atë të Bashkimit Evropian. Flisni për tregtimin e energjisë, por nuk lejoni pakon e ligjeve që mundëson këtë integrim. Sidoqoftë, qëndrimi juaj është i juaji. Falënderoj deputetët e Komisionit për Ekonomi dhe të Lëvizjes Vetëvendosje për trajtimin me seriozitet të këtyre ligjeve”, ka thënë Rizvanolli.

Kuvendi nuk ka miratuar as shmangien e afateve procedurale për Projektligjin për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore.

Ky projektligj mori 65 vota për dhe 44 kundër.

Lexo përditësimet tjera
Kuvendi i Kosoves

Kuvendi miraton marrëveshjen për Lojërat Mesdhetare

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar shqyrtimin e projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Qeverisë...