Arbëri

LVV-ja do t’i paraqesë tri propozime para partive politike

Në takimin e së shtunës, në të cilin synohet që t’i jepet fund bllokadës politike në Kuvend, Lëvizja Vetëvendosje do t’i paraqesë tri propozime. Në mesin e tyre është edhe dakordimi për emrat e anëtarëve që do ta bëjnë kryesinë e re të Kuvendit – kryeparlamentarin dhe nënkryetarët

Tri propozime do t’i kenë në tavolinë liderët dhe përfaqësuesit e subjekteve politike të përfaqësuara në Kuvend, në takimin e së shtunës me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti.

Takimi, i cili është planifikuar që të mbahet të shtunën nga orën 16:00, është ftuar një ditë pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, në të cilin është theksuar se e drejta e propozimit të kryeparlamentarit nga partia fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit kërkon bashkëpunim në mirëbesim nga deputetët e zgjedhur për ta gjetur kompromisin apo konsensusin e domosdoshëm.

Burime brenda Vetëvendosjes kanë thënë se për diskutim do të shtrohet kërkesa që subjektet politike të dakordohen për emrat e anëtarëve të kryesisë në pako. Një propozim i tillë, sipas partisë që ka fituar më së shumti vota në zgjedhjet e fundit, bëhet “me qëllim të moskushtëzimit të ndërsjellë dhe është në frymën e aktgjykimit të Kushtetueses për konsensus e kompromis”.

Propozimi i dytë, i cili do të bëhet nga Kurti, është ai për dhënien e një epilogu formimit të Komisionit që do të merret me zhvillimin e votimit të fshehtë për kryeparlamentarin.

Nga kryetarët e subjekteve që kanë mandate në Kuvend do të kërkohet që të votohet pro ose kundër formimit të këtij komisioni.

E, propozimi i tretë, sipas burimeve në Vetëvendosje, do të jetë ai për mbështetjen e realizimit të votimit të fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Sipas Lëvizjes Vetëvendosje, deri të premten, nuk kanë marrë ndonjë zotim prej deputetëve të opozitës së deritanishme se do ta përkrahin të propozuarën e kësaj partie, Albulena Haxhiun, për kryetare të Kuvendit.

E, me qëllim të bindjes së subjekteve politike, LVV-ja do të zotohet se do ta ndërrojë propozimin e saj, në rast se dështon zgjedhja e Haxhiut në tentimin e parë.

Pjesëmarrjen në takimin e së shtunës deri më tani e kanë konfirmuar në Partinë Demokratike (PDK), në Lidhjen Demokratike (LDK), në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) si dhe në Nismën Socialdemokrate.

Të premten, KOHA ka provuar që të marrë një përgjigje nga tri partitë që deri më tani kanë qenë në opozitë nëse synojnë të paraqesin propozime të reja, porse nuk ka marrë përgjigje.

LEXO EDHE: