Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoMiratohen shtatë marrëveshjet ndërkombëtare, katër që u propozuan nga VV-ja jo
Shtatë marrëveshjet ndërkombëtare që ishin në rend të ditës janë miratuar në Kuvendin e Kosovës.
Dritë të gjelbër kanë marrë Projektligji nr.10/L-008 për Ratifikimin e Marrëveshjes për qasje në Arsimin e Lartë dhe pranim për studime në Ballkanin Perëndimor, Projektligji nr.10/L-009 për Ratifikimin e Amendamentit “nr.3 të Marrëveshjes Financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, për Programin IPA 2018“, Projektligji nr.10/L-010 për Ratifikimin e “Amendamentit nr. 2 të Marrëveshjes Financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, për Programin IPA 2017“, Projektligji nr.10/L-011 për ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë mes Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për Projektin Energjia Diellore Fotovoltaike në KEK – Porta Globale, Projektligji nr.10/L-012 për ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës, e Përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh) për Projektin e efiçencës së energjisë në ndërtesa publike, Projektligji nr.10/L-013 për ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë “ Projekti i Rrugës me Shpejtësi të Lartë Prishtinë - Mitrovicë” (Kredi shtesë) ndërmjet Fondit Saudit për Zhvillim dhe Republikës së Kosovës dhe Projektligji nr.10/L-014 për ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Projektin “Impianti për Trajtimin e Ujërave të Zeza në Podujevë”.
Ndërkaq katër marrëveshjet ndërkombëtare të propozuara në fillim nga Lëvizja Vetëvendosje, nuk janë miratuar. LDK-ja nuk ka marrë pjesë në votim, për çka paralajmëroi qysh në fillim. Me mospjesëmarrjen e LDK-së, u pamundësua kuorumi.
Kurti për mediat: Manipulimi po vjen nga armiqtë që po e gjejnë argatin në Kosovë
Kryeministri Albin Kurti ka folur për mediat në Kosovë, duke deklaruar se një demokraci nuk jeton vetëm nga vota e qytetarit, por edhe nga fjala e thënë, që sipas tij duhet të jetë e lirë për të qenë e vlefshme.
Ai para deputetëve ka thënë se një qytetar i dezinformuar nuk është i lirë por i manipuluar. E sipas tij, ky manipulim po vjen nga armiqtë e Kosovës të cilët “po e gjejnë argatin në Kosovë”.
Kurti ka shtuar se fjala nuk mund të jetë e lirë nëse është e kapur nga interesa të fshehta.
“Raportimet për financime me thasë parash nuk janë vetëm problem i etikes profesionale, ato janë kërcënim i drejtpërdrejt për integritetin e debatit publik. Sepse kur paraja hynë në mënyrë të padukshme, ajo nuk blen vetëm hapësirë mediatike, ajo blen ndikim, orienton narrativen dhe në fund deformon perceptimin e qytetarit. Një qytetar i dezinformuar nuk është qytetar i lirë, ai është i manipuluar, edhe siç tregojnë raportimet ky manipulim po vjen nga armiqtë tanë por që fatkeqësisht po gjejnë edhe argatin e tyre brenda vendit tonë. Ne nuk kemi asnjë interes t’i kufizojmë mediat, përkundrazi, kemi interes që ato të jenë më të forta, të pavarura, hulumtuese e kritike”, ka deklaruar Kurti.
Sipas tij, pavarësia nuk mund të ndërtohet mbi fshehtësi që financojnë shpifjen e dezinformimin. Liria editoriale duhet të jetë e garantuar por duhet të shoqërohet me transparencë të plotë të pronësisë dhe financimit.
Ka shtuar se qytetarët duhet ta dinë se kush flet, në emër të kujt flet, me çfarë burime flet dhe nga kush financohet.
