Tri ditë përpara se të skadojë afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit, Lëvizja Vetëvendosje u ka bërë ofertë Partisë Demokratike dhe Lidhjes Demokratike që të ofrojnë tre kandidatë, me zotimin se do të votohet njëri nga ta. PDK-ja e ka refuzuar ofertën, me arsyetimin se çështja e presidentit për këtë parti është “ e mbyllur”. E LDK-ja e ka kushtëzuar përgjigjen, duke paralajmëruar se mund ta propozojë edhe Vjosa Osmanin, nëse LVV-ja i garanton 66 vota për të
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) u ka bërë ofertë dy subjekteve kryesore në opozitë, Partisë Demokratike (PDK) dhe Lidhjes Demokratike (LDK) që t’i ofrojnë tri propozime për president dhe ka dhënë zotimin për t’i ofruar nënshkrimet për t’i formalizuar kandidaturat e edhe për të votuar njërin nga kandidatët. Ofertën e ka publikuar të shtunën, tri ditë përpara se të skadojë afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit.
PDK-ja e ka refuzuar ofertën. E LDK-ja ka kushtëzuar ofrimin e kandidatit, duke përmendur si emër të përveçëm Vjosa Osmanin, e cila përmbylli këtë muaj mandatin pesëvjeçar të presidentes.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoQëndrimin e ri, LVV-ja e ka dhënë të shtunën, por bazuar në njoftimin për media, ai është marrë në mbledhjen e Kryesisë që kjo parti e ka mbajtur të premten mbrëma. Në njoftim është theksuar se në situatën e krijuar rreth zgjedhjes së Presidentit dhe dëmin e madh që do t’i shkaktonte vendit një proces i panevojshëm dhe i përsëritur zgjedhor, LVV-ja ka ndërmarrë një sërë hapash konkretë për të gjetur zgjidhje.
“Pavarësisht propozimeve tona të shumta dhe gjeneroze, përgjigjja që kemi marrë ka qenë vetëm refuzimi. Në këto rrethana, për të shmangur një proces tjetër zgjedhor që nuk zgjidh gjë, dhe për të ruajtur stabilitetin institucional, Lëvizja Vetëvendosje! ndërmerr edhe një hap tjetër me një propozim të ri, konkret dhe përbashkues. Ftojmë PDK-në dhe LDK-në që së bashku të propozojnë tre emra, nga të cilët do të mund të zgjidhet Presidenti i ri nga legjislatura e 10-të”, thuhet në njoftim.
Sipas LVV-së, këta tre kandidatë duhet të jenë figura unifikuese, me integritet të lartë qytetar e kombëtar, me kontribut të dëshmuar në jetën profesionale dhe shoqërore, dhe jashtë skenës aktuale politike.
“Për këta të tre do të siguroheshin së paku 90 nënshkrime të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Me atë rast, paraprakisht do të tërhiqeshin nga kandidatura Zëvendës-kryeministri dhe Ministri i punëve të jashtme dhe diasporës Glauk Konjufca e deputetja Dr. Fatmire Mulhaxha-Kollçaku”, thuhet në njoftim. “Koha është e kufizuar. Për shkak të afateve kushtetuese, presim përgjigje nga subjektet opozitare deri të dielën në mbrëmje”.
Në njoftim shtrohet nevoja se një zgjidhje duhet të gjendet, dhe konstatohet se ajo është e mundshme.
“Duhet të përpiqemi dhe angazhohemi së bashku, sepse është detyrë e jona që buron nga përgjegjësia që na e kanë bartur qytetarët e Republikës së Kosovës”, është theksuar në njoftim.
Gjatë ditës së shtunën, kryeministri Albin Kurti, i cili e drejton LVV-në, ka thënë se është në pritje të PDK-së dhe LDK-së që të bëjnë bashkë një listë prej tre emrave, si kandidatë për president.
Gjatë një aktiviteti për përurimin e rrugës “Korishë-Kabash”, Kurti ka thënë se “dy partitë më të vjetra mund t’i njohin figurat seniore në shoqëri më mirë” sesa LVV-ja.
“shumë profesorë në universitete, ka shumë njerëz të cilët kanë kontribuuar dhe kontribuojnë dhe kanë sakrifikuar për vendin tonë dhe s’mund të na thonë se dy partitë më të vjetra nuk mund të vijnë me tre emra”, ka deklaruar kryeministri Kurti. “Tash ne s’po propozojmë më. Është radha e opozitës dhe është për të ardhur keq që s’ma kanë thënë asnjë emër. Por le të mos ma thonë mua. Le t’ia thonë njëri-tjetrit dhe qytetarëve. Ne ua sigurojmë nënshkrimet dhe të hënën ecim përpara”.
Pas konstituimit të legjislaturës së dalë nga zgjedhjet e 28 dhjetorit, Kurti ka zhvilluar takime të ndara me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza e me atë të LDK-së, Lumir Abdixhiku, lidhur me gjetjen e një kandidati konsensual për president. Marrëveshje nuk u arrit deri më 5 mars kur mendohej se ishte dita e fundit për zgjedhjen e presidentit, e kur LVV-ja propozoi dy kandidatë – eksponentë të kësaj partie: ministrin e Punëve të jashtme, Glauk Konjufca, si dhe deputeten Fatmire Mulhaxha-Kollçaku. Votimi nuk u zhvillua, meqë dy raundet e para të procesit kërkojnë pjesëmarrjen e së paku 80 deputetëve në votim, por seanca u bojkotua nga PDK-ja, LDK-ja, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lista Serbe (LS).
