Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën

Deputetët e Kuvendit të Kosovës janë mbledhur në një seancë të jashtëzakonshme. Seanca ka vetëm një pikë e rendit të ditës, çmimin dhe faturimin e energjisë elektrike për konsumatorët.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Tensione në Kuvend, përplasen Bajrami e LDK-së e Ahmeti i VV-së

2 o. më parë / 21 pri 2026 13:12
Hykmete Bajrami

Ka kaluar në përplasje verbale e tensione seanca për çështjen e energjisë. Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, dhe Ejup Ahmeti i Vetëvendosjes, kanë akuzuar njëri-tjetrin për dallavere.

Bajrami fillimisht akuzoi Ahmetin se është partner biznesi me një kompani që po fiton miliona nga energjia në Kosovë. E Ahmeti iu përgjigj duke e akuzuar se bashkëshorti i saj ka kompani farmaceutike. Ai madje akuzoi për përfshirje në dallavere me energjinë familjarët e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Pas kësaj, Bajrami duke i quajtur shpifje deklaratat e Ahmetit, i ka bërë thirrje që këto t’i thotë para objektit të Kuvendit “aty ku nuk ka imunitet”.

Në vazhdim, Bajrami iu afrua ulëses së Ahmetit duke i bërë me duar që të dalë jashtë Kuvendit për të folur.

Situata shkaktoi tensione, ndërsa kryeparlamentarja Albulena Haxhiu bëri thirrje vazhdimisht për shtensionim.

Rizvanolli: Çmimi i energjisë në Kosovë, më i ulëti në rajon

3 o. më parë / 21 pri 2026 12:20
Artanë Rizvanolli

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se çmimi i energjisë në Kosovë është më i ulëti në rajon.

Ajo ka thënë se opozita ka pritur shtrenjtim të energjisë për ta trumpetuar.

“Përkundër kësaj, kjo nuk është e saktë”, ka thënë ajo. “Çmimi i energjisë në Kosovë mbetet më i ulëti në rajon”, ka shtuar Rizvanolli duke krahasuar çmimet me Shqipërinë, Maqedoninë e Serbinë.

Rizvanolli ka thënë se opozita po shpik gjëra e ndër to, sipas saj, ka qenë shifra e importit.

Për numrat e importit ajo ka thënë se është rritur për shkak se “po bëhen investime që s’janë bërë për 40-60 vjet”.

Opozita akuzon Vetëvendosjen për dallavere me rrymën

3 o. më parë / 21 pri 2026 12:07
Kuvendi - 21 prill

Photo: Driton Paçarada

Deputetët e partive opozitare kanë akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për dallavere në sektorin energjetik.

Tek ka propozuar hartimin e një raporti të detajuar auditimi për këtë sektor, në seancën e ftuar për të diskutuar për energjinë, deputeti i Partisë Demokratike, Ferat Shala, ka thënë se qytetarët janë duke u përballur me barrë të padrejtë financiare. Ai ka thënë se janë dhjetëra afera korruptive që kërkojnë hetim.

“Grupit Parlamentar i PDK-së e ka thirrur këtë seancë për të diskutuar rreth situatës së përgjithshme energjetike. Kemi përcjellë dhe nxjerrë rezultate dhe kemi ardhur në përfundim që qytetarët po e paguajnë një taksë jomeritore dhe sektori energjetik është në një situatë të rënduar. Kosova është e varur nga importet. Kemi tri herë rritje të çmimit të energjisë, dhjetëra afera korruptive, akuza të ngritura ndaj akterëve të kësaj seance, 1 miliardë euro importe. Asnjë investim kapital. Po kërkojmë të ndërpritet keqmenaxhimi i këtij sektori, keqmenaxhimi i kontratave njëburimore”, ka thënë ai.

E shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri ka akuzuar Vetëvendosjen për qeverisje me “skandale me rezerva shtetërore e me energji elektrike”.

“Nuk e di pse po ju dhemb kaq shume kjo temë?” ka thënë ai në drejtim të pushtetit.