“Nëse secili biznes tjetër jep përgjegjësi për financat dhe burimet e tij, mediat duhet të jenë në të njëjtin nivel të përgjegjësisë. Ligji për Këshillin e Pavarur për media, nuk është për të kontrolluar mediat por për të mbrojtur atë nga kapjet. Censurë është pengesa e lajmit të drejtë dhe jo e lajmeve të pavërteta me financime të dyshimta. Një demokraci që nuk e sheh këtë rrezik me kohë rrezikon ta humbasë lirinë pa e kuptuar dhe me të njëjtën logjikë ka vepruar BE-ja kur ka mbyllur transmetimin e portaleve ruse”, ka deklaruar Kurti.
Haradinaj: Kurti shpenzon më së shumti para duke i ushqyer 'zagarët' që fyejnë shqiptarët
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, e ka quajtur mashtrues kryeministrin Albin Kurti derisa ka thënë se e gjithë përgjegjësia për gjendjen në vend bie mbi të.
“Sot erdh mashtruesi para nesh, me një mashtrim ideal dhe na mashtroi kryeministri”, ka nisur fjalimin në foltoren e Kuvendit Haradinaj.
Haradinaj është paralajmëruar nga kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, për kujdes në deklarime.
“Mashtrimi nuk është fyerje”, i është përgjigjur ai kryeparlamentares pasi ajo i kërkoi që t’i ndalej fjala.
“Ndodhi një mashtrim dhe dua ta demaskoj. Kolegu që foli para meje është sa vjet në pushtet dhe mban përgjegjësi për çmimet, vjedhjen me energjinë, faturat që po na vinë, ky dhe qeveria juaj dhe nuk mund t’i ikni përgjegjësisë. Nuk mund të fshiheni pas çmimit tavan as asgjë sepse oligarkët tu kryeministër po blejnë e shesin energji çdo ditë, e po ju shtohen kompanitë njerëzve tuaj të afërt. Thotë po financohen mediat me thasë. Ky shpenzon më së shumti para duke ushqyer zagarë me i fy shqiptarët”, ka thënë Haradinaj.
Kurti: Rruga para nesh nuk duhet të jenë pengesat apo inatet
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se pas rikthimit të funksionimit të Kuvendit, rruga përpara e deputetëve nuk duhen të jenë pengesat apo inatet, por miratimi i marrëveshjeve që janë në dobi të qytetarëve.
Gjatë fjalimit në Kuvend të enjten, Kurti ka thënë se Gjykata Kushtetuese e qartësoi përgjegjësinë e secilit institucion dhe kufijtë deri ku mund të veprojnë.
“Vullneti i popullit nuk anulohet me dekrete të presidentit dhe rrjedhimisht as nuk shpërndahet”, ka thënë Kurti, duke theksuar se pas qartësimit të këtij realiteti, nuk kemi boshllëk institucional, por detyra të qarta për të avancuar agjendën legjislative.
Kryeministri u shpreh se demokracia nuk avancon duke bllokuar funksionet e njëra-tjetrës, por duke respektuar çdo pushtet brenda kufijve kushtetues.
“Rruga para nesh nuk duhet të jenë pengesat apo inatet… ajo çka kërkohet prej nesh janë miratimi i marrëveshjeve ndërkombëtare dhe agjenda që përmirëson jetën e qytetarëve – këto nuk mund të mbahen peng të një krize të prodhuar politikisht”, ka shtuar ai.
Kurti foli edhe për çështjet konkrete që presin veprim të menjëhershëm, duke përfshirë Byronë për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme dhe ligjin për çmimet tavan, si përgjigje ndaj krizës dhe abuzimeve në treg:
“Problemet e përbashkëta kërkojnë zgjidhje të përbashkët… shumë shpejt do ta risjellim këtu për ta votuar dhe presim që edhe opozita ta mbështesë”, ka thënë ai.
Kadrijaj kërkon të tërhiqet libri i Shkëlzen Gashit për masakrat në Kosovë
Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj ka konsideruar se Qeveria nuk po bën asgjë në mbrojtjen e të vërtetës së luftës dhe mbrojtjen e viktimave të saj.
Para deputetëve ka kërkuar që të tërhiqet libri i Shkelzen Gashit, “Masakrat në Kosovë 1998-1999”, për të cilin ka thënë se përmban të pavërteta.