Të nesërmen, Osmani nxori dekretin për shpërndarje të Kuvendit, por atë e kontestuan në Kushtetuese Qeveria dhe deputetët e Vetëvendosjes, e më pas gjykata e shpalli pa efekt juridik dhe u dha kohë deputetëve që ta bëjnë zgjedhjen e presidentit deri të martën e ardhshme, kur bëhen fiks dy muaj prej se ushtron aktivisht mandatin legjislatura e dhjetë.
Pas vendimit të Kushtetueses, Kurti ka zhvilluar takime vetëm me Abdixhikun. Ato nuk kanë rezultuar me marrëveshje për presidentin dhe u dakorduan të mos ketë më takime për të gjetur zgjidhje. Të njëjtën ditë, në një mbledhje të Këshillit Drejtues, PDK-ja e shpalli të mbyllur kontributin e saj në procesin e negociatave për presidentin.
PDK-ja ka refuzuar ofertën e së shtunës, që bashkë me LDK-në të ofrojnë tri kandidatura për president.
Hamza ka quajtur manovër të kryeministrit Kurti, propozimin e ri që e ka publikuar. Ai ka theksuar se çështja e presidentit për PDK-në është “ e mbyllur”.
“Ne jemi parti të ndryshme. PDK-ja e LDK-ja janë subjekte në vete. AAK-ja është në vete. S’e ka ftuar fare. Me LDK-në ka tjera oferta, me PDK-në kemi diskutuar për presidentin. S’është çështje e rehatimit të individit, por çështje serioze që ka mundur të diskutohet në tavolinë kur ishim bashkë, por s’ka pasur seriozitet nga LVV-ja e s’ka as tash”, ka thënë Hamza në holl të Kuvendit, para seancës së jashtëzakonshme.
PDK-ja në diskutimet e mëhershme pati propozuar që ky subjekt t’i japë dy emra për president e që Vetëvendosje t’i mbështesë.
E, LDK-ja ka kushtëzuar ofrimin e kandidaturave.
Abdixhiku ka thënë se do ta propozojë Vjosa Osmanin për presidente, nëse LVV-ja i garanton 66 vota për të.
“I nderuar Kryeministër Kurti, meqë po komunikojmë në distancë, ju lutem përcaktohuni a doni marrëveshje politike me LDK-në, apo i doni 90 vota edhe me PDK-në. Nëse është kjo e dyta dhe nuk mundeni pa ta, atëherë nuk mund t’ju ndihmojmë. Kur të merreni vesh, e trajtojmë”, ka shkruar në Facebook Abdixhiku. “Por, nëse doni marrëveshje politike me LDK-në, atëherë flisni me ne. Presidentin e propozojmë ne me plot përgjegjësi. Mund ta propozojmë edhe Vjosa Osmanin, nëse na i garantoni 66 vota për të”.
Paraprakisht, gjatë një prononcimi në Kuvend, kryetari i LDK-së e ka akuzuar kryeministrin Kurti se nuk ka dashur marrëveshje politike me këtë parti.
“Me sa kuptuam, Kurti po i kërkon 90 vota. Pra LDK-ja s’mund t’i bëjë 90 vota, që i bie që ai kërkon bashkëpunim edhe me PDK-në. Vitin e kaluar kur kisha propozuar qeverinë e unitetit, ju kujtohet se si më thoshin: ‘pa PDK-në s’po mundesh’. Duket se këtë herë ai s’po mundet pa PDK-në”, ka thënë Abdixhiku. “Nëse ka dashur vetëm me LDK-në, ne kemi qenë në diskutime, kemi pasur diskutime të gjata për marrëveshje politike midis dy subjekteve tona. Në qoftë se do vetëm me PDK-në, le t’i lidhin ata, le t’i bëjnë ato 75 vota. Në qoftë se mbetet te 15 votat e LDK-së, ulemi dhe flasim. Por, në qoftë se ka dashur marrëveshje politike me LDK-në dhe do marrëveshje politike me LDK-në, atëherë LDK mund të propozojë emra. Ne s’kemi nevojë të propozojmë tre, propozojmë një. Mund të jetë edhe Vjosa Osmani, por le të na tregojë ai 66 votat për këtë emër”.
Në procesin e negociatave për presidentin, AAK-ja nuk është ftuar nga kryeministri Kurti. Kjo parti prej rreth një muaji ka propozuar që me PDK-në dhe LDK-në të ofrojnë kandidat të përbashkët për presidenti, por këto subjekte politike nuk i janë përgjigjur ftesës.
E, ofertën e LVV-së, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, e ka cilësuar tallje me qytetarët. Ai ka thënë se propozimi nuk është kredibil.
“Jemi dy ditë para se të kryhet afati kushtetues. Është e kuptueshme që loja e Kurtit, strategjia e tij do të vazhdojë kështu me këto veprime”, ka thënë Haradinaj, para seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit. “Këtë që po e thotë sot ka mundur ta thotë ditën e parë. Kjo është një lojë dhe tallje me qytetarët dhe këto oferta nuk janë kredibile dhe askush nuk e di nëse këto që po i thotë i zbaton apo e ka për ta mbuluar fajin e tij për dërgimin e vendit në zgjedhje”.
Afati për zgjedhjen e presidentit mbaron më 28 prill. Nëse nuk zgjidhet, Kuvendi shpërndahet me automatizëm, e në situatë të tillë Kushtetuta kërkon që zgjedhjet e parakohshme të mbahen brenda 45 ditësh. Bazuar në këto afate, data më e largët kur kosovarët do t’u drejtoheshin kutive të votimit, është 7 qershori.