“Duke i bërë thirrje kryetarit Rama për reflektim në shërbim të drejtë të qytetarëve, po i njoftojmë qytetarët përmes juve media të nderuara se disa nga këto gjetje do t’i adresojmë tek organet e drejtësisë, sepse ka indikacione të veprave penale”, ka thënë asamblisti Ermal Osmani
Asamblistë të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) kanë paralajmëruar të enjten se do t’i denoncojnë në prokurori autoritetet komunale në Prishtinë, për veprat penale që “janë zbuluar nga Zyra Kombëtare e Auditimit” (ZKA).
Violeta Salihu, anëtare e LVV-së në Kuvendin Komunal të Prishtinës, ka thënë në një konferencë për shtyp se opinioni i kualifikuar i ZKA-së në raportin e sivjetmë për kryeqytetin jepet në rastin kur ka keqdeklarime dhe mospajtueshmëri në planifikimet buxhetore.
“Baza për opinion të kualifikuar ka rrjedhur si rezultat i planifikimeve buxhetore të gabuara, ku Komuna ka paguar 2 milionë e 453 mijë e 137 euro nga investimet kapitale, shpenzime të cilat u kanë takuar mallrave dhe shërbimeve. Kjo është një tregues i qartë për keqplanifikim dhe keqmenaxhim kur paratë merren nga një kategori e caktuar dhe shfrytëzohen për një kategori tjetër”, ka thënë Salihu.
E asamblisti Ermal Osmani u është referuar në konferencë gjetjeve që kanë të bëjnë me projektet në infrastrukturë.
“Prezantim i pasaktë i llogarive të arkëtueshme në taksat e infrastrukturës, ku kemi shumë të mbivlerësuar për 98 mijë euro dhe nga të arkëtueshmet nga lejet e ndërtimit ishin nënvlerësuar për 250 mijë e 309 euro”, ka thënë ai.
Gjetje të tjera të raportit të auditimit, të cilat janë prezantuar nga asamblistët, përfshijnë edhe keqmenaxhimin e tatimit në pronë, lidhjen e kontratave nëpërmjet procedurave joadekuate të prokurimit, subvencionimin e organizatave joqeveritare (OJQ) në mënyrë të kundërligjshme dhe të tjera.
“Për fund, duke i bërë thirrje kryetarit Rama për reflektim në shërbim të drejtë të qytetarëve, po i njoftojmë qytetarët përmes juve media të nderuara se disa nga këto gjetje do t’i adresojmë tek organet e drejtësisë, sepse ka indikacione të veprave penale”, ka thënë asamblisti Osmani.
Gjatë muajit të shkuar, Lëvizja Vetëvendosja pati paralajmëruar edhe një padi ndaj kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, pas prolongimit të zbatimit të vendimit të Kuvendit Komunal, për shkarkimin e aksionarëve të ndërmarrjeve publike.