Për mospajtimet lidhur me rezolutën e PDK-së e cila synon të mbrojë dinjitetin e viktimave të luftës, ka thënë se i vjen keq në nivelin që ka rënë Qeveria.
“E lus Andin Hotin si ministër, bëje një ligj për mbrojtjen e vlerave të luftës, si djalë i Ukshin Hotit, fati i të cilit nuk dihet. Historia nuk ndryshohet, nuk mund të ndryshohet me linçimet dhe organizimet që jeni duke i bërë. Tërhiqeni edhe librin për masakrat në Kosovë të Shkëlzen Gashit, i cili ka shkruar të pavërteta dhe që është financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme e që është shpërndarë nëpër vendet tjera. Vet shteti i Kosovës e ka shpërndarë libra me të pavërteta, në vende të ndryshme të botës”, ka thënë ajo.
Ekspozita, e cila ishte bazuar në librin e Gashit, ka nxitur reagime për faktet e pasakta rreth masakrave në Kosovë. Lidhur me këtë, pas heqjes së saj nga sheshet kryesore të Prishtinës, Prokuroria ka bastisur shtëpinë e Gashit.
LDK: S’mund të diskutohet rritja e çmimit të rrymës kur sistemi i faturimit është vënë në pikëpyetje
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka kërkuar hetim të pavarur dhe kompensim për qytetarët pas verifikimeve të tyre që tregojnë se mbi 87% e njehsorëve elektrikë në Kosovë masin kohën gabimisht, duke shkaktuar faturim të shtrembëruar të energjisë elektrike. Kanë thënë se nuk mund të diskutohet çështja e rritjes së çmimit të rrymës kur kanë dalë këto probleme me sistemin e faturimit.
Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, gjatë deklarimeve jashtë rendit të ditës të enjten në Kuvend ka thënë se se ky problem prek secilin qytetar dhe familje:
“Është pa drejtësi që po bëhet për muaj apo vite me radhë… Qytetarët janë mashtruar. Kjo është e vërteta e hidhur. Teksa kemi dëgjuar Qeverinë duke u bërë thirrje qytetarëve ta kursejnë rrymën, të presin të shpenzojnë prej orës 22:00 me të lirën, ne sot kemi parë që shumica e njehsorëve nuk e kanë llogarisin saktë shpenzimin e energjisë dhe kjo çon në faturim më të shtrenjtë për secilën familje të Kosovës.”, ka thënë ajo.
Lushaku-Sadriu theksoi se Ministria e Industrisë, KEDS-i, ZRRE-ja dhe KESCO mbajnë përgjegjësi për mosveprim dhe për të garantuar mbrojtjen e konsumatorëve.
“Si është e mundur që një problem të jetë kaq i hapur dhe Ministria e Industrisë të mos ketë vepruar me kohë. Si është e mundur që qytetarët të kenë paguar fatura të padrejta me keqllogaritje dhe Ministria e institucionet e tjera nuk janë thirrur për përgjegjësi. Përgjegjësia është e qartë dhe nuk mund të shmanget. Ministria e Industrisë, KEDS-i, ZRRE-ja, KESCO mbajnë përgjegjësi për mosveprim dhe për të garantuar mbrojtjen e qytetarëve”, ka shtuar ajo.
Lushaku-Sadriu ka kërkuar hetim të pavarur dhe auditim të plotë të sistemit të faturimit, kompensim për çdo cent të marrë padrejtësisht dhe hetim nga Prokuroria për përgjegjësi penale.
Sipas LDK-së, është e papranueshme të diskutohet për rritje çmimesh të energjisë, kur vetë sistemi i faturimit është i paqartë dhe problematik.
E në fjalën e tij, deputeti tjetër i LDK-së, Besian Mustafa, ka kërkuar ndërhyrjen urgjente të Qeverisë për t’i mbështetur qytetarët në këto kohe të rritjeve të çmimeve.
