Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Izraeli dhe Hezbollahu vazhdojnë sulmet pavarësisht armëpushimit

Izrael

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Disa persona raportohet se janë vrarë nga sulmet ajrore izraelite në jug të Libanit, më pak se 24 orë pasi u njoftua një armëpushim i ri ndërmjet Izraelit dhe Hezbollahut.

Agjencia shtetërore e lajmeve e Libanit bëri të ditur se të paktën 11 persona kanë humbur jetën pasi aeroplanët luftarakë, dronët dhe artileria izraelite goditën dhjetëra zonash, shumica prej tyre në afërsi të qytetit Nabatieh.

Ushtria izraelite ka thënë se ka goditur “objektiva terroriste të Hezbollahut”, pasi grupi kishte lëshuar më shumë se 50 predha ndaj forcave izraelite në jug të Libanit.

Washingtoni ka kritikuar vazhdimin e operacioneve ushtarake të Izraelit në Liban. Libani u përfshi në luftën mes SHBA-së dhe Iranit pasi Hezbollahu nisi sulme me raketa ndaj Izraelit në muajin mars, në shenjë hakmarrjeje për një sulm që vrau udhëheqësin suprem të Iranit.

Shtetet e Bashkuara druhen gjithashtu se tensionet e vazhdueshme ndërmjet Izraelit dhe Libanit mund ta rrezikojnë marrëveshjen e paqes të arritur me Iranin, e cila përfshin zotimin për t’i dhënë fund luftimeve në “të gjitha frontet”, përfshirë edhe Libanin.

Teherani ka insistuar se Libani duhet të jetë pjesë e çdo marrëveshjeje më të gjerë për përfundimin e konfliktit.

I dërguari amerikan, Steve Witkoff, raportohet se do të udhëtojë drejt Zvicrës për bisedimet fillestare me Iranin, me synimin për të konsoliduar marrëveshjen.

Zyrtari i lartë i Hezbollahut, Hassan Fadlallah, deklaroi se grupi i tij ka të drejtë t’u përgjigjet sulmeve izraelite.

Irani mbyll Ngushticën e Hormuzit pas sulmeve izraelite në Liban

6 o. më parë / 20 qer 2026 15:48
Ngushtica e Hormuzit

Photo: Associated Press

Irani ka njoftuar mbylljen e Ngushticës së Hormuzit për trafikun detar, duke e lidhur vendimin me sulmet e fundit izraelite në Libanin jugor, të cilat i cilësoi si shkelje të marrëveshjes së arritur mes Teheranit dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës të enjten.

Komanda Qendrore Ushtarake iraniane “Khatam-al Anbiya” deklaroi se mbyllja e kësaj rruge strategjike detare përbën hapin e parë të reagimit ndaj asaj që e quajti “thyerje të premtimeve nga armiku”.

“Njoftohet se Ngushtica e Hormuzit do të mbyllet për qarkullimin e anijeve. Ky është hapi i parë si përgjigje ndaj shkeljes së premtimeve nga armiku. Nëse agresioni vazhdon, do të planifikohen dhe ndërmerren masa të tjera për ta detyruar armikun t’u përmbahet detyrimeve të tij”, thuhet në deklaratën e transmetuar nga televizioni shtetëror iranian, transmeton "Al Jazeera". 

Vendimi vjen pasi Izraeli vazhdoi sulmet ajrore në Libanin jugor, pavarësisht armëpushimit të shpallur dje, ndërsa tensionet në Lindjen e Mesme mbeten të larta.

Ngushtica e Hormuzit konsiderohet një nga rrugët më të rëndësishme detare në botë për transportin e naftës dhe gazit.

Ngushtica u hap pas arritjes së një marrëveshje mes SHBA-së dhe Iranit, e cila synohet të kthehet në përfundimtare brenda 60 ditëve.

Me hapjen e ngushticës, ra edhe çmimi i naftës ditëve të fundit.