Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

LDK-ja e indinjuar me refuzimin e 21 amendamenteve për buxhetin

ldk

Foto: Driton Paçarada

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka shprehur indinjatën pas refuzimit të 21 amendamenteve të cilat Grupi Parlamentar i propozoi për buxhetin e Kosovës. 

Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku në konferencën për media bashkë me deputetët Fadil Hadërgjonaj dhe Besian Mustafën kanë preanztuar prokjektet të cilat u janë u refuzuar.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Lushaku i ka cilësuar ato tejet të rëndësishme dhe ka thënë se i kanë sjellë në Kuvend të bindur që pushteti do të ketë mirëkuptim dhe do ta kuptojë rëndësinë tyre. 

“Pushteti ka refuzuar që t’i rritet buxheti Universitetit të Prishtinës. E ka refuzuar mësimin tërëditor si njërën nga projektet më të duhura për shkollat dhe për nxënësit, për familjet e Kosovës. E ka refuzuar unazën e kryeqytetit. E ka refuzuar ndërtimin e spitalit të kryeqytetit, një nga projektet më të rëndësishme që do të shkarkonte qendrën universitare të shëndetësisë. Ka refuzuar një varg projektesh që janë në interes të këtyre komunave, ujësjellës në Lipjan, ka refuzuar projekte të tjera që kanë të bëjnë me ndërtimin e ujësjellësve edhe në komuna të tjera si Skenderaj ose Istogu. Ka refuzuar një projekt tepër të rëndësishëm që do t’i modernizonte shkollat e Kosovës, në fakt digjitalizimin e shkollave dhe hyrjen e inteligjencës artificiale. Shumë shkolla kanë kushte dhe do të mund të fillonin një projekt të tillë. Ka refuzuar digjitalizimin e të dhënave për kulturë dhe turizëm, një projekt tepër i rëndësishëm që do të ndërtonte një hartë vizuale rreth kapaciteteve tona kulturore në Kosovë”, ka theksuar Lushaku.

Ajo po ashtu tha se janë refuzuar edhe projekte që kanë të bëjnë me KEK-un, ndërtimin e një shkolle në Kaçanik si dhe sallën koncertale të Kosovës.

“Dhe dëshiroj të them që një projekt si mësimi tërëditor që ua përmirëson jetën direkt qytetarëve, e përmirëson cilësinë e arsimit, implementimin e kurrikulave që sot shpeshherë nuk arrijnë që të realizohen brenda klasave tona, është vërtet mëkat që të mos jetë pjesë e këtij buxheti. Ndërkohë që ua kujtoj që edhe kryeministri edhe partia në pushtet e kanë pasur mësimin tërëditor njërën ndër kauzat kryesore edhe në nivel komunal edhe në nivel qendror“, ka deklaruar ajo.

Deputeti Besian Mustafa ka veçuar disa nga projektet në Komunën e Prishtinës, të cilat u refuzuan me këto amendamente.

“Unaza e jashtme e kryeqytetit, një projekt tepër i rëndësishëm për cilësinë e jetës së qytetarëve të Prishtinës dhe qindra-mijëra qytetarëve të Kosovës që hyjnë e dalin çdo ditë në komunën e Prishtinës. Një projekt i cili me vite të tëra ishte bllokuar nga qeveria qendrore duke mos aprovuar për të vazhduar tutje ... Njëkohësisht dhe ndërtimi i spitalit të kryeqytetit, po ashtu një tjetër projekt tepër i rëndësishëm aq edhe për shëndetin e qytetarëve të komunës së Prishtinës, por edhe qindra-mijëra qytetarëve të Kosovës që e vizitojnë çdo ditë kryeqytetin”, ka theksuar ai.

Mustafa e ka akuzuar Qeverinë se për pesë vjet nuk ka realizuar asnjë projekt vital për Komunën e Prishtinës.

“Është e çuditshme për të mos e cilësuar ndryshe që kjo qeveri në pesë vitet e kaluara nuk ka realizuar asnjë projekt vital për komunën e Prishtinës, për kryeqytetin e Republikës. Vazhdimisht e cekin si një ndër projektet më të rëndësishme ose zonave me interes për këtë qeveri sa i përket Republikës së Kosovës, por nuk e reflekton këtë interes dhe vullnet në buxhetin që e ka sjellë qoftë këto pesë vitet e kaluara, qoftë për vitin 2026”, ka theksuar ai. /EO