Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë të përkohshme deri më 30 shtator, me të cilën ndalon çdo veprim të deputetëve për formimin e Qeverisë. Lista Serbe pati kërkuar që Gjykata ta shpallë kundërkushtetuese zgjedhjen e Emilja Rexhepit nënkryetare nga grupi multietnik dhe ta urdhërojë kryeparlamentarin që ta përsërisë votimin e zgjedhjes së dy nënkryetarëve nga komunitetet, në një procedurë të përbashkët. Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, në reagimin e tij e ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për popullizëm
Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë të përkohshme lidhur me konstituimin e Kuvendit të Kosovës përmes së cilës ua ka ndaluar deputetëve të ndërmarrin çfarëdo veprimi a procedure për formimin e Qeverisë.
Sipas gjykatës vendimi u mor ex officio dhe gjithashtu sipas kërkesës së 9 deputetëve të Listës Serbe dhe të deputetit goran Adem Hoxha.
Kushtetuesja ka njoftuar se masa e përkohshme që hyri në fuqi të premten do të zgjasë deri më 30 shtator, kur më së largu do të pritet vendimi meritor për çështjen.
“Gjykata Kushtetuese njëzëri vendos – TË CAKTOJË ex officio dhe sipas kërkesës së parashtruesve, masën e përkohshme përmes së cilës ndalohet çdo veprim i deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës, si dhe çdo procedurë për formimin e Qeverisë; TË URDHËROJË që masa e përkohshme hyn në fuqi më 5 shtator 2025, në kohëzgjatje deri më 30 shtator 2025”, thuhet në vendim.
E Lëvizja Vetëvendosje si fituese e zgjedhjeve ka thirrur mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm për të dielën, në të cilën do ta caktojë propozimin e saj për mandatarin për formimin e Qeverisë.
Mirëpo, në kërkesën e saj që e ka deponuar në Gjykatë, Lista Serbe ka kërkuar të vendoset masa e përkohshme duke shprehur drojë se nëse deputetët do të vazhdonin me formimin e institucioneve kundërkushtetuese, do ta cenonin rendin juridik e demokratik në Kosovë.
Në Gjykatë, Lista Serbe e kontestoi procedurën e zgjedhjes së nënkryetarëve nga komunitetet, vendimin për zgjedhjen e nënkryetares nga grupi multietnik Emilja Rexhepi, procedurën e tentimit të zgjedhjes së nënkryetarit serb dhe të gjitha vendimet e nxjerra në seancën e 26 dhe 28 gushtit.
Kanë argumentuar se ashtu siç Vetëvendosje që ka qenë fituese e zgjedhjeve e ka pasur të drejtën e propozimit të kryetarit të Kuvendit, ashtu e ka pasur të drejtën e propozimit të nënkryetarit serb edhe Lista Serbe si fituese e zgjedhjeve të këtij komuniteti.
Janë ankuar se nuk është dhënë e drejta për pauzë e konsultime 48-orëshe siç kanë pauzuar me propozimet e tyre komuniteti shqiptar.
Kësisoj, Lisa Serbe po kërkon nga Gjykata që të konstatojë se kryetari i Kuvendit Dimal Basha e ka shkelur Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit duke e veçuar votimin për nënkryetarët nga komunitetet dhe duke e ftuar grupin multietnik para komunitetit serb që të bëjë propozimin.
Presin të shpallet kundërkushtetuese zgjedhja e Emilja Rexhepit nënkryetare dhe si përfundim kërkojnë nga Gjykata që ta urdhërojë Bashën të përsërisë procedurën e votimit për nënkryetarët nga komunitetet në një votim të përbashkët.
Vendimi i Gjykatës i ka shkuar Kuvendit, të cilin kryeparlamentari ka njoftuar se do t’ua dorëzojë të gjithë deputetëve.
“Sot kam pranuar Vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me vendosjen e masës së përkohshme, në rastin nr. KO265/25. Menjëherë kam autorizuar administratën që të njëjtën t’ua shpërndajë të gjithë deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, ka shkruar ai në rrjete sociale.
E kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, në reagimin e tij e ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për popullizëm. Ai i ka quajtur përfaqësuesit e partive në pushtet shkatërrues të shtetit e shkelës të Kushtetutës.
“Ja ku na ka sjellë popullizmi. Një shtet i tërë i bllokuar, për një pozitë të parëndësishme partiake në Kuvendin e Kosovës. Edhe 30 ditë të tjera të humbura – minimalisht. Tridhjetë ditë të tjera pa institucione funksionale, pa ligje që bëhen, pa projekte që ecin. Si po humbka Serbia kështu? Ne të bllokuar për një nënkryetar të parëndësishëm, e ata humbës disi?! U thamë. Nuk dëgjuan. U treguam. Nuk panë”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.
Më 30 gusht, kryeparlamentari i ka mbyllur seancën dhe e ka shpallur të konstituuar Kuvendin e Kosovës me zgjedhjen e kryetarit, tre nënkryetarëve shqiptarë dhe nënkryetares nga grupi multietnik.