Para se Kuvendi i Kosovës ta financonte ekspozitën për “Masakrat në Kosovë”, pati qasje në dokumentacionin për këtë aktivitet. Në memorandumin që Kuvendi lidhi me organizatën “Integra” u pajtuan që mjetet të ndaheshin tek pasi Kuvendi t’i pranonte këto informacione. “Integra” ia kërkoi Kuvendit 12.800 euro vetëm për printime, e Kuvendi ia dha 5 mijë
Kuvendi i Kosovës e pati në dispozicion dokumentacionin për ekspozitën me të dhëna të pasakta për “Masakrat në Kosovë”, para se ta financonte atë me 5 mijë euro.
Përmes kërkesës për qasje në dokumente publike, KOHA ka marrë nga Kuvendi dokumentacionin me të cilin palët ishin pajtuar për shfaqjen e asaj ekspozite, që deformoi historinë e luftës në Kosovë duke i kthyer civilët e vrarë në persona të armatosur.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNë memorandumin e mirëkuptimit, Kuvendi dhe organizata joqeveritare “Integra” ishin pajtuar me nenin tre, me të cilin kjo organizatë obligohej t’ia paraqiste Kuvendit dokumentacionin për aktivitetin e kërkuar.
“Kuvendi, pas pranimit të dokumentacionit, sipas paragrafit 1 të këtij neni, do t’i bartë mjetet buxhetore në xhirollogarinë e përfituesit”, thuhet në memorandum.
Në kërkesën që kjo organizatë ia kishte bërë Kuvendit, gjegjësisht kryetares Albulena Haxhiu, më 24 shkurt i kishte kërkuar 12.800 euro vetëm për mbulimin e kostos së shtypit të paneleve të ekspozitës, e cila në këtë kërkesë ishte thënë se do t’i ketë të ekspozuara 103 masakra e i pati vetëm 49.
Në këtë kërkesë “Integra” kishte thënë se kjo ekspozitë është projekt me rëndësi të veçantë për kujtesën kolektive dhe se do ta vlerësonin thellësisht realizimin e saj me mbështetjen e Kuvendit.
Në fund “Integra” kishte theksuar që është në dispozicion t’i ofrojë Kuvendit më shumë informacione, materiale plotësuese apo sqarime shtesë, nëse ka nevojë.
Kërkesa e saj u fut në rend dite të mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit më 2 mars, e cila u aprovua me shumicë votash.
Po të njëjtën ditë, Haxhiu nënshkroi vendimin me të cilin kësaj organizate ia ndau 5 mijë euro.
Kur ekspozita u lansua në publik, meritat për të i morën organizata “Integra” me drejtues Kushtrim Koliqin dhe organizata “Admovere”, drejtuesi i së cilës është Shkëlzen Gashi, autori i librit “Masakrat në Kosovë”, mbi të cilin u bazua ekspozita.
Por kërkesën për Kuvendin e bëri vetëm organizata “Integra”.
E, pesë ditë pas skandalit që kjo ekspozitë prodhoi, Kuvendi iu drejtua “Integrës” me një kërkesë.
Më 1 prill, ushtruesi i detyrës së sekretarit të Kuvendit, Xheladin Hoxha, në emër të Kryesisë, kërkoi sqarime se pse kërkesa për mjetet u bë vetëm nga “Integra” dhe jo edhe nga “Admovere” e Shkëlzen Gashit.
“Në Kuvendin e Republikës së Kosovës është pranuar vetëm kërkesa e paraqitur nga organizata juaj. Për nevojat e Kryesisë së Kuvendit, ju lutem na informoni se: Cila organizatë është organizatore e ekspozitës?”, thuhet në kërkesën për sqarim.
Në përgjigje, “Integra” ka shkruar se nuk ka pasur motive të fshehta, porse i kanë ndarë punët me “Admovere”.
“Ekspozita ‘Masakrat në Kosovë 1998-1999’ është realizuar në partneritet mes ‘Integra’ dhe ‘Admovere’, si pjesë e një përcaktimi që zakonisht bëhet në projektet që realizohen nga më shumë se një organizatë. Sa i përket faktit që kjo kërkesë për mbështetje është dërguar nga ‘Integra’, dëshirojmë të theksojmë sinqerisht se kjo nuk ka ndodhur si rezultat i ndonjë qëllimi përjashtues apo motivi të fshehtë, por si pasojë e ndarjes së përgjegjësive ndërmjet partnerëve në kuadër të realizimit të kësaj ekspozite”, thuhet në përgjigjen e “Integrës”.
Pas debatit që kjo ekspozitë ka ngjallur, Kuvendi nuk ka marrë përgjegjësi për përmbajtjen, por ka thënë se për të ardhmen do të ndërmerren hapa konkretë për të forcuar mekanizmat e vlerësimit para se të ndahen fondet publike.