Listat e kandidatëve për deputetë të partive politike për zgjedhjet e 7 qershorit u bënë publike ditë më parë.
Lidhur me kriteret ligjore për kandidim, figurën e kandidatëve dhe përfaqësimin gjinor në lista zgjedhore, hulumtuesja në Grupin për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Arbresha Loxha, foli për aspektet që parasheh ligji dhe rëndësinë e përfaqësimit të grave në politikë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoSa i përket kandidatëve që kanë probleme me ligjin, Loxha thekson se legjislacioni aktual përcakton qartë kufizimet vetëm për personat e dënuar me vendim të formës së prerë.
“Ligji për zgjedhjet parasheh që secili individ, i cili dëshiron të certifikohet nga Komisioni Zgjedhor i Zgjedhjeve për t’u kandiduar në proceset zgjedhore, i cili ka vendim të gjykatës të formës së prerë, pra dënim të formës së prerë, nuk mund të jetë pjesë e listave. Mirëpo sa i përket këtyre aktakuzave, ligji nuk parasheh ndonjë përjashtim nëse mund të them. Pra Komisioni i Përgjithshëm i Zgjedhjeve duhet të sheh bashkë me Këshillin Gjyqësor se cili nga anëtarët që janë pjesë e listave të partive politike nuk e përmbush kriterin që sapo e përmenda”, u shpreh ajo.
Duke folur për përgjegjësinë e partive politike në përzgjedhjen e kandidatëve, Loxha vlerëson se kandidimi i personave me aktakuza aktive nuk përçon mesazh pozitiv te qytetarët.
“Mirëpo, një kufizim i tillë nuk është që ekziston sa i përket aktakuzave. Por nëse e shohim se sa e përgjegjshme është nga partitë politike, sa tregojnë seriozitet dhe respekt karshi qytetarit të Republikës së Kosovës në qoftë se kandidojnë individë të cilët kanë aktakuza aktive, pra janë pjesë e proceseve zgjedhore, konsideroj që nuk është mirë. Nuk përçojnë mesazh të mirë te qytetarët, veçanërisht në qoftë se të njëjtit janë subjekt i proceseve zgjedhore të cilat lidhen me keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe vepra penale të ngjashme. Pra, nuk do të ishte mirë asnjëherë në asnjë proces zgjedhor personat të cilët nuk e kanë figurën komplet të pastër të kandidojnë në zgjedhje”, thotë ajo.
Një tjetër aspekt që ajo e konsideron të rëndësishëm është edhe përfaqësimi i grave në listat zgjedhore, për të cilën thotë se në Kosovë është shënuar progres ndër vite.
“Po, fatmirësisht në një ton pozitiv mund të theksoj që në Kosovë nuk është që ka qenë ndonjë kohë të gjatë problem përmbushja e kuotës gjinore. Pra, një 30% është i përfshirë kryesisht në shumicën e partive politike përgjatë disa palë zgjedhjeve që i kemi mbajtur. Këtë herë, më duket që nëse e shohim një total është diku rreth 34%. Pra, secila parti ka përfshirë të paktën 30% nga lista e deputetëve, kandidate për deputete”, tha ajo.
Loxha theksoi se përfshirja e grave duhet të jetë më e madhe edhe në pozita vendimmarrëse dhe jo vetëm në listat zgjedhore.
“Dhe kjo tregon që shumë gra realisht, po, bëhen pjesë e Kuvendit jo vetëm pse i fut kuota në Kuvend, mirëpo që kanë arritur me e marrë besimin e qytetarëve. E rëndësishme është të theksohet që përtej zgjedhjeve, përtej përfshirjes në lista, që gratë të përfshihen në masë më të madhe dhe më denjësisht edhe në pozita më të larta drejtuese në institucionet e ekzekutivit, por edhe në institucione të tjera të pavarura.
Pak a shumë janë njësoj, si me kuotën sikurse edhe me faktin që janë kandiduar individë të cilët kanë aktakuza dhe jo domosdoshmërisht e kanë komplet pastër figurën politike”, shtoi Loxha.
Zgjedhjet e parakohshme do të mbahen më 7 qershor pasi moszgjedhja e presidentit çoi në shpërbërjen e Kuvendit.
Fushata e partive politike do të filloj më 28 maj dhe zgjat 10 ditë e shtatë orë.