Arbëri

LIVE: Kush do ta udhëheqë LDK-në?

Isufi: Në vitet '90, më zor ishte me u bë kryetar i nëndegës se sot me hy në listë për deputetë të LDK-së

1 o. më parë / 15 jan 2026 21:13
Elmaz Isufi

Zëvendëskryeredaktori i KOHËS, Elmaz Isufi, ka treguar se historikisht Lidhja Demokratike e Kosovës njeh vetëm rënie. 

Ai ka thënë se çështja e kultit të liderit është pjesë e trashëgimisë së LDK-së dhe kjo nuk e ka lejuar atë të krijojë struktura të fuqishme.

“Ka mjaftuar me pas liderin dhe kompromiset për qeveri i kanë bërë vetëm për presidentin. Kanë bërë kompromise me parti të vogla ia kanë dhënë qeverinë, e qeveria ka qenë instrumenti kryesor me udhëheq shtetin, me menaxhu shtetin, me ndërtu politika. Qysh prej themelimit të LDK-së e deri në fund të ’90 as themeluesit e LDK-së përveç Ibrahim Rugovës nuk kanë mbetur pjesën kryesore të partisë. Duhet me parë këtë. Është e vetmja parti që ka nisur prej 100 për qind e kanë rënë 15 për qind. Krejt tjerat kanë nisur prej 0. Këta se dinë qysh është me u rrit, por vetëm me u zvogëlu. Kur krijon histori të tillë të zhvillimit politik, e ke të vështirë me ndryshu mendësinë edhe të strukturave të brendshme por edhe të bazës elektorale”, tha Isufi në “Konfront” të KTV-së.

Isufi ka përmendur largimet e LDK-së ndër vite. Ai ka përmedur largimet e Mehmet Krajës, Isuf Buxhovit, Ibrahim Berishës, Hidajet Hysenit, Mehmet Hajrizit, Edita Tahirit, Milazim Krasniqit si dhe të Nexhat Dacit me grupin e tij. 

“Në LDK në vitet ’90 më vështirë ishte të bëheshe kryetar nëndege sesa sot të hysh në listën për deputet. E them me sinqeritet”, tha Isufi.

Grainca: Lidershipi i LDK-së ka qasjen sikur historia fillon me të

2 o. më parë / 15 jan 2026 21:02
Blerim Grainca

Blerim Grainca, anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka thënë se lidershipi i partisë ka qasje sikur historia fillon me të. 

Të enjten në “Konfront” të KTV-së, Grainca ka vlerësuar se duket që ky lidership ka harruar të kaluarën.

“Unë pajtohem se më shumë është çështje e orientimeve strategjike dhe politikave menaxheriale. Por edhe çështje e filozofisë dhe koncepteve që përfaqësojnë individë të caktuar. Lidershipi aktual i LDK-së e ka një qasje të atillë që mendojnë se historia fillon me ta, fillon nga këtu dhe duke harruar të kaluarën. Nëse ne harrojmë të kaluarën nuk mund të krijojmë të ardhmen”, është shprehur ai.

Grainca ka shtuar se në vitet e fundit si opozitare, LDK-ja ka bërë politikë ad-hoc, duke mos arritur ta bindë qytetarin kundër veprimeve të pushtetit. 

“Nëse e sheh në tre-katër vjetët e fundit LDK-ja nuk ka pasur ndonjë opozitarizëm të qëndrueshëm, ka bërë politikë ad-hoc, ka bërë politikë duke e ndjekur qeverinë, pas veprimeve të qeverisë dhe jo duke i paraprirë. Kjo ka ndodhur sepse ka humbur energji në gjëra koti, në gjëra të brendshme, nuk ka arritur ta bindë qytetarin e Kosovës që kauzat e qeverisë kanë qenë të rreme”, ka theksuar ai. 

Ramosaj për Abdixhikun: S’mund të kesh shumë autoritet e pak përgjegjësi

2 o. më parë / 15 jan 2026 20:53
Berim Ramosaj

Ish-deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Berim Ramosaj, tek ka komentuar “hallakamën” e shkaktuar në këtë parti pas dështimit në zgjedhjet e 28 dhjetorit, ka thënë se statuti i LDK-së i jep shumë autoritet kryetarit, por pak përgjegjësi.

Kjo sipas tij është problemi te lidershipi i partisë së Lumir Abdixhikut që ka ofruar dorëheqjen e që ka thënë se ajo tani është në duart e delegatëve të LDK-së.

Sipas Ramosajt, fakti që nëse kryetarit i mundësohet zgjedhja e gjysmës së anëtarëve të kryesisë kjo më pas sjell sjellje arrogante të individit si kryetar.