“Jemi dëshmitarë të rritjes enorme të çmimeve të derivateve, tash rritje të çmimit të energjisë të cilat kanë efekt zingjiror te të gjitha fushat e tjera. Çdo familje në Kosovë përballet me vendimin se çka të blejë dhe çka jo. Kosova nuk kontrollon dhe nuk ka ndikim në tregjet ndërkombëtare të derivateve, por ka një qeveri dhe është përgjegjëse t’i mbrojë qytetarët nga efektet e rritjes së çmimit në tregjet ndërkombëtare. Kërkojmë që qeveria urgjentisht të marrë masa. Largim te tërësishëm ose të pjesshëm të akcizës. Largim ose ulje e TVSH-së. Përkrahje për familjet e cenuara në aspektin socioekonomik. Kërkojmë që qeveria me urgjencë t’i trajtojë këto çështje”, ka thënë Mustafa.
Hasani: Nuk lejojmë që masakrat të masakrohen për herë të dytë nga mercenarë
Nga foltorja e Kuvendit të Kosovës deputeti i PDK-së, Nait Hasani, ka dënuar Shkëlzen Gashin, si autor i ekspozitës për masakrat në Kosovë, dhe mbështetësit e kësaj ekspozite duke theksuar se të gjithë këta i bëjnë shërbim Beogradit dhe Aleksandër Vuçiqit me prezantim të pasaktë të krimeve serbe kundër shqiptarëve.
Hasani u është drejtuar deputetëve dhe qytetarëve edhe si një prej dëshmitarëve të masakrës në Burgun e Dubravës, derisa ka theksuar se “nuk do të lejojmë që masakrat të masakrohen për herë të dytë nga mercenarët”.
“Sot jam për të thënë në të vërtetë të rëndë ajo që është prezantuar në këtë ekspozitë më 24 mars nuk është vetëm gabim. Është prezantim qëllimshëm i deklarimeve të UDBA-s të asaj kohe. Është fyerje për viktimat, të burgosurit e të mbijetuarit. Është fyerje për të vërtetën për masakrën e Dubravës. Sepse kur në libër e në ekspozitë, të financuar nga institucionet shtetërore dhe paraja publike, për masakrën në burgun e Dubravës thotë se ka pasur kryengritje, janë vrarë 48 ushtarë të armatosur dhe 58 civilë. Ai nuk ka treguar të vërtetën, ai ka prezantuar pas 27 vjete masakrën në Dubravë propagandën e aparatit kriminal serb mbi masakrën e Dubravës”, ka thënë ai.
Hasani ka përmendur edhe një rast tjetër narrative kundër Kosovës dhe krimeve kundër shqiptarëve.
“Në shtator 2024 në shtëpinë e mediave në Prishtinë, në aktivitet të organizuar nga Birn Kosova dhe Jeta Xharra, në debatin publik ka qenë prezent fotoreporteri serb Goran Tomashoviq, ish-oficer rezervë. Është thënë se Policia serbe ka njoftuar qendrën e mediave se në Burgun e Dubravës ka pasur rebelim të të burgosurve shqiptarë dhe se gardianët janë detyruar të intervenojnë ta shuajnë rebelimin. Këtë sipas fotoreporterit e ka prezantuar në të gjitha mediat e botës si kryengritje e të burgosurve ta armatosur. Ai më pas ka kërkuar falje por dëmi politik është bërë me prezantimin e versionit të UDBA-s”, ka thënë Hasani.
Nagavci për presidentin: Zgjedhjet nuk na e heqin përgjegjësinë për të bashkëpunuar
Në deklarimet jashtë rendit të ditës, ajo ka thënë se Kuvendi është vendi ku merren vendimet dhe se nuk ka asnjë adresë tjetër ku mund të zhvendoset kjo përgjegjësi.
Ajo ka thënë se qytetarët presin nga deputetët që të marrim vendime.
“Edhe ata që mendojnë e punojnë për zgjedhje, duhet ta dinë se zgjedhjet nuk na e heqin përgjegjësinë për të bashkëpunuar për të njëjta tema, herët apo me vonë, enë këto kushte më mirë tani sesa me vonë”, është shprehur Nagavci
Ajo ka thënë se rifillimi i punës së Kuvendit pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese është një moment që kërkon qartësi, seriozitet dhe përgjegjësi.
