Dy ditë pas publikimit të aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese për seancën konstituive të Kuvendit, do të mbahet vazhdimi i saj, që ka nisur prej gjashtë muajsh. Në të synohet zgjedhja e nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb. Në Vetëvendosje thanë se nuk do të votojnë të propozuar tjetër përpos Nenad Rashiqit, por ky deputet e vuri në pikëpyetje kandidaturën
Rreth një muaj e gjysmë nga vazhdimi i fundit i seancës konstituive, deputetët e legjislaturës së nëntë do të mblidhen të premten.
Për në orën 10, Kuvendi ka caktuar takimin, me një pikë të vetme të rendit të ditës, atë për zgjedhjen e nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb.
Tentativa e radhës për konstituim të legjislaturës do të bëhet pas publikimit të aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese, në kërkesën e Listës Serbe që kontestoi konstituimin pa zgjedhjen e nënkryetarit të propozuar nga kjo parti.
Ish-shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, shprehu pritjen që seanca e nisur gjashtë muaj më parë, të përmbyllet të premten.
Ajo tha se Vetëvendosja ka votë për Nenad Rashiqin, por jo edhe për ndonjë nga deputetët e Listës Serbe.
“Është në interes edhe të komunitetit serb që të kenë z. Rashiq nënkryetar të Kuvend, të kryhet ky proces i konstituimit i nisur më 15 prill dhe të fillojë afati për formimin e Qeverisë. Kjo është e rëndësishme dhe unë jam e bindur se edhe ai e ka parasysh dhe e ka interesin e Republikës së Kosovës”, ka thënë Kusari-Lila.
Por, Rashiq, i cili është deputet i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, i ka thënë KOHËS se në leximin që i ka bërë aktgjykimit, nuk ka parë hapësirë kandidimi për nënkryetar të Kuvendit.
“Unë sot e lexova vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Me sa e kuptoj, nuk ka lënë hapësirë tjetër përveç që Listës Serbe i takon e drejta e propozimit... Nëse e kam lexuar mirë, nuk e shoh, jo vetëm të arsyeshme, por as brenda ligjit e aktgjykimit që e kam të drejtën e kandidimit. Sot ose sonte do të flas me shokë të mi që e dinë Kushtetutën më mirë se unë”, ka thënë ai.
Por, hulumtuesi i Institutit Demokratik të Kosovës, Eugen Cakolli, thotë se Rashiqit mund t’i vijë mundësia që të votohet për nënkryetar, në rast se në këtë proces dështojnë të marrin votat e nevojshme deputetët nga Lista Serbe.
“Nëse asnjëri prej tyre nuk merr 61 vota, pres që Lista Serbe të refuzojë ta propozojë Nenad Rashiqin. Në atë rast do të aktivizohej mekanizmi ‘debllokues’, dhe vetëm Rashiq do të mund të propozohej si kandidat. Nëse deputetët shqiptarë nuk e votojnë, atëherë përgjegjësia për dështimin do të binte mbi ta dhe vendi do të shkonte në zgjedhje të parakohshme”, ka thënë Cakolli.
Edhe deputetja Kusari-Lila ka theksuar se ideale në këtë situatë do të ishte shpërndarja e Kuvendit dhe shkuarja në zgjedhje të parakohshme.
Në emisionin “60 Minuta” në KTV, ajo ka thënë se edhe po të bëheshin 61 deputetë, nuk mund të konsiderohet qeveri stabile sepse pastaj çdo deputet do ta shihte veten si përcaktues në çdo seancë.
“Në grupin parlamentar të LVV-së kemi diskutuar disa herë për skenarët që mund të shkojmë përpara në situatën kur kemi pasur bllokadë. Unë në vazhdimësi kam thënë se zgjedhjet duket se janë zgjidhja e vetme. Në secilin rast, funksioni i Kuvendit dhe fragjiliteti i Qeverisë me 61 deputetë në Kuvendin e Republikës – e para është stabiliteti, nuk ke kuvend stabil, ndërsa e dyta fragjiliteti është i madh për Qeverinë. Secili deputet a deputete bëhet përcaktues se a do të ketë apo jo seancë të suksesshme”, ka thënë Kusari-Lila.
Duke e mbrojtur qëndrimin se zgjidhje janë zgjedhjet, Kusari-Lila theksoi se vetëm pas një viti është procesi i zgjedhjes së presidentit të shtetit dhe me një qeveri siç e quajti, të brishtë, do të ishte e vështirë zgjedhja.
Presidentja Vjosa Osmani të enjten ka pritur në takim të ngarkuarën me punë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Anu Prattipati, me të cilën kanë diskutuar veçanërisht për aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese. Në njoftimin e Presidencës thuhet se në takim u diskutua për zhvillimet e fundit në vend, për aspekte të ndryshme të bashkëpunimit dypalësh, si dhe për pritshmëritë rreth funksionalizimit të plotë të institucioneve, pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.
Të mërkurën, në aktgjykimin e plotë në rastin e ngritur nga Lista Serbe për konstituimin e Kuvendit, Kushtetuesja nuk ua ka lënë në dorë grupeve parlamentare apo komuniteteve që, duke mos propozuar kandidat për nënkryetar, ta mbajnë të bllokuar punën e organit legjislativ.
“Gjykata sqaron se në rastet kur e drejta kushtetuese në procedurën e zgjedhjes së anëtarëve të Kryesisë së Kuvendit gjatë konstituimit të Kuvendit nuk ushtrohet nga deputetët apo grupet parlamentare, që kanë të drejtë të propozojnë anëtarë të Kryesisë së Kuvendit, qofshin ato nga komuniteti shumicë apo nga radhët e komuniteteve që nuk janë shumicë, të cilat mund të manifestohen në pengimin e këtij procesi, apo në rastet kur, përkundër vullnetit të shumicës së deputetëve për të zgjedhur anëtarin e Kryesisë, Kuvendit i pamundësohet zgjedhja e anëtarëve të Kryesisë së saj, Kuvendi përjashtimisht do të mund të vazhdojë funksionimin edhe pa njërin nga anëtarët e Kryesisë së Kuvendit, me kushtin që Kryesia e Kuvendit të ketë kuorum në vendimmarrjen e saj në përputhje me paragrafin 3 të nenit 20 (Mbledhja e Kryesisë) të Rregullores së Kuvendit, i cili përcakton se: “Vendimi i Kryesisë merret me shumicën e anëtarëve të pranishëm në mbledhje”, thuhet në arsyetimin e dhënë nga Kushtetuesja.
Të enjten janë bërë tetë muaj që nga mbajtja e zgjedhjeve të përgjithshme. Me zgjedhjen e nënkryetarit serb përmbyllet seanca konstituive e nisur më 15 prill, dhe i hapet rruga procesit për formimin e qeverisë së re.