Arbëri

Macron: Rusia nuk e do armëpushimin – Evropa duhet të tregojë unitet përballë agresionit

Emmanuel Macron

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, nga Samiti i gjashtë i Komunitetit Politik Evropian në Tiranë, përsëriti thirrjen për një reagim të përbashkët evropian kundër agresionit rus në Ukrainë, duke theksuar se Rusia nuk dëshiron armëpushim dhe se përballë kësaj situate, Evropa duhet të qëndrojë e bashkuar.

“Jemi këtu sot në një kohë kur situata në kontinentin tonë i jep seriozitet këtij takimi. Ka kërcënime të mëdha për unitetin tonë, dhe kryesorja mbetet lufta e agresionit rus në Ukrainë”, u shpreh Macron.

Ai theksoi nevojën për vazhdimin e mbështetjes ndaj Ukrainës, duke kujtuar se koalicioni i të vullnetshmëve që është krijuar duhet të jetë i qëndrueshëm. Sipas Macronit, Rusia duhet t’i rikthehet negociatave të vitit 2022, ndërsa Evropa të kërkojë paqe të qëndrueshme dhe jo të imponuar.

Macroni theksoi edhe rëndësinë e mbrojtjes së Moldavisë nga ndikimi dhe presioni rus, sidomos në prag të zgjedhjeve.

Në fjalim, Macroni u ndal edhe te kriza humanitare në Gaza, duke thënë se është urgjente vendosja e një armëpushimi të qëndrueshëm, ndërsa theksoi se bota ka sytë nga Evropa, përfshirë Kina, India dhe Afrika.

“Na duhet paqe, diplomaci, unitet për demokracinë tonë. Duhet një reagim i përbashkët që të jemi të besueshëm. Na duhet një shtyllë e fortë evropiane brenda NATO-s”, përfundoi Macron.

Lexo përditësimet tjera
fotoja familjare

Nga Tirana, liderët evropianë paralajmëruan pasoja për Rusinë