Caktimi i datës së Kuvendit është bërë të hënën, në mbledhjen e Kryesisë së partisë. Aty, sipas anëtarit të Kryesisë, Besian Mustafa, lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku, do të ofrojë dorëheqjen para delegatëve e ata më pas do të vendosin nëse do ta pranojnë ose jo. Sipas Mustafës, një gjë të tillë Abdixhikut ia mundëson statuti i partisë. E pak para nisjes së mbledhjes, disa figura të larta të partisë kanë kërkuar sërish dorëheqjen e parevokueshme të Abdixhikut, në shenjë përgjegjësie për rezultatin e dobët zgjedhor
Lidhja Demokratike e Kosovës do të mbajë Kuvendin e punës më 31 janar, e aty do të votohet edhe për dorëheqjen e ofruar nga lideri i partisë, Lumir Abdixhiku – nëse do të miratohet apo jo.
Caktimi i datës së Kuvendit është bërë të hënën, në mbledhjen e Kryesisë së partisë.
Pas mbledhjes, për atë që është diskutuar, ka folur para mediave Besian Mustafa, deputet i zgjedhur i LDK-së.
“Pati një diskutim gati 4 orësh të hapur e demokratik duke shtjerrë debatin në secilën pikë të mundshme. Duke analizuar edhe rezultatin e zgjedhjeve të 28 dhjetorit. Më 31 janar është ftuar mbledhja e Kuvendit të LDK-së. Në këtë Kuvend, siç është deklaruar vetë kryetari Lumir Abdixhiku, ai do të ofrojë dorëheqjen për të lënë lirë Kuvendin të vendosë edhe për këtë çështje edhe për çështjet e tjera e diskutimet e tjera që mund të ngrihen në atë Kuvend”, ka thënë Mustafa. “Kjo është formë që e kërkon vetë kryetari i partisë Lumir Abdixhiku. Në këtë Kuvend do të kërkojë votëbesim. Pra Kuvendi, i cili ka 355 delegatë, do të vendosë për këtë kërkesë nëse do të kenë akoma besim në kryetarin Lumir Abdixhiku. Pra është kërkesë për votëbesim”.
Mustafa ka thënë se, sipas statutit të partisë, kryetari ka të drejtë të mbledhë Kuvendin dhe të kërkojë votëbesimin e LDK-së, siç ka bërë Abdixhiku në këtë rast.
Por jo të gjithë kanë pranuar paralajmërimin për ofrim të dorëheqjes në Kuvend. Figura të larta të partisë, edhe para mbledhjes së Kryesisë, kanë përsëritur kërkesën për largimin e Abdixhikut, duke e bërë përgjegjës për rezultatin zgjedhor të 28 dhjetorit.
“E kam dhënë qëndrimin unë, të njëjtin qëndrim”, ka thënë deputetja e zgjedhur, Hykmete Bajrami, duke iu referuar kërkesës së saj për dorëheqjen e Abdixhikut.
Edhe anëtari tjetër i Kryesisë, Arben Gashi, ka thënë të njëjtën gjë.
“Ka vepruar ai, e ka kryer”, ka thënë Gashi për Abdixhikun.
E Armend Zemaj nuk ka pranuar të flasë lidhur me përgjegjësinë, me arsyetimin se të gjitha do t’i thotë në mbledhje.
“Qëndrimi im është me shku në mbledhje të kryesisë dhe me shpreh qëndrimin tim”, ka thënë ai.
Një ditë para mbledhjes së Kryesisë, kryetari i LDK-së, Abdixhiku, ka reaguar lidhur me manipulimet e votave në disa komuna, duke akuzuar struktura të caktuara partiake për tjetërsimin e vullnetit të qytetarëve në dëm të kandidatëve të rinj dhe, sipas tij, reformues.
Ai ka paralajmëruar edhe pasoja për ata që kanë cenuar procesin zgjedhor.
“Jo që po ndodh në disa qytete, nuk është rastësi. Është rezistencë e atyre që e kanë gërryer shtëpinë tonë nga brenda dhe sot duan ta ndalin reformën që nuk e durojnë dot. Sulmi ndaj emrave të rinj e të pastër është sulm ndaj punës sonë pesëvjeçare dhe ndaj vullnetit të mbështetësve që është shprehur qartë me votë të lirë. Prandaj, pasoja do të ketë. Për to, na prisni pas Kuvendit. Përtej turpit publik dhe ligjit të Republikës, do të ketë edhe përgjegjësi politike brenda shtëpisë sonë”, ka shkruar Abdixhiku ndër të tjera të dielën.
Javën e kaluar ky subjekt politik ka mbajtur mbledhjen e Kryesisë në format të ngushtë, në të cilën Abdixhikut i është kërkuar dorëheqja.
Pas saj, ai ka njoftuar se dorëheqjen do ta ofrojë në Kuvendin e partisë e aty do të vendoset nëse ajo do të pranohet ose jo.
Një ditë pas kësaj mbledhjeje ka dhënë dorëheqjen nënkryetarja e LDK-së, Hykmete Bajrami, duke kërkuar që këtë ta bëjë edhe Abdixhiku.
Mes tjerash, dorëheqjen e Abdixhikut e ka kërkuar edhe Avdulla Hoti, deputet i zgjedhur.
Në legjislaturën e dhjetë, LDK-ja do të përfaqësohet me 15 deputetë, 5 më pak se në parapraken.
LDK-ja ka fituar pak mbi 13 për qind të votave dhe ky është rezultati i dytë më i dobët i partisë pas atij të vitit 2021, kur ra nën 13 për qind, e pas së cilës drejtimin e saj e mori Lumir Abdixhiku.
LDK fton Kuvendin e partisë më 31 janar, Abdixhiku do të kërkojë votëbesim
Përditësim, 19:05 -
“Pati një diskutim gati 4 orësh të hapur e demokratik duke shtjerrë debatin në secilën pikë të mundshme. Duke analizuar edhe rezultatin e zgjedhjeve të 28 dhjetorit. Më 31 janar është ftuar mbledhja e Kuvendit të LDK-së. Në këtë Kuvend siç është deklaruar vetë kryetari Lumir Abdixhiku, ai do të ofrojë dorëheqjen për të lënë lirë Kuvendin të vendosë edhe për këtë çështje edhe për çështjet e tjera e diskutimet e tjera që mund të ngriten në atë Kuvend”, ka thënë Mustafa pas mbledhje së kryesisë së LDK-së.
Tutje zëdhënësi i LDK-së, ka thënë se në mbledhjen e Kuvendit të LDK-së, kryetari Lumir Abdixhiku do të kërkojë votëbesimin e delegatëve për të vazhduar edhe më tutje ose jo me udhëheqjen e kësaj partie.
“Kjo është formë që e kërkon vetë kryetari i partisë Lumir Abdixhiku. Në këtë Kuvend do të kërkojë votë të votëbesimit. Pra Kuvendi i cili ka 355 delegatë do të vendosë për këtë kërkesë nëse do të kenë akoma besim në kryetarin Lumir Abdixhiku. Pra është kërkesë për votëbesim”, ka thënë Mustafa.
Siç deklaroi Mustafa, sipas statutit të partisë, kryetari ka të drejtë të mbledhë Kuvendin dhe të kërkojë votëbesimin e LDK-së, siç ka kërkuar Abdixhiku në këtë rast.
LDK-ja mbledh Kryesinë
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka mbledhur Kryesinë e saj për herë të parë pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, në të cilat LDK-ja u rëndit e treta me 13.23 për qind të votave.
Para kësaj, LDK-ja më 13 janar ishte mbledhur në një takim konsultativ për të analizuar rezultatet e zgjedhjeve.
Pas takimit kryetari Lumir Abdixhiku pati thënë se dorëheqjen do t’ia paraqesë Kuvendit të partisë dhe se anëtarët pastaj do të vendosin për të.
Një ditë pas kësaj mbledhjeje, dha dorëheqje nënkryetarja e LDK-së, Hykmete Bajrami. Ajo në të njëjtën kohë kërkoi edhe dorëheqjen e kryetarit Abdixhiku.
Bajramit i reagoi Abdixhiku, por pa ia përmendur emrin. E thumboi atë, duke theksuar se LDK-ja nuk është reagim i çastit, as protagonizëm i ditëve të vështira, e “edhe më pak vendim i rrjeteve sociale e duartrokitjeve të kundërshtarëve”.
Në zgjedhjet e fundit, LDK-ja ka siguruar vetëm 13.23 për qind të votave, 5 pikë të përqindjes më pak se në zgjedhjet e shkurtit të 2025-tës.
Në legjislaturën e dhjetë, LDK-ja do të përfaqësohet me 15 deputetë, 5 më pak se në parapraken. Nga kandidatët e LDK-së, Bajrami u rendit e dyta me 57 mijë vota.











Abdixhiku: Pas 31 janarit, LDK-ja do të ecë përpara më e qartë dhe e bashkuar
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se Kuvendi i partisë i thirrur më 31 janar nuk është krizë, por mundësi.
Ai ka thënë se është mundësi për t’u dëgjuar, për t’u bashkuar rreth vlerave dhe për të dalë më të fortë nga ky proces.
“LDK ka kaluar shumë sfida dhe gjithmonë ka ditur të ruajë boshtin e saj: demokracinë, dinjitetin dhe besimin te anëtarësia. Edhe kësaj here do të dalim më të bashkuar dhe më të gatshëm për sfidat që na presin, pa i llogaritur fatet tona individuale. Aq më pak timin. Në LDK nuk i ikim asnjëherë përgjegjësisë. As kur është e lehtë, e sidomos kur është e vështirë. Sepse kjo shtëpi nuk është ndërtuar për rehati personale, por për shërbim dhe për përgjegjësi ndaj një ideali më të madh se secili prej nesh. Prandaj, me përgjegjësi përballemi; para anëtarësisë. Pas 31 janarit, LDK do të ecë përpara më e qartë, më e bashkuar dhe më e përgatitur për betejat që na presin”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.
Zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa, në konferencë për media pas mbledhjes së Kryesisë së LDK-së të hënën ka treguar se është caktuar më 31 janar Kuvendi dhe atje do të kërkojë votëbesimin.