“Në këtë fazë kemi nevojë për unitet dhe bashkëpunim”, është shprehur Nagavci. “Para nesh kemi një proces të rëndësishëm kushtetues, zgjedhja e presidentit të Republikës. Nga secila e secili prej nesh kërkohet pjekuri politike. Nën emrin e çdo deputeti nënshkruhet serioziteti i këtij institucioni. Procesi duhet të udhëhiqet nga fryma e bashkëpunimit”, ka shtuar Nagavci.
PDK-ja largohet nga seanca pas mospajtimeve për rezolutën që mbron dinjitetin e viktimave të luftës
Draft-rezoluta në mbrojtje të së vërtetës dhe dinjitetit të viktimave të luftës e propozuar nga PDK-ja dhe kërkesa që të trajtohet si pikë e parë të rendit të ditës, ka qenë pika e parë e mospajtimit në këtë seancë mes pushtetit dhe opozitës. Vetëvendosja ka kërkuar që teksti të harmonizohet edhe me propozimet e tyre, ndërkohë opozita ka deklaruar se meqë tekstin e kanë dërguar të mërkurën dhe që sipas tyre kohë kanë pasur ta analizojnë, rezoluta të votohet sot para secilës pikë tjetër.
Meqë as pas konsultimit të shefave të grupeve parlamentarë nuk u arrit kompromis, PDK-ja vendosi ta tërheqë propozimin dhe të largohet nga salla.
Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku ka thënë se arsyeja pse po kërkojnë që votimi i rezolutës të jetë para secilës pikë, është për shkak të rëndësisë që ka.
“Sot kemi një sfidë edhe me të thellë dhe më të rrezikshme përpjekjen për ta shtrembëruar historinë tonë. Ne kemi dhënë një draft-propozim jemi të gatshëm ta diskutojmë dhe kërkojmë të futet në rend dite si pikë e parë para pyetjeve parlamentare. Nuk ka kuptim qe sot Kuvendi të sillet normalisht pa e trajtuar këtë çështje”, ka thënë ajo.
Çitaku ka thënë se të gjithë deputetët kanë pasur kohë të mjaftueshme të japin komentet e tyre për rezolutën, duke shtuar se tekstin e kanë dërguar të mërkurën te të gjithë deputetët.
Ka shtuar se përkundër kësaj, mund të ulen të diskutojnë për tekstin. Por, ka insistuar që rezoluta të jetë pikë e parë e rendit të ditës.
Shefja e GP të Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci, ka thënë se janë të gatshëm të kontribuojnë në tekstin e draft-rezolutës dhe si të tillë ta përkrahin. Por nuk është pajtuar që të votohet pa u konsultuar.
“Ashtu sikurse e diskutuam në takimin e kryesisë, LVV-ja është e interesuar dhe e gatshme të kontribuojë në këtë çështje. Ne jemi të gatshëm të delegojmë një deputet dhe të punojnë gjatë ditës si pjesë e një grupi të përbashkët dhe në fund të ditës te sjellim një draft të harmonizuar të rezolutës”, ka thënë ajo.
Shefja e GP të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, ka thënë se e kanë lexuar tekstin e rezolutës dhe e mbështesin.
“LDK-ja e ka shqyrtuar tekstin dhe në parim pajtohemi për të sepse mendojmë që është obligim shtetëror ta mbrojmë të vërtetën dhe të kaluarën. Jemi te gatshëm të bëhemi pjesë e grupit punues dhe të kontribuojmë në të”, ka thënë ajo.
Shefi i GP të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se tekstin e rezolutës e kanë pranuar dje dhe i kanë dhënë komentet e tyre.
Ai ka propozuar që në rend të ditës duhet të futet si pikë e parë.
“Sot kemi pasur një takim në mëngjes ku jemi pajtuar të kemi një përmbajtje të përbashkët. Rrethanat në të cilat është sot Kuvendi na obligojnë ta kemi një qëndrim. Propozimi im është gjithashtu të jetë si pikë e parë. Nuk besoj qe ka nevojë për shkencë të madhe”, ka thënë ai.
Propozimi për këtë rezolutë vjen pas ekspozitës e cila pasqyroi fakte të pasakta për masakrat në Kosovë.
Tabelat për masakrat e ndodhura në Kosovë u hoqën nga sheshi kryesor i Prishtinës të shtunën në mëngjes, pesë ditë pas vendosjes, pas konstatimeve se kishin përmbajtje të pasakta, e që ishin pjesë e një ekspozite të financuar edhe nga Kuvendi i Kosovës. Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu ka thënë se Kuvendi nuk e ka organizuar ekspozitën dhe se vendimi për financimin e saj është marrë në Kryesi, duke deklaruar se të gjitha partitë e kanë mbështetur përveç Listës Serbe. Ka shtuar tutje se verifikimi i të dhënave të ekspozitës nuk bie mbi përgjegjësinë e Kuvendit të Kosovës. Nënkryetarja e Kuvendit nga radhët e PDK-së, Vlora Çitaku, ka deklaruar se në kërkesën për financimin e ekspozitës, s’është përmendur libri i Shkëlzen Gashit.
Në njërën nga tabelat e ekspozitës për Masakrën e Dubravës jepej numri i pasaktë i viktimave dhe për disa prej tyre thuhet se kanë qenë shqiptarë të armatosur.
Ekspozita shfaqi të dhëna të gabuara edhe për masakra të tjera. Për Masakrën e Reçakut thuhet se janë vrarë 37 civilë teksa Instituti i Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë përmend të paktën 45 civilë shqiptarë.
Të dhëna të pasakta pati edhe për Masakrën e Izbicës, që të shtunën e shënoi përvjetorin e 27-të. Bazuar në publikime të Institutit, në këtë masakër u vranë nga forcat serbe 147 civilë shqiptarë. E, në ekspozitë thuhet se ishin 115.
Po ashtu, janë ekspozuar pasaktësi edhe për masakrën e Krushës së Vogël dhe Krushës së Madhe.
E, Fondi për të Drejtën Humanitare (FDH), e ka përgënjeshtruar autorin e ekspozitës “Masakrat në Kosovë”, Shkëlzen Gashi, i cili tha se të dhënat e pasakta që u prezantuan në të janë të Fondit.
Në reagimin e kësaj organizate thuhet se përveç që autori ka publikuar pasaktësi, ai ka mungesë elementare të njohurive mbi të drejtën ndërkombëtare humanitare, faktet e vërtetuara në gjykatë dhe mënyrën e leximit të të dhënave nga Baza e Fondit për të Drejtën Humanitare.
Sipas Fondit, Gashi ka nxjerrë si përfundim se një viktimë e krimeve të luftës ka qenë e armatosur veç pse ka qenë më parë pjesëtar i UÇK-së, dhe nuk e ka kategorizuar si civil.
Seanca e Kuvendit nis me një orë vonesë
Seanca e Kuvendit të Kosovës ka nisur me një orë vonesë.
Ajo ishte thirrur për në orën 10:00, por deputetët janë mbledhur tek në orën 11:00.
Në rend dite fillimisht ishin 16 pika, përfshitë 7 marrëveshje ndërkombëtare.
Pas fillimit të seancës, katër marrëveshje ndërkombëtare janë futur në rendin e ditës me propozimin e Lëvizjes Vetëvendosje.
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci propozoi që në rend dite të shtohen katër pika që kanë të bëjnë me katër marrëveshje ndërkombëtare.
Lidhja Demokratike e Koosvës ka thënë se në parim janë për miratim të marrëveshjeve ndërkombëtare, por jo sot, pasi sipas deputetit Besian Mustafa, marrëveshjet duhet t’i analizojnë fillimisht.
Shefi i GP të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se kjo është hera e fundit që do të mbështesin një gjë të tillë, pasi sipas tij, do të duhej të njoftoheshin paraprakisht.
“Marrëveshjet ndërkombëtare kanë përmbajtje që duhet një deputet t’i lexojë. Nuk duhet të lejohet kjo praktikë që në moment të fundit të sillen këto marrëveshje ndërkombëtare. Nuk duhet të futen në këtë formë”, ka thënë ai.