Arbëri

Lumezi u thotë prokurorëve “të paaftë”: Kërkoni trajnime shtesë

Të gjithë ata prokurorë, të cilët e ndiejnë veten të paaftë për të trajtuar një lëndë të caktuar, mund të kërkojnë trajnim vullnetar.

Kështu ka thënë të martën kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, në mbledhjen e parë për këtë vit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, ku u miratua një rregullore për trajnimin dhe zhvillimin profesional në sistemin prokurorial, raporton KTV.

Aty u bë gjithashtu e ditur se avancimi i sistemit për vlerësimin e performancës së prokurorëve, është një prej objektivave kryesore të KPK-së gjatë këtij viti.

Në këtë mbledhje, gjithashtu, janë miratuar rekomandimet e Raportit të Komisionit për transferimin dhe avancimin e tre prokurorëve të shtetit.

Kurse, për shkak të mosplotësimit të kushteve nga një kandidate për prokurore, konkursi në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë do të rishpallet.

KPK-ja ka vendosur që një grup i prokurorëve do të ndjekin programin e mentorimit në katër module gjatë muajve mars, qershor, shtator dhe nëntor të vitit 2020 në Londër, derisa shpenzimet do të mbulohen nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar.​

Trajnimet e vazhdueshme për prokurorët përcaktohen me Ligjin për Akademinë e Drejtësisë dhe Rregulloren e performancës së Prokurorisë.