“Këto zgjidhjet statutare i kanë dhënë hapësirë aq të madhe kryetarit sa që s’ka siguresa të ‘feedbackut’ se a po punoj mirë apo keq. S’ka as shkallë të dhënies së përgjegjësisë në shkallën e nivelit të autoritetit. Është principiele në lidership. Aq më shumë që i jep dikujt autoritet aq më shumë duhet të kesh përgjegjësi. E autoritetit dhe përgjegjësia thirren në paritet. S’mund të kesh të drejta shumë e përgjegjësi fare. Prandaj kemi këtë sjellje. Nëse të është dhënë shkalla kaq e lartë e të drejtave, duhet të jepet e dhe shkalla e përgjegjësisë në atë nivel”, ka thënë ai në “Konfront” të KTV-së.

Koci: LDK si “Titaniku”, ndodhet në një situatë gati pa rrugëdalje

2 o. më parë / 15 jan 2026 20:44
Melazim Koci

Ish-kryeredaktori i Radio Evropës së Lirë, Melazim Koci, e ka krahasuar gjendjen në të cilën gjendet Lidhja Demokratike të Kosovës me anijen “Titanik” që ishte fundosur në vitin 1912. 

Koci në “Konfront” të KTV-së ka thënë se kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, do të duhej të jepte dorëheqje të parevokueshme e më pas organet e partisë do ta jetësonin këtë. Ai thotë se nuk është dorëheqje kjo që ka ofruar Abdixhiku, por është tentim “për t’i amortizuar kërkesat për dorëheqje, për të fituar kohë dhe për ta konsoliduar mbështetjen jo vetëm të tij, por edhe të disa të tjerëve”. 

“Çështjet nuk kanë të bëjnë vetëm me dorëheqjen e Abdixhikut. Problemi në LDK është më i thellë. Në këtë moment i ngjan ‘Titanikut’. Kur e them këtë e them me shumë keqardhje dhe dhembje, pasi megjithatë është një parti që ka merita të jashtëzakonshme...Është parti që ka dhënë shumë për Kosovën dhe pavarësisht se çfarë do të ndodhë meritat historike do t’i mbeten”, tha Koci. 

Koci nuk e ka përjashtuar mundësinë që LDK-ja të margjinalizohet në skenën politike të Kosovës. 

Ai ka thënë se Abdixhiku do të kishte hyrë në koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje, por ai e refuzoi nga frika se partia e tij mund të ndahej në dysh. 

“Besoj se z. Abdixhiku do të hynte në koalicion me Vetëvendosjen, por është evidente që hyrja na koalicion do të shkaktonte përçarje të thella e ndoshta ndarje në dysh. Kjo e frenoi ndoshta hyrjen në koalicion me VV-në. Unë mendoj se ai rrezik ishte real. Dihen emrat që s’do të pajtoheshin të hynin në koalicion. Përgjegjësia nuk është vetëm e Abdixhikut por e gjithë atyre brenda kryesisë e më gjerë, që e kanë sjellë LDK-në në një situatë gati pa rrugëdalje”, tha Koci.

Anëtari i LDK-së, Grainca: Strukturat e duan dorëheqjen e Abdixhikut

2 o. më parë / 15 jan 2026 20:27
Blerim Grainca,

Blerim Grainca, anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka thënë se strukturat e kësaj partie e duan dorëheqjen e Lumir Abdixhikut nga posti i kryetarit pas dështimit në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Sipas tij, në LDK është një grup që dëshiron edhe ruajtjen e gjendjes aktuale, por Grainca ka thënë se struktura e kërkon ndryshimin.

“Problemet e LDK-së s’janë të sotme, por të akumuluara për periudhë disavjeçare, sidomos me lidershipin aktual. Sot në LDK ka vlime të natyrave të ndryshme, por jo që kjo të konceptohet si luftë midis individëve. Mendoj se sot ka luftë konceptesh, idesh dhe rreth asaj që duhet të respektohet institucioni i përgjegjësisë dhe statuti i LDK-së. Nëse i referohemi kësaj, normalisht që ka një rrymë, disa individë të bashkuar, kryesisht ky grupi i njerëzve të ardhur në LDK nga subjekte të tjera politike dhe grupi i humbësve, atyre që kanë humbur zgjedhjet brenda subjektit... janë pothuajse të njëjtit 90 për qind, që insistojnë me çdo kusht që LDK-ja të mbetet kështu siç është që të mos ketë ndryshime, të mos ketë institucion të përgjegjësisë. Dhe e kemi anëtarësinë e LDK-së, strukturat që janë të shtrira në të gjithë Kosovën, që kërkojnë që zoti Abdixhiku, kryetari aktual për shkak të rezultateve të dobëta, performacës së dobët dhe keqmenaxhimit për periudhë të caktuar të japë dorëheqje. Këtë gjë ai në një formë e ka bërë, por më shumë është lojë fjalësh sesa një akt i vërtetë moral i përgjegjësisë sepse s’mund të thuash se po jap dorëheqje dhe po e dërgoj në Kuvend. Kuvendi nuk miraton dorëheqje, ajo veç i shkon dhe është akt i kryer dhe vetëm e zgjedh kryetarin e ri. Veprimi është në kundërshtim me statutin e LDK-së dhe natyrën dhe filozofinë e LDK-së”, ka thënë ai në “Konfront” të KTV-së të enjten.