I qetë e pa lëvizje ishte oborri e qendra e vaksinimit kundër COVID-19 në sallën “1 Tetori” në Prishtinë. Ekipet e vaksinimit, përveç festave po pushojnë edhe gjatë vikendit.
Me pak lëvizje të qytetarëve ishin edhe rrugët e kryeqytetit, paraditen e së martës.
Gjatë së hënës, Ministria e Shëndetësisë, përmes një njoftimi ka treguar se qytetarët që kanë pasur terminë për vaksinim këtë të martë, mund të imunizohen të mërkurën.
Kjo, për shkak të festës së Bajramit, derisa kjo ministri u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të caktojnë terminët për marrjen e vaksinës kundër COVID-19.
Në anën tjetër, promovimi i vaksinimit masiv, me vetëm rreth 200 mijë persona të vaksinuar, nuk u ndal edhe gjatë ditës së festës nga krerët institucionalë. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se falë punës së institucioneve të shëndetësisë, që kanë arritur të sigurojnë vaksinim masiv, situata në Kosovë është më e qetë dhe masat janë relaksuar.
“Në Kosovë sivjet jemi më të qetë se në vitin e kaluar dhe masat i kemi relaksuar, falë punës së institucioneve të shëndetësisë që kanë siguruar vaksinimin masiv të popullsisë, proces që është në zbatim e sipër. Kështu që, Kurban Bajramin mund ta festojmë ashtu siç është tradita, familjarisht e me miq, por megjithatë, të ruajmë higjienën e distancën sociale, sepse ka vende të botës ku pandemia po rikthehet”, ka thënë Kurti.
Derisa thirrje për vaksinim ka bërë edhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, me anë të një postimi në facebook, ku edhe u kanë uruar festën qytetarëve, e ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.
Ky institut mbrëmjen e së hënës u është përgjigjur rreth 30 pyetjeve, që sipas tyre, kanë marrë në lidhje me vaksinimin në Kosovë, dhe për atë se kush mund të vaksinohet.
Sipas IKSHPK-së, nëse qytetarët nuk vaksinohen, atëherë mund të rriten rastet e reja me variantin Delta, e që vaksinat kanë treguar një efikasitet deri në 60% ndaj këtij varianti, i cili mund të rikthejë edhe kufizimet, si shkak i mbingarkesës së sistemit shëndetësor.