Po ashtu ai ka folur për privatizimin e KEDS-it.

“Ju e keni pushtetin qe 6 vjet. Kontratën e keni. Për secilën shkelje që gjeni drejtojuni Prokurorisë. Ne e dimë në çfarë gjendje ka qenë atëherë sektori i energjisë”, ka thënë Tahiri.

Janina Ymeri e Lidhjes Demokratike të Kosovës ka akuzuar Vetëvendosjen se e ka “gllabëruar komplet sektorin e energjisë elektrike”.

“Për me tregu më shumë për këtë: ku mund të jetë një sektor i pavarur kur në zyrat ku flitet dhe ku bëhet energjia elektrike, ku është edhe bilanci, është edhe vetë vëllai i kryeministrit”, ka thënë ajo.

Ramush Haradinaj i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës e ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti dhe “rethin e afërm të tij për anulim të projektit të termocentralit “Kosova e re”.

“Serbia nuk ka krijuar fitore më të madhe ndaj Kosovës, pas 99-s sesa këtë dështim të termocentralit të ri 500 megavat dhe pastaj dorëzimit të Kosovës te Serbia”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj ka thënë se “mafia energjetike e Ballkanit që dominohet nga serbët dhe bashkë me njerëzit e afërt të Kurtit dhe Dajona Mihalit krijojnë kompani çdo dy javë”.

“Në këto kompani është një i afërt i Kurtit, i Dejonës. Janë kujdesur të kontrollojnë të gjitha institucionet në energji”, ka thënë ai duke shtuar se edhe në KEK e ZRRE “vetëm Kurti e Dejona vendosin se kush emërohet aty”.

Ndërkaq Rozeta Hajdari e Lëvizjes Vetëvendosje, kryetare e Komisionit për Ekonomi, ka pyetur se a është më mirë që Kuvendi t’i miratojë reformat apo të ngritë “një narracion për një njehsor elektrik”.

“A është mirë që ne të shtyjmë edhe reformat e zotuara që janë masa të planit të rritjes apo të bllokojmë miratimin e projektligjeve përmes mocioneve të mosmiratuara?” ka pyetur tutje ajo.

Shala: Sektori energjetik në gjendje të rënduar, qytetarët po paguajnë barrë të padrejtë

3 o. më parë / 21 pri 2026 11:35
Ferat Shala

Photo: Driton Paçarada

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, ka deklaruar se Grupi Parlamentar i PDK-së ka thirrur një seancë për të diskutuar situatën e përgjithshme në sektorin energjetik në vend, që sipas tij është e rënduar.

Sipas tij, pas analizave të bëra, është arritur në përfundimin se qytetarët po përballen me barrë të padrejtë financiare. 

Shala ka theksuar se vendi vazhdon të jetë i varur nga importet e energjisë, duke përmendur edhe rritje të trefishtë të çmimit të energjisë dhe kosto që arrijnë deri në një miliard euro për importe.

Ai ka ngritur shqetësime edhe për, siç i ka quajtur, dhjetëra afera korruptive dhe mungesë të investimeve kapitale në këtë sektor.

“Grupit Parlamentar i PDK-së e ka thirrur këtë seancë për të diskutuar rreth situatës së përgjithshme energjetike. Kemi përcjellë dhe nxjerrë rezultate dhe kemi ardhur në përfundim që qytetarët po e paguajnë një taksë jomeritore dhe sektori energjetik është në një situatë të rënduar. Kosova është e varur nga importet. Kemi tri herë rritje të çmimit të energjisë, dhjetëra afera korruptive, akuza të ngritura ndaj akterëve të kësaj seance, 1 miliardë euro importe. Asnjë investim kapital. Po kërkojmë të ndërpritet keqmenaxhimi i këtij sektori, keqmenaxhimi i kontratave njëburimore”, ka thënë ai. 

Shala ka bërë të ditur se PDK-ja mbetet e hapur për debat të gjerë parlamentar, duke propozuar hartimin e një raporti të detajuar auditimi për sektorin energjetik, si dhe diskutimin e një reforme të gjithmbarshme.