Arbëri

LDK: Skandali me rezervat shtetërore prek sigurinë kombëtare

LDK

Lidhja Demokratike e Kosovës e ka cilësuar skandal që prek sigurinë kombëtare rastin e rezervave shtetërore për çka ministres në detyrë të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, iu ngrit aktakuzë ditë më parë.

Para dy ditësh, Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë ndaj Hajdarit dhe disa zyrtarëve të tjerë e një biznesmeni nën dyshimet se kanë keqpërdorur detyrat zyrtare për përfitime financiare për persona të tjerë dhe i kanë shkaktuar dëm buxhetit rreth tre milionë euro, me rastin e kontraktimit të rezervave shtetërore gjatë vitit 2022. Madje sipas aktakuzës, Hajdari ka qenë në dijeni se çmimi i grurit të importuar nga një kompani turke ka qenë rreth 200 euro më shtrenjtë për ton, por prapë se prapë është vendosur të vazhdohet me çmimin më të lartë.

E në një konferencë për media të enjten, deputeti i LDK-së, Alban Zogaj, dhe anëtari i kësaj partie, Berat Rukiqi e kanë cilësuar si rast “jo thjesht administrativ”.

“Po flasim për një rast të rëndë, të dokumentuar tashmë edhe nga Prokuroria Speciale, që ndërlidhet me rezervat strategjike të shtetit të Republikës së Kosovës. Ky nuk është një rast thjesht administrativ, por prek sigurinë kombëtare, financat publike dhe integritetin institucional të shtetit tonë”, ka thënë Zogaj.

Pos kontratës me çmim më të lartë, sipas LDK-së shkelja e dytë ka qenë favorizimi i kompanive. Zogaj e ka cilësuar skandal edhe akuzën se në diskutime për rezervat ka pasur edhe biznesmenë, që s’kanë asnjë detyrë zyrtare.

Rukiqi ndërkaq ka thënë se LDK-ja kërkon përgjegjësi politike për këtë rast. Këtu ai ka thënë se situata të tilla ka edhe në energji, tenderë të tjerë dhe për vendimet e qeverisë në detyrë.