Liderët e 47 vendeve dhe organizatave evropiane janë mbledhur sot në Tirën për Samiti e Komunitetit Politik Evropian. Ata janë pritur nga kryeministri i Shqipërisë Edi Rama. Në mesin e tyre është edhe lideri i ukrainas Volodymyr Zelensky. Në fokus të diskutimeve në samit do të jenë siguria e Evropës dhe Ukraina. Kosova në samit përfaqësohet nga presidentja Vjosa Osmani. Të gjitha zhvillimet rreth samitit do të mund t’i lexoni këtu

Liderët evropianë mblidhen në Tiranë për Samitin e Komunitetit Politik

Takimi i gjashtë i Komunitetit Politik Evropian do t’i mbledhë sot në Tiranë udhëheqësit nga i gjithë kontinenti i vjetër, për të diskutuar në temën “Evropa e Re në një botë të re: unitet - bashkëpunim - veprim i përbashkët”. 

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka ndarë një video të vendit ku do të mbahet samiti. 

“Mirëmëngjesi dhe me Shtëpinë e Evropës, krijuar me vizatimet e fëmijëve të Shqipërisë, ku sot ka zbritur e gjithë Evropa e ku do të mbajë sytë e gjithë bota, ju uroj një ditë të mbarë”, ka shkruar Rama.

Kosova në këtë samit do të përfaqësohet nga presidentja Vjosa Osmani.

Në Tiranë mbrëmjen e së enjtes ka mbërritur edhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Ndërkohë po të enjten presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka publikuar një fotografi nga Tirana përkrah liderëve të Ballkanit Perëndimor.

Në foto shihet presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e krerë të tjerë të rajonit, si dhe krerët e Bashkimit Evropian. 

Themelimi i këtij Komuniteti ndodhi pas propozimit të presidentit të Francës, Emmanuel Macron, si përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj luftës në Ukrainë.

Qëllimi i Komunitetit Politik Evropian është të lehtësojë dialogun dhe bashkëpunimin midis udhëheqësve të kontinentit për të adresuar çështje me interes të përbashkët, me qëllim forcimin e sigurisë, stabilitetin dhe prosperitetin e Evropës. Kjo platformë nuk ka për qëllim të zëvendësojë ndonjë strukturë, organizatë apo proces ekzistues, por është më tepër një forum në të cilin shtetet evropiane mund të gjejnë hapësirë të mëtejshme për bashkëpunim mbi çështjet më urgjente në kontinent.

Komuniteti mblidhet në nivelin më të lartë dy herë në vit, teksa kryesuesi i tij ndërrohet ndërmjet 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe 20 vendeve që nuk janë anëtare në BE.
Deri tash janë mbajtur pesë takime të Komunitetit Politik Evropian. 

LIVE - VIDEO

 


 

 

Macron: Rusia nuk e do armëpushimin – Evropa duhet të tregojë unitet përballë agresionit

8 min. më parë / 16 maj 2025 14:35
Emmanuel Macron

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, nga Samiti i gjashtë i Komunitetit Politik Evropian në Tiranë, përsëriti thirrjen për një reagim të përbashkët evropian kundër agresionit rus në Ukrainë, duke theksuar se Rusia nuk dëshiron armëpushim dhe se përballë kësaj situate, Evropa duhet të qëndrojë e bashkuar.

“Jemi këtu sot në një kohë kur situata në kontinentin tonë i jep seriozitet këtij takimi. Ka kërcënime të mëdha për unitetin tonë, dhe kryesorja mbetet lufta e agresionit rus në Ukrainë”, u shpreh Macron.

Ai theksoi nevojën për vazhdimin e mbështetjes ndaj Ukrainës, duke kujtuar se koalicioni i të vullnetshmëve që është krijuar duhet të jetë i qëndrueshëm. Sipas Macronit, Rusia duhet t’i rikthehet negociatave të vitit 2022, ndërsa Evropa të kërkojë paqe të qëndrueshme dhe jo të imponuar.

Macroni theksoi edhe rëndësinë e mbrojtjes së Moldavisë nga ndikimi dhe presioni rus, sidomos në prag të zgjedhjeve.

Në fjalim, Macroni u ndal edhe te kriza humanitare në Gaza, duke thënë se është urgjente vendosja e një armëpushimi të qëndrueshëm, ndërsa theksoi se bota ka sytë nga Evropa, përfshirë Kina, India dhe Afrika.

“Na duhet paqe, diplomaci, unitet për demokracinë tonë. Duhet një reagim i përbashkët që të jemi të besueshëm. Na duhet një shtyllë e fortë evropiane brenda NATO-s”, përfundoi Macron.

Rama: Evropa ka nevojë për një aleancë përtej armatimit

27 min. më parë / 16 maj 2025 14:16
Edi Rama

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë thirrje për një vizion të ri evropian që shkon përtej sigurisë ushtarake, gjatë fjalimit të tij në Samitin e Komunitetit Politik Evropian (EPC) që po mbahet në Tiranë të premten.

Ai u shpreh se është koha që Evropa të investojë më shumë në mendjet dhe zemrat e të rinjve, përmes arsimit, shkencës dhe inteligjencës artificiale, duke propozuar një “KPE të arsimit, shkencës dhe IA-së” – një lloj aleance të re që do të krijonte burime të përbashkëta dijeje dhe inovacioni.

“Pse mos të imagjinojmë një aleancë përtej armatimit, ku vendet që nuk janë anëtare të BE-së bëhen kufij të rinj të dijeve, një ringjallje e asaj që pasoi rënien e murit të Berlinit?”, ka thënë Rama.

Ai shtoi se Evropa duhet të ofrojë më shumë arsye për të rinjtë që të qëndrojnë dhe të ëndërrojnë në kontinentin evropian, përtej diskursit mbi luftën dhe armatimin.

“Le të sigurohemi që rrugëtimi i Evropës nuk është një udhëtim rrëmbimi, por një udhëtim rilindjeje. Një kthim në shtëpi – jo me formën e armëve, por me imagjinatën e fëmijëve tanë”, u shpreh ai.

Rama theksoi se ideali evropian nuk duhet të humbasë përballë maktheve të luftës, por të ruajë thelbin e paqes dhe bashkëpunimit.

“Paqja nuk ka konkurrentë, e kemi mësuar këtë në Ballkan. I kemi mbijetuar luftës, kolapsit ekonomik dhe kemi kuptuar se bashkëpunimi është rruga e vetme pa humbës”, përfundoi ai.

Osmani nga Tirana: Zëri i Kosovës është i pranishëm aty ku vendoset për të ardhmen e Evropës

40 min. më parë / 16 maj 2025 14:03
Vjosa Osmani

Presidentja Vjosa Osmani ka deklaruar se pjesëmarrja e saj në samitin e gjashtë të liderëve të Komunitetit Politik Evropian (EPC), që po mbahet në Tiranë, është dëshmi se Kosova është faktor i rëndësishëm në skenën politike evropiane.

“Sot në Tiranë filloi Samiti i liderëve të Komunitetit Politik Evropian. Pjesëmarrja jonë e gjashtë në këtë samit është dëshmi se zëri i Kosovës është i pranishëm, i domosdoshëm dhe kontribuues në platformat ku diskutohen sfidat e përbashkëta dhe vendoset për të ardhmen e kontinentit tonë,” ka shkruar Osmani.

Ajo theksoi se Kosova është pjesë aktive e diskutimeve që prekin sigurinë, paqen dhe zhvillimin e rajonit e më gjerë në Evropë.

Osmani ka ndarë foto duke u përshëndetur me liderën evropianë.

Në samitin që po mbahet në Tiranë marrin pjesë 47 liderë evropianë, ndërsa në fokus të diskutimeve janë sfidat e përbashkëta të sigurisë, energjisë dhe integrimeve evropiane.

Zelensky: Putini pati frikë të takohej me mua, dërgoi ‘kokëboshë’ në takim

44 min. më parë / 16 maj 2025 13:59
Volodymyr Zelensky

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, të premten ka deklaruar nga Samiti i Komunitetit Politik që po mbahet në Tiranë se presidenti rus Vladimir Putin ka pasur frikë të përballet me të në bisedime të drejtpërdrejta për t’i dhënë fund luftës.

“E vlerësoj shumë faktin që e kuptoni njësoj situatën. Lufta kundër Rusisë duhet të përfundojë shumë shpejt. Ju të gjithë e dini këtë. Duhet të ndërmerren disa hapa të rëndësishëm për t’i dhënë fund luftës”, ka thënë Zelensky.

Ai bëri të ditur se ka qenë i gatshëm për një takim me Putinin në Turqi, por pala ruse nuk ka pranuar asnjë kusht.

“Nëse Putini nuk do të kishte pasur frikë të vinte në Turqi, isha i gatshëm për një takim me të për të mundur t’i zgjidhim çështjet e rëndësishme, por ai nuk ra dakord për asgjë,” u shpreh Zelensky, transmeton TCH.

Sipas tij, Rusia ka dërguar në bisedimet që po mbahen në Turqi delegacione me njerëz pa ndikim dhe pa autoritet vendimmarrës.

“Delegacioni rus ishte i një niveli shumë të ulët dhe s’mund të merrnin vendime. Unë dërgova një ekip që udhëhiqej nga ministri i Mbrojtjes së Ukrainës, për të pasur armëpushim të plotë. Rusia ka dërguar të njëjtët njerëz. Kanë bërë shumë deklarata dhe kërcënime që takimin e Stambollit ta kthejnë në një proces bosh”, citohet të ketë tutje presidenti ukrainas.

Zelensky akuzoi Moskën se po minon çdo përpjekje për paqe duke e cilësuar qasjen e saj si “teatër”.

“Nuk jemi ne apo Perëndimi që po i minojmë këto negociata, por janë rusët që kanë dërguar ‘kokëboshë’ në këto takime. Ajo që shikoj nga delegacioni rus është teatër,” përfundoi ai.

Von der Leyen: BE-ja po përgatit sanksione të reja për ta rritur presionin ndaj Rusisë

2 o. më parë / 16 maj 2025 12:43
Ursula von der Leyen

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka deklaruar të premten në Tiranë, se Bashkimi Evropian është në proces e sipër të formulimit të sanksioneve të reja, që kanë për qëllim të rrisin presionin ndaj presidentit rus, Vladimir Putin.

Deri më tani, BE-ja ka miratuar 17 pako sanksionesh kundrejt Rusisë, porse diplomatët kanë shprehur skepticizëm se mund të arrihet konsensusi i 27 vendeve anëtare të bllokut për të kaluar masat e reja, transmeton Reuters.

“Ai s’dëshiron paqe, si rrjedhojë ne duhet të rrisim presionin, dhe pikërisht kjo është arsyeja se pse ne po punojmë rreth një pako të re sanksionesh”, ka thënë von der Leyen, para Samitit të Komunitetit Politik Evropian.

“Kjo pako do të përfshijë, për shembull, sanksione ndaj Nord Stream 1 dhe Nord Stream 2. Do të përfshijë gjithashtu më shumë anije të flotës së errët ruse dhe uljen e kufirit të çmimit të naftës, si dhe më shumë sanksione ndaj sektorit financiar në Rusi”, ka vazhduar ajo.

Nord Stream 1 dhe Nord Stream 2, secili i përbërë nga dy tubacione, u ndërtuan nga kompania shtetërore ruse, Gazprom, për të transportuar gazin natyror në Gjermani përmes Detit Baltik. Ato u dëmtuan nga një seri shpërthimesh në vitin 2022.

Osmani: Para dialogut, të hiqen masat ndaj Kosovës

3 o. më parë / 16 maj 2025 11:10
Edi Rama & Vjosa Osmani

Presidentja Vjosa Osmani, edhe në deklarimin e saj para fillimit të Samitit të Komunitetit Politik Evropian në Tiranë, ka përsëritur thirrjen për heqjen e masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës. 

Ajo ka thënë se është koha për veprime konkrete në këtë drejtim, para dialogut Kosovë-Serbi.

“Sa i përket dialogut Kosovës Serbi, ne më parë duhet të flasim për heqjen  e masave ndaj Kosovës sepse kjo e dëmton edhe vetë kredibilitetin e BE-së, kam kërkuar edhe mbrëmë gjatë darkës me liderët e BE-së, do të kërkoj edhe sot, sepse kjo do t’i jepte kredibilitet dialogut, por Kosova është gjithnjë e gatshme që të marrë pjesë në këtë proces”, është shprehur Osmani.

“Kosovës është 100% në linjë me vendimet e BE-së sa i përket politikës së jashtme dhe asaj të Sigurisë”, ka shtuar ajo.

VIDEO:

Rutte: Putini bëri gabim që çoi delegacion të nivelit të ulët në Turqi

4 o. më parë / 16 maj 2025 10:32
Mark Rutte

Sekretari i NATO-s, Mark Rutte, ka thënë se presidenti rus Vladimir Putin ka bërë gabim që ka dërguar delegacion të nivelit të ulët në bisedimet për paqe Rusi-Ukrainë, që pritet të zhvillohen të premten. 

“Putini bërë gabim që dërgoi një delegacion të nivelit të ulët, ndërkohë që është shumë e mirë që ukrainasit kanë ardhur në tryezë dhe kanë dërguar një delegacion mjaft të prirur për të negociuar për paqen”, ka theksuar Rutte, para nisjes së Samitit të Komunitetit Politik në Tiranë.

Ai ka thënë se është i lumtur për rolin që po e luan SHBA-ja në këtë proces dhe rolin që ka marr presidenti amerikan Donald Trump për të zhbllokuar këtë situatë. 

Kallas: Presim normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë

4 o. më parë / 16 maj 2025 10:22
Kaja Kallas

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, ka thënë se presin normalizim të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë. 

“Pak më parë kemi emëruar përfaqësuesit e ri për dialogun Kosovë-Serbi, presim normalizim të marrëdhënieve sigurisht”, është shprehur Kallas, kur është pyetur për procesin e dialogut. 

Kallas këto komete i ka bërë para nisjes së Samitit të Komunitetit Politike në Tiranë.