Visar Azemi, anëtar i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka thënë se kjo parti synon rikthimin e të gjithë anëtarëve të saj dhe se aty ka vend edhe ish-presidentja Vjosa Osmani.
Në një konferencë për media për çështje të njehsorëve, Azemi është pyetur për mundësinë e rikthimit të Osmanit në këtë parti.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Unë konsideroj që këto ngjarje do t’i shohim në ditët në vazhdim. LDK-ja synon rikthimin e të gjithë anëtarëve të saj, kështu që edhe për Vjosa Osmanin mund të ketë vend në LDK, sepse e djathta duhet të bashkohet, pasi që ka pasur një proces i cili ka qenë i dëmtuar në proceset e mëparshme dhe po kështu po synojmë që ta unifikojmë partinë ashtu siç ka qenë LDK-ja gjithherë”, ka deklaruar ai.
Osmani ka paralajmëruar kohë më parë rikthim në “aktivitetin politik”, kur pati shprehur ambiciet për edhe një mandat si presidente. Megjithatë, ajo nuk mori mbështetjen e Vetëvendosjes dhe tani ka mbetur pa post. Gjatë diskutimeve për presidentin, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka vlerësuar se “Osmani ka qenë kandidate e shkëlqyer”.
Kuvendi ka afat për të zgjedhur presidentin deri më 28 prill. Nëse kjo nuk bëhet, vendi shkon në zgjedhje brenda 45 ditësh, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që e pati shpallur të pavlefshëm juridikisht dekretin e Osmanit për ta shpërndarë Kuvendin më 6 mars.
Vetëvendosje ka propozuar në Kuvend dy emra për president, Glauk Konjufcën e Fatmire Mulhaxhën, por emrat e tyre nuk dolën në votim për shkak të mungesës së kuorumit.
Osmani para se të bëhej presidente ishte pjesë e LDK-së. Ajo më pas formoi Listën Guxo me të cilën garoi bashkë në zgjedhje me Lëvizjen Vetëvendosje. Më 2021 mori postin, ndërsa LDK-ja ia mundësoi kuorumin.