Arbëri

Lista e votuesve për zgjedhjet lokale shkurtohet për 8 mijë

KQZ-Zgjedhjet

Gati për 8 mijë është shkurtuar lista preliminare e votuesve për zgjedhjet lokale të tetorit, në krahasim me zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës që u mbajtën më 9 shkurt.

Shifra u bë e ditur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që të premten ka mbajtur mbledhje elektronike, në të cilën u njoftua për raportin e Listës Preliminare të Votuesve.

Në zgjedhjet e 12 tetorit, në listën preliminare të votuesve janë 2,067,998 votues, pra 7,870 votues më pak në krahasim me Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, të mbajtura më 9 shkurt 2025.

E votues të rinj që do të votojnë për herë të parë më 12 tetor janë 33 mijë e 540, prej të cilëve 26 mijë konsiderohen që kanë mbërritur moshën 18-vjeçare pas zgjedhjeve të 9 shkurtit dhe 6886 që janë regjistruar për herë të parë në Regjistrin Qendror Civil midis dy palë zgjedhjes, ose që kanë rikthyer shtetësinë e Kosovës.

Numri i votuesve që janë larguar nga lista është 41 mijë e 410. Aty ka lista me persona që kanë humbur jetën e persona që janë kategorizuar si të paverifikuar. Madje nga kjo listë u larguan edhe 471 votues mbi 100 vjeç.

Numri i Qendrave të Votimit në 38 komuna është 945. Nga ky numër 907 do të jenë qendra për votim të rregullt e 38 për votim me